LAJMI I FUNDIT:

GMK më 15 qershor sjellë ekspozitën “Histori personale përmes pikave”

GMK më 15 qershor sjellë ekspozitën “Histori personale përmes pikave”

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës më 15 qershor 2017në ora 19:00, bëhet hapja e ekspozitës së radhës e titulluar “Histori personale përmes pikave” e piktores Valbona Karabaxhaku Dërdovski.

Kjo ekspozitë përmban punime të realizuara në një teknikë të veçantë, e cila njihet si “arti aborigjen” dhe punohet me shkopinj shumë të hollë për të formuar pika prej më të voglave deri te ato më të mëdha.

Arti aborigjin me pika, në historinë e artit botëror njihet si pjesë unike dhe integrale e artit vizual. Ngjyrat janë prej dheu si e kuqe, okër, e verdhë dhe e zezë dhe përbëjnë katër ngjyrat kryesore të këtij lloj arti i cili origjinën e ka tek vendësit australian.

Kuratorja e ekspozitës, Arbana Hajredinaj, shprehet se arti aborigjin me pika si teknikë është mjaftë e vështirë.

“Nuancat e ngjyrave nuk radhiten sipas koloritit por ato formësojnë dhe harmonizohen përmes ngjyrave të ndryshme [….] dhe këtë harmonizim të kontrastit Valbona Karabaxhaku Dërdovski e bën shkëlqyeshëm”, vazhdon tutje, Hajredinaj.

Valbona Karabaxhaku Dërdovski vjen nga Prizreni. Ka mbaruar studimet e larta në Turqi, gjithashtu shkollën për piano dhe violinë. Për më shumë se dy dekada është marrë edhe me artin e stilistes.

Ekspozita financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.

Ndryshe, me këtë ekspozitë e cila do të qëndroj e hapur një muaj, Galeria e Ministrisë së Kulturës përmbyll pjesën e parë të programit artistik për vitin 2017.