LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Speciale e gatshme të nisë punën brenda shtatë ditësh

Gjykata Speciale e gatshme të nisë punën brenda shtatë ditësh

(E plotësuar) Gjykata Speciale për krime lufte do të jetë e gatshme për punë brenda shtatë ditësh, përfshirë edhe trajtimin e rasteve gjyqësore.

Fillimi i punës së kësaj gjykate e njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special, është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave me Kushtetutën e Kosovës.

Tani, thuhet se varet nga Gjykata Speciale se kur do të iniciojë aktakuzat e para.

Selia e Gjykatës është në Hagë të Holandës, kurse përbërja e saj është nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja, Ekaterina Trendafilova ka deklaruar se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Së pari, vendimi i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese garanton se Rregullorja përfshinë standardet më të larta të të drejtave të njeriut. Së dyti, me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara mundësojnë një sistem të fortë për mbrojtjen e individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procedura para Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar Trendafilova.

Së treti, sipas saj, me hyrjen në fuqi të Rregullores, pas shtatë ditësh nga dita e sotme (28 qershor) “nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”.

Pas shqyrtimit të Rregullave të Rishikuara të miratuara nga Plenarja, Gjykata konstatoi se ato ishin në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës.

Rregullat të cilat nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, pamundësuan deri më tani procedurat e posaçme hetimore ndaj personave, përfshirë edhe masat tjera, deri te paraburgimi.

Në prill të vitit 2017 ishte vlerësuar se nëntë nga 208 rregullat e dokumentit mbi të cilin funksionon kjo gjykatë nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, kështu që ndërkohë erdhi deri te plotësimi dhe harmonizimi i tyre.

Rregullorja e Procedurës dhe Provave u miratua në mars të vitit 2017 në seancën plenare të gjyqtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate.

Ky dokument parasheh mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe personave të tjerë në rrezik për shkak të dëshmisë apo bashkëpunim me Dhomat e Specializuara.

Gjykata Speciale ka nxitur debate të ashpra në Kosovë, këto dy vitet e fundit. Përderisa një pjesë e spektrit politik e konsideron atë të padrejtë dhe të njëanshme, pasi që do të hetojë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, pjesa tjetër e spektrit që ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese për punën e kësaj Gjykate, ka vlerësuar se me gjykimet që priten, nuk atakohet lufta e UÇK-së por individët.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, tashmë në largim, ka ndarë mbi 1. 5 milionë euro në buxhetin e këtij viti, për t’u ofruar ndihmë juridike dhe financiare personave që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Kjo shumë, sipas Qeverisë, është ndarë në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale.

Sipas këtij ligji, të gjithë personat që mund të akuzohen kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Përveç kësaj mbështetjeje financiare, ligji i siguron edhe anëtarët e ngushtë të familjes të personave të akuzuar për krimet e pretenduara, përfshirë këtu edhe shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës.

Analistët politikë, kanë paralajmëruar se Kosova mund të përballet me situata të paparashikueshme, për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori