LAJMI I FUNDIT:

Hapet panairi i librit “Prishtina 2017”

Hapet panairi i librit “Prishtina 2017”

Sot është hapur panairi i 19-të i librit ‘Prishtina 2017’, ku po marrin pjesë më shumë se 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e diaspora dhe ku pritet të ketë mbi njëmijë tituj të ri.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve në Kosovë, Daut Demaku tha se në këtë panair marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptarë, të cilët ofrojnë një gamë të madhe të botimeve.

“Në këtë panair marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptarë, ofrojnë një gamë të madhe të botimeve, diku mesatarisht njëmijë tituj të ri, për çdo vit prezantohen para lexuesve. Është në një ambient që e dini vetë se çfarë është dhe nuk kemi mundësi ta ndryshojmë këtë ambient, por kështu siç është oferta e librit është shumë e pasur”, tha ai.

Demaku tha se në këtë hapje të panairit janë të gjithë ata që duhet të jenë, botuesit, shkrimtarët, redaktorët, librarët dhe sponsori kryesor siç i quajti ai lexuesit.

“Kjo ngjarje po ndodh sot vetëm me ata që duhet të ndodh, me botuesit, shkrimtarë, redaktorë, librar dhe të gjithë ata që merren me librin dhe sidomos me sponsorin kryesor të librit që quhet lexues. Ndoshta është në një fat, nuk e di qysh ta quajmë, por politika sot mungon, s’kemi më nevojë për ti përshëndetur asnjë prej tyre, i kanë punët e veta ne sot do të merremi me punët tona”, tha ai.

Duke qenë në prag të jubileut të 20-të, panairi do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore, 600 vjetori i lindjes së Pal Engjëllit, 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit, 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit, 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit, 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit, 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit, 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit, 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, 100-vjetori i lindjes së Sotir Cacit, 100-vjetori i lindjes së Ndue Bytyçit, 100-vjetori i lindjes së Heinrich Böll, 100-vjetori i lindjes së Sidney Sheldon, 100-vjetori i lindjes së Robert Lowell, 100-vjetori i lindjes së Huan Rulfo, 80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut, 80-vjetori i lindjes së Ali Sutajt dhe 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit.

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka paraparë darkën solemne më 8 qershor, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë, librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital.

Gjithashtu, do të shpallet edhe shkrimtari i vitit letërsi shqipe, shkrimtari i vitit letërsi e huaj, si dhe stenda më e vizituar.

Nga sot Panairi i 19-të i librit Prishtina 2017 do të jetë i hapur deri më 11 qershor, raporton KosovaPress.