0Shares

Grimerja profesioniste Adelina Hasani, i beson individualitetit dhe bukurisë së çdo femre, ndërsa me shembullin e vet rekomandon që nga ëndrrat kurrë nuk duhet hequr dorë.

Për gjithë atë që bëhet në mënyrë profesionale, thonë që bashkimi i artit dhe njerëzores me grimin artistik, është dëshmi që mund të arrini talentin, por edhe të përjetoni ndjesitë tuaja.

Plot shtatë vjet me grimin, Adelina ka kaluar në duart dhe mendjen e saj, personazhet tona më të diskutuara, por edhe ata më të spikatura, ku me durimin e saj është munduar t’i përshtat fytyrat që ato përfaqësojnë.

Ne patëm shkas krejtësisht të mjaftueshëm për intervistën me këtë artiste që përmendet me respekt dhe konsideratë.

Si keni vendosur të merreni me grimin dhe a ju ka inspiruar ndonjë person këtë profesion?

Mendoj që këtë e ke në vete, vetëm që fati im është që unë me kohë e kam zbuluar atë që kam dëshiruar ta bëj në jetë. Fillimisht, më përkrahnin shoqet e mia, të cilat ma besonin punën edhepse ishte diçka joprofesionale. Mirëpo, personi i cili është gjithçka për mua, që më frymëzoi dhe më dha shtytjen me te madhe, është Nëna ime.

Sa angazhim dhe punë ju janë nevojitur për të arritur këtu ku je tani?

Dashuria ndaj grimit kurohet nga fëmijëria, ndërsa sot arti i vetë ngjyrave dhe brushave i kënaq fansat e gjithë botës. Në çdo aktivitet që dëshiron të kesh sukses, kërkohet angazhim dhe punë aq sa ke edhe forcën për të jetuar. Së pari, kam punuar shumë me veten, kam vendosur se çfarë dua pasi që kam zgjedhur grimin, pastaj kam filluar praktikën në disa studio, aplikova në Akademinë e Londrës për grim ku dhe më pranuan. Pas përfundimit, u ktheva në Prishtine dhe fillova punë si ‘freelancer makeup artist’ një eksperiencë shumë e mirë që më ndihmoi tej mase dhe më sprovoi me shumë gjëra.

Në bazë të çkaje bota e grimit është aq e veçantë?

Grimimi është shprehje kreative dhe artistike, jo vetëm zbukurim. Grimi nuk ka rregulla, nuk ka kushte, nuk ka kufizime, që nuk ka ngjyrë, por ka shume ngjyra…Unë do ta përshkruaja si – përmbledhja më perfekte e vijave anatomike të fytyrës.

Si do ta përshkruanit dukjen më të adhuruar të grimit?

Grimi është art me të cilin theksojnë atë që në fytyrën e personit është më e mira, pa marrë parasysh se për ç’lloj grimi është fjala, ndërkaq ajo që gjithmonë nga fillimi më fascinon është forca e transformimit – që personi të tregohet në një dritë krejtësisht tjetër. Më me rëndësi është që me atë rast të ndihemi mirë me vetveten dhe të dimë të përballemi.

Mesatarisht sa kohë ia kushtoni ndonjë personi kur Ju vjen për t’ia bërë grimin dhe cilat brende të grimit më së shpeshti i përdorni?

E gjitha varet nga kërkesa e klientit; nëse dëshiron diçka më të komplikuar apo diçka grafike që nevojitet precizitet, apo diçka artistike, atëherë lypset t’i kushtohet më shumë kohë. Në vitin e kaluar, trend ishte përdorimi i hijeve me shkëlqim apo xixave, të cilat e bëjnë syrin të duket më elegant dhe glamuroz, konturimi vijave të fytyrës dhe shkëlqimi në mollëza apo ndryshe, highlight.

Keni bashkëpunuar me shumë personalitete të njohura. A kanë kërkesa të mëdha në kuptimin e grimit apo jua lënë duart të lira ta bëni punën tuaj?

Ndryshimi bëhet sipas karakterit. Shumë prej tyre na kanë lënë që ne vet të vendosim, mirëpo më e mira shfaqet kur ndodh bashkëpunimi, sepse atëherë bashkohen idetë. Ndërsa, kur fillon te njohësh karakterin e personazhit, shijen, vijat e fytyrës, ngjyrat që kombinohen, atëherë kjo është edhe më lehtë.

Kë do të dëshironit që t’i bënit grimin, por që akoma nuk ju është dhënë rasti të kërkojë ndihmën tuaj?

Do të dëshiroja të grimoja çdo fytyrë e cila ka parashenjë transformimi.

Cilat janë gabimet më të mëdha gjatë grimit dhe si të shmangen ato?

Ka gabime të mëdha që i shohin për çdo ditë, prandaj po i veçoj këto pika: nuanca e gabueshme e pudrës (shkëlqen shumë apo është tepër e errët) me kalimin e mprehtë të linjës në nivelin e ashtit të nofullës; bronzer nëpër tërë fytyrën (duket sikur jeni me njolla apo leqe); vetulla tepër të holla (do të dukeni më e moshuar); buzëkuq të tepërt apo fare pak; korrektor tepër të shndritshëm rreth syve (efekti i pandës) dhe Gjithçka e tepërt! (bëhuni të kujdesshme – nëse i theksoni sytë buzët le të jetë më neutral, nëse vini theksin në skaj të buzëve le të jetë me masë).

Çfarë ju ka irrituar më së shumti në bashkëpunimin me klientet?

Klientet më japin kënaqësinë që ma besojnë punën mua, ndërsa unë u jap kënaqësinë e plotësimit të idesë dhe dëshirës për pamjen e tyre. Prandaj, irritime nuk kam pasur, nuk kam, nuk guxoj të kem dhe nuk besoj se do ndodh ndonjëherë.

Ç’do të thotë për ju grim i mirë?

Ai i cili është transparent, shkëlqyes dhe i cili zbulon aftësinë, përkatësisht karakterin. Ky profesion përmban në vetvete atë magjinë e të bërit ndryshe një personalitet të formuar.

Kemi vërejtur që është një numër gjithnjë e më i madh i grimerëve, të cilët njëherësh punojnë edhe si frizerë, përkatësisht janë artistë hairstyle. A mund ta ushtrosh edhe ti profesionin e frizeres?

Besoj se secili prej nesh duhet të përzgjedh një profesion për të cilin duhet të jap maksimumin dhe më të mirën, e cila ndonëse është e pafund, mendoj se, në dy profesione, kjo nuk mund të jetësohet.

Çfarë grimi rekomandoni për ditën, dhe çfarë për natën?

Është vështirë të përcaktosh diçka për ditën dhe diçka për natën. Kjo është çështje shijesh, e karakterit, stilit, rastit, punës, etj. Unë do të rekomandoja diçka të freskët, të pastër, me disa hije diskrete për ditën, ndërsa për natën sy më të theksuar; vija të fytyrës më të theksuara, por jo të tepruara; buzë të kufizuara në mënyrë diskrete me shkëlqim.

Buzëkuqi ngjyrë të kuqe është në modë. A mund të na këshilloni se si të bartet, por që të dukeni sikur manekinet në pistën e modës?

Këtë vit, më duket se jemi kthyer në vitet 20’ta me stilin e veshjes dhe, dosido duhet kombinuar me grimin, flokët, buzëkuqin, i cili tani mund të përdoret edhe ditën, mirëpo, fytyra të jetë e grimuar pastër, vetëm me hije të duhura në mollëza, qerpikë të theksuar, vetulla natyrale dhe një buzëkuq mat.

Njëri ndër problemet më të mëdha të shumicës së femrave lidhet pikërisht me pudrën. Si ta përdorin që të qëndrojë tërë ditën, dhe sërish të duken natyrshëm?

Varësisht nga ajo se cilin efekt dëshirojmë ta arrijmë – zgjedhin edhe mënyrat e aplikimit, sikurse janë: aplikimi i një primeri në fytyrë normale; fondacionit në tërë fytyrën dhe masazhi; korrektorit në pjesën poshtë syve dhe zonën T të fytyrës; pudrës në mënyrë të njëtrajtshme; aplikimi i pudrës për mollëzat me një nuancë pjeshke dhe fikserit nga larg në tërë fytyrën.

Si të harmonizohet më mirë grimi me ngjyrën e syve?

Ngjyrat apo hijet, duhet të harmonizohen dhe kombinohen me ngjyrën e syve, formën e syrit, formën dhe ngjyrën e vetullës, ngjyrën e lëkurës dhe të flokut.

Kthimi i modës së viteve njëzet edhe profili në Instagram i Kylie Jennerit janë kthyer në trend me rritjen e buzëve me ndihmën e grimit. Si të bëhet kjo por që të mos bëhemi qesharake?

Kthimi i modës së viteve 20′ është diçka e bukur që na nxit kujtesën që shumë vite më parë, femrat kanë aplikuar grimin, i cili mbas shumë vitesh do të kërkohet edhe është IN. Ndërsa, Kylie Jenner rrit buzët, mirëpo jo me ndihmën e grimit, por me disa metoda tjera, të cilat edhe tek ne, i aplikojnë shumë vajza, por teknika e rritjes së buzëve me ndihmën e grimit, mund të bëhet me një nuancë lapsi më të mbyllët, se sa ajo të cilën e aplikon në gjithë buzën. Pastaj, bën një kufizim në vijë të buzëve natyrale, e mbush me një nuancë më të hapur gjithë buzën, korrekton vijën e buzës së poshtme dhe të sipërme me korrektor. Kaq ishte.

Po na ofrohet sezoni pranverë-verë, cilin grim e propozoni për sezonin e ditëve të ngrohta?

Grim të freskët, të pastër, theksim i syve me një shkëlqim që hap syrin, konturim diskret, buzë të theksuara me nuanca të bukura verore.

Dhe, në fund, duhet t’ju pyesim patjetër – Cili është definicioni juaj për bukurinë?

Siç thotë Christian Dior, ndërkaq edhe unë pajtohen plotësisht, nuk ekziston diçka siç thuhet “femra të shëmtuara” – ekzistojnë vetëm ato të cilat dinë se si ta bëjnë veten më atraktive. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)