LAJMI I FUNDIT:

Grabitësit e Rinasit: Paratë e bankave i humbëm në bixhoz

Grabitësit e Rinasit: Paratë e bankave i humbëm në bixhoz

Ish-efektivi i forcave komando në Shqipëri, Neim Avdulaj, pretendon se paratë e fituara nga grabitja  në Qafë Kashar-Rinas i ka humbur në kazino.

Në deklarimet e dhëna para hetuesve, Avdulaj tha se paratë që fitonte në formën e shpërblimit për dhënien e informacionit i ka harxhuar në lojra fati. Edhe ditën e arrrestimit, ai u prangos para një kazinoje në Vlorë.


Në dëshminë e tij, ai thotë se rreth 300 mijë euro i ka harxhuar në kazino, shumë kjo që ka pretenduar se e ka fituar nga dhënia e informacionit për grabitësit e rrugës Qafë Kashar-Rinas.

Nga ana tjetër, edhe Admir Çerpja i cili ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka sqaruar se një pjesë të parave që ka fituar i ka harxhuar në lojra fati.

Ai ka sqaruar para hetuesve, se ishte ai që ka bërë prezantimin e Dash Kupës me Neim Avdulajn, pasi ky i fundit po kërkonte njerëz që të grabisnin mjetet e transportit të parave të bankës. Sipas Çerpjas, fillimisht Avdulaj kishte menduar të godiste vetë mjetet e transportit, pasi masat e sigurisë ishin nën nivelin minimal.

Por më pas, kishte kërkuar njerëz që të bënin grabitjen dhe ai t’i furnizonte me informacione, ashtu edhe siç ndodhi më vonë. Për marrjen e informacionit për lëvizjen e mjeteve, Avdulaj kishte organizuar Fatjon Xhyliun, Ditjon Memlikajn dhe tashmë të penduarin e bandës, Admir Çerpija.

Ky i fundit, ka treguar se për vëzhgimin e dhjetorit të 2015-s, ku u bë grabitja e parë e eksportës së shoqërimit të parave të bankës, ka përfituar në formë shpërblimi 70 mijë paund, në prerje të vogla. Këto para, ka thënë Çerpja më pas i ka shpenzuar në bixhoz dhe në investime në shtëpinë e tyre në lagjen Bathore në Tiranë.

Për dy grabitjet e ndodhura në rrugën Qafë Kashar-Rinas, tashmë janë arrestuar 4 të dyshuarit për dhënien e informacionit, 2 të dyshuar si pjesëmarrës në grabitje dhe Admir Murataj që tashmë është shpallur në kërkim. Edhe pse janë vjedhur rreth 7 milionë euro në dy grabitjet e ndodhura në rrugën Qafë Kashar –Rinas, policia ka arritur të gjejë rreth 300 mijë euro, shkruan Abcnews.