0Shares

Për të shëruar prekjen nga gurët në tëmth, mjekësia popullore sugjeron përdorimin e çajeve bimorë me veti kurative. Për këtë çaj nevojiten: lule ake, milcë, medër e butë, fara gjemb gomari dhe fara drize.

Formimi i gurëve në tëmth shkaktohet zakonisht nga një tepri e madhe e kolesterolit në lëngun e tëmthit. Kur njeriu, për shembull, gjatë natës nuk ushqehet, lëngu (vreri) qëndron në qetësi në tëmth. Kolesteroli kristalizohet dhe pastaj formon gurë të ngjashëm me gurët e vegjël, transmeton Telegrafi.

Obeziteti dhe diabeti, ose mungesa e veprimtarisë sportive, e shtojnë më shumë këtë mundësi. Nga pikëpamja anatomike fshikëza e tëmthit është një organ me gjatësi prej rreth 10 cm i gjatë dhe përmban rreth 50 ml vrer në një ngjyrë jeshile. Nga jashtë fshikëza e tëmthit mbulohet nga një membranë e hollë e vendosur poshtë mëlçisë, dhe që quhet peritoneum.

Përgjithësisht njihen 3 lloje gurësh: kolesterinikë (që përbëhen nga kolesteroli), pigmentarë (që përbëhen nga polimeret e bilirubinës) dhe gurët e përzierë, që janë ata të zakonshmit. Sigurisht, shkak është se me e kalimin e moshës, rritet përqindja e kolesterolit në gjak. Jeta bëhet me sedentare, pra me më pak lëvizje.

Operimi

Shumica e gurëve të tëmthit, shpesh të një dimensioni të vogël, nuk japin asnjë shenjë apo simptomë dhe është e panevojshme t’i heqësh. Por kur ata sjellin dhimbje, duhet menduar për t’i hequr. Në fakt këto dhimbje shpesh pasohen me komplikacione të rënda.

Gurët bllokojnë tëmthin, ose kanalet që e çojnë në zorrë, duke sjellë kështu një kolike hepatike (dhimbje e fortë e mëlçisë, kur guri bllokon daljen e tëmthit, zakonisht pas një ushqimi tepër të yndyrshëm), një kolecistit të fortë (si pasojë e infeksionit të pareteve të fshikëzës së tëmthit), angiokolit (me ethe gjer në 39°-40° që mund të çojë dhe në septicemi, infeksion i përgjithshëm në gjak), apo një pankreatit (inflamacion të pankreasit).

Gurë dhe llumë në tëmth, një çaj bimor që bën efekt

Përzierja bimore synon të mënjanojë shqetësimet ose krizat e forta të shkaktuara nga çrregullimet në tëmth. Pastron llumin e krijuar në këtë organ dhe normalizon pikimin e tij.

Përgatitja: Në 2 litra ujë zieni bimët e sipërpërmendura për 10-15 minuta. Më pas futeni në frigorifer dhe pijeni 3 herë në ditë përpara se të nisni ngrënien e vakteve. Nëse mundni, përdorni edhe fara pishe, sa herë që pini çajin.

Përdorimi i rigonit për gurët

Të gjithë i njohin vlerat e rigonit në gatim. Jo vetëm kaq, po përveç shijes aq të mirë që u jep ushqimeve, është dhe mrekullia që bën kjo bimë edhe në mjekësinë popullore. Kjo erëz aq e njohur në çdo kuzhinë shqiptare, ndihmon në lehtësimin dhe parandalimin e shumë sëmundjeve.

Si shumë bimë të tjera edhe çaji i përgatitur me degët e rigonit të njomë jep rezultate të menjëhershme në rastet e dhimbjeve të kokës me prejardhje nervore. Një gotë çaj do të sillte qetësinë që ju mundonte prej kohësh. Ç

aji i kësaj bime ndihmon edhe në rastet kur aparati tretës nuk e kryen mirë funksionin e tij, kur ka vështirësi në tretjen e ushqimit. Për të lehtësuar organizmin nga ushqimi i tepërt këshillohet të pihet menjëherë një gotë nga çaji i rigonit.

Përgatitja e çajit: Vetitë e rigonit në kurimin e sëmundjeve e kanë bazën te përbërësit e tij. Kjo bimë është e pasur me vaj kariofilenë, timolo, karvarkrolo dhe terpininë. Janë pikërisht këta komponentë që i japin bimës vlera kuruese. Për përgatitjen e çajit të rigonit nevojitet një litër ujë i ftohtë dhe në të vendosen 40 gramë nga bima në lulëzim. Zihen për 10 minuta, më pas kullohet lëngu dhe pihet i pa ëmbëlsuar. Pjesa që ndihmon në kurimin e sëmundjeve është e gjithë bima, por mund të përdoren edhe gjethet e saj, të mbledhura gjatë kohës së lulëzimit nga qershori deri në shtator.

Rekomandimet

Për të gjithë specialistët e shëndetësisë, gurët në tëmth janë një problem jo shumë i rëndë. Sipas tyre, kjo sëmundje nuk rrezikon jetën e njerëzve dhe mbi të gjitha nuk është e trashëgueshme. Kujdes duhet të tregohet në mënyrë të veçantë me përdorimin e ushqimeve që kanë sa më pak kripë, përdorimi i sa më shumë litrave ujë si dhe evitimi i gjërave të skuqura. Për të sëmurët që vuajnë nga gurët në tëmth, mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e 2 deri 3 gotave në ditë të këtij çaji.

Mjekët këshillojnë që një gotë të pihet herët në mëngjes, kur nuk keni ngrënë ende mëngjes, pasi jep efekte të jashtëzakonshme në shkrirjen e gurëve. Gjithashtu, rigoni është mjaft i mirë edhe për parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë. Të sëmurët nga mëlçia duhet të pinë çdo mëngjes dhe mbrëmje çaj rigoni të pa ëmbëlsuar. Shumë shpejt do të shohin efektet pozitive që ai jep.

Çrregullimet

Këto çrregullime mund të shkojnë deri në diarre. Për të lehtësuar këtë fenomen, mjekët këshillojnë që çaji të pihet disa herë gjatë ditës, në mënyrë që problemi të eliminohet më shpejt. Edhe në rastet kur njerëzit vuajnë nga kapsllëku dhe që shoqërohet me dhimbje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, mjekët popullorë rekomandojnë çajin e rigonit. Ata këshillojnë pirjen e 4 gotave çaji në ditë.

Paketë këshillash

-Për përgatitjen e çajit të rigonit është mirë të përdoret bima e njomë e rigonit
-Edhe gjethet e thara në hije të bimës shërbejnë për kurimin e sëmundjeve
-Në rastet kur keni probleme me tretjen, pini një gotë me çajin e bimës
-Përdoreni erëza në ushqime. Përveç shijes së mirë, parandalojnë sëmundjet
-Përdorni sa më pak ushqime të skuqura dhe kripë
-Pini sa më shumë lëngje dhe ujë natyral

KURA TË TJERA POPULLORE PËR GURËT NË TËMTH

Më shpesh gurët në tëmth formohen te gratë, të cilat i kanë kaluar 40 vjet. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit raporti midis grave dhe burrave, që vuajnë nga gurët është 2 me 1. Për kurimin dhe shkrirjen e gurëve në tëmth mjekësia popullore ka zbuluar mjekime nga më të shumëllojshmet.

Lëngu i lakrave turshi

Një mjekim për kurimin e gurëve në tëmth është edhe lëngu i lakrave turshi. Lëngu i turshive përzihet me dy gota vaj ulliri, duke i hedhur edhe lëngun e katër kokrrave limoni të shtrydhur. Masa e përftuar lihet e mbuluar për 5 orë. Më pas pihet për çdo 25 minuta nga një gjysmë gote. Pasi kanë kaluar 24 orë nga pirja e lëngut, i sëmuri nuk duhet të hajë e të pijë, duke vazhduar përsëri derisa masa e përgatitur të harxhohet.

Edhe këlmuthi gjembor ka dhënë rezultate të mira në shkrirjen e gurëve të vegjël të tëmthit. Duhet të kihet parasysh që lëngu duhet të jetë i vakët përpara se të pihet. Kjo kurë duhet të ndiqet për një muaj. Edhe lule ajka ka dhënë rezultat në tretjen e gurëve, si dhe për të shtuar rrjedhjen e tëmthit.

Përzierja e verës së ëmbël me vajin e ullirit

Kura e përgatitur nga përzierja e verës së ëmbël me vajin e ullirit është mjaft frutdhënëse për këtë qëllim. Masa e krijuar zihet për pesë minuta dhe pasi ftohet pihet çdo mëngjes nga një gotë. Mjekimi me këtë kurë duhet të vazhdojë për pesë ditë.

Jo vetëm vaji i ullirit shërben për kurimin e sëmundjes, por edhe gjethet e tij janë shumë të mira për parandalimin e gurëve. Gjethet e thata të ullirit zihen deri sa nga masa të mbetet 1 litër. Pasi kullohet, hidhet në shishe dhe mbahet në frigorifer. Gjatë përdorimit sasia, që do pihet, duhet të jetë e vakët dhe e ëmbëlsuar me mjaltë sipas dëshirës. Pihen dy filxhanë kafeje esëll në mëngjes, po aq edhe në mbrëmje para gjumit. Kjo kurë vazhdon deri në 25 ditë. Po të jetë e nevojshme kura mund të vazhdojë sërish pas një periudhe prej 1 muaji.

Bima e pelinit

Edhe bima e pelinit përdoret për kurimin e gurëve në tëmth. Çdo mëngjes merret një majë luge nga pluhuri i kësaj bime dhe tretet në çaj, qumësht apo supë. Kura vazhdon për 20 ditë. Ndërpritet për 10 ditë dhe më pas nis sërish. Është mirë që mjekimi me pluhurin e pelinit të përsëritet tre herë.

Lëvoret e gorricës

Lëvoret e gorricës ndihmojnë në kurimin e gurëve në tëmth. Është mirë që ato të përzihen me lule ake, fara të gjembgomarit, si dhe fara fshese. Pasi zihen, çaji i përftuar është mirë të pihet në mëngjes esëll dhe në mbrëmje pas buke. Nga ky çaj pihen 2 gota.

Mustaqet e misrit, bishtat e qershisë, fruta e boronicës

Përzierja e fituar nga mustaqet e misrit, bishtat e qershisë, si dhe frutës së boronicës ka dhënë rezultate të efektshme për shkrirjen e gurëve të vegjël në tëmth. Pas zierjes së kësaj përbërjeje, lëngu i përftuar lihet për dy deri në tre orë dhe më pas pihet çdo vakt nga një gotë para buke. Çaji përdoret i ëmbëlsuar me sheqer. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)