LAJMI I FUNDIT:

Hahn: Suksesi i reformës në drejtësi, prodhon lajme të mira për Ballkanin

Hahn: Suksesi i reformës në drejtësi, prodhon lajme të mira për Ballkanin

Suksesi i reformës së drejtësisë dhe ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri do të prodhojë lajme të mira për gjithë rajonin e Ballkanit, i cili ka nevojë për momente pozitive. Kështu është shprehur eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Hahn tha se Shqipëria ka shënuar progres në përmbushjen e prioriteteve duke falënderuar kreun e Kuvendit Meta për mbështetjen e vazhdueshme gjatë miratimit konsensual në Kuvend, dhe në fazën e zbatimit me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë, e cila është kyçe për integrimin evropian të vendit.


Meta nga ana e tij shprehu mirënjohjen për Hahn për punën e Komisionit Europian në hartimin e progres-raportit të fundit për Shqipërinë dhe rekomandimin pozitiv në mbështetje të hapjes së negociatave për anëtarësim. “Shqipëria shpreson që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me Komisionin, gjatë mbledhjes së tij të ardhshme gjatë këtij muaji”, u shpreh Meta.

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në situatën në rajon ku theksuar se Ballkani ka nevojë për forcim të stabilitetit, ndërlidhjes dhe sigurisë. Në këtë kontekst marrëdhëniet solide të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal duhet të shkojnë vetëm drejt forcimit dhe intensifikimit, me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të rajonit. /Telegrafi/