LAJMI I FUNDIT:

Hapet Gjirafa Lab – programi për mbështetje të ideve dhe startup-eve nga fusha e teknologjisë të bazuar në Internet (Foto)

Hapet Gjirafa Lab – programi për mbështetje të ideve dhe startup-eve nga fusha e teknologjisë të bazuar në Internet (Foto)

Sot me një ceremoni Hi-Tech u bë hapja e programit Gjirafa Lab në zyret e Gjirafa.

Përurimin i këtij projekti bë nga Ambasadori Amerikan në Kosovë, z. Greg Delawie, drejtori i USAID në Kosovë, z. James Hope, dhe themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Gjirafa, z. Mërgim Cahani.

Gjirafa Lab është iniciativë e kompanisë Gjirafa që me mbështetjen e USAID ka për qëllim përkrahjen e ideve dhe startupeve të reja, me qëllim zhvillimin e produkteve dhe kompanive të reja që do të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë të bazuar në Internet.

Ky projekt do të përfshijë përzgjedhjen e ekipeve me ide të reja dhe startupeve, me qëllim te zhvillimit të tyre drejt fazës së themelimit si kompani apo të përgatitjes për financim.

Ambasadori Amerikan deklaroi: “”Duhet ta them që kjo është me të vërtetë njëra nga ngjarjet që më pëlqen më së shumti këtu në Kosovë. Sepse jo vetëm që po gjejmë diçka që është shumë pozitive, por në të njëjtën kohë edhe po festojmë. Përveç kësaj si një kalifornian gjithmonë ndihem si në shtëpinë time kur e shoh frymën e Silicon Valley për përparim dhe inovacion që e ndjen njeriu sapo të hyjë në Gjirafa”.

Kjo iniciativë është e para e këtij lloji, pasi të gjithë aplikuesve që kanë ide transformuese në fushën e Internetit përveç mundësive të financimit do tu ofrohet edhe hapësirë për zhvillimin e idesë së tyre, kushtet dhe paisjet teknologjike të fjalës së fundit dhe mentorim nga ekspertët për zhvillimin e projektit të tyre.

Drejtori i USAID, u shpreh: “Dëshiroj vetëm të theksoj se çfarë shembulli të shkëlqyeshëm të zhvillimit të qëndrueshëm paraqet Gjirafa, e cila është zhvilluar prej një përfituesi të ndihmës së Qeverisë Amerikane në një partner me qëllim të shtyrjes së zhvillimit ekonomik”.

Mërgim Cahani, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Gjirafa u shpreh optimist dhe entuziast me këtë projekt, që ka si synim ngritjen e ekonomisë së bazuar në Internet.“Në Kosovë por edhe në rajon, Interneti përdoret vetëm për argëtim, sikurse Facebook, Youtube dhe biseda mes miqsh. E në fakt nuk përdoret për çka është i destinuar. Nuk shfrytëzohet për ngritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Internetit, dhe pikërisht nga këtu edhe na erdhi inspirimi që të punojmë për ta ndërtuar këtë ekonomi”.

Ndër të tjera, Cahani bëri apel te të gjithë ata që mendojnë se idetë e tyre mund të kenë ndikim në transformimin e ekonomisë së Internetit të aplikojnë në gjirafaLab.com