LAJMI I FUNDIT:

Gjykata e Tenderëve shqyrton tenderin tre-milionësh të KEK-ut

Gjykata e Tenderëve shqyrton tenderin tre-milionësh të KEK-ut

Në faqen zyrtare të Organit Shqyrtues të Prokurimi (OShP) është publikuar ankesa lidhur me tenderin “Modernizimi i Fushave në Kullën Ftohëse nl.A4”. Në ankesën e publikuar, operatori ekonomik ankues pretendon se ndërmarrja publike KEK nuk e ka respektuar Ligjin për Prokurim Publik.

KEK-u e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “Ekoinvest” & “Reko Praha”, të cilët kishin ofertuar një çmim prej tre milionë e 357 mijë eurove (3,357,191.82 €).


Në ankesën e operatorit ekonomik të dorëzuar në OShP thuhet se KEK-u nuk ia ka miratuar pikat e ankesës në shkallën e parë.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për “Gazetën Jeta në Kosovë” thotë se ky aktivitet i prokurimit është pezulluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Autoriteti kontraktues – KEK, tregon arsyen e refuzimit të ankesave dhe pezullimit të këtij aktiviteti të prokurimit.

“Kërkesat për rishqyrtim janë shqyrtuar nga autoriteti kontraktues dhe të njëjtat janë refuzuar si të pabazuara. Një operator ekonomik ka parashtruar ankesë në OSHP me dt.08.02.2017. Si rrjedhojë, komplet dokumentacioni tenderues do të dorëzohet në OSHP konform afateve te parapara me Ligjin e Prokurimit Publik”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Në këtë tender kanë aplikuar katër kompani, ndërsa vetëm njëra prej tyre ka qenë e përgjegjshme.

“Gazeta JnK” e ka siguruar edhe raportin e komisionit vlerësues të KEK-ut për rishqyrtimin e tenderit.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim e operatorit ekonomik, konzorciumit “FANS-BUSSINES PRO, lidhur me tenderin “Modernizimi i Fushave në Kullën Ftohëse bl. A14” me numër të prokurimit KEKC-16-114-511”, thuhet në vendim e komisionit të KEK-ut.

Sipas dokumentit, konstatimi i zyrtarit përgjegjës të prokurimit është se operatori ekonomik nuk ka ofruar dëshmi që kundërshtojnë vendimin e autoritetit kontraktues.

“KEKC-16-114-511 ka gjetur se operatori ekonomik në ankesën e tij nuk ka ofruar prova që dëshmojnë se vendimi i marrë është i drejtë dhe i bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, prandaj nuk paraqet bazë të duhur për ndryshime në vendimin e marrë me 16.01.2017”, thuhet në vendim e KEK-ut.

Në dokument, komisioni profesional për vlerësim kishte thënë se autoriteti kontraktues në një rast nuk kishte kërkuar zgjatjen e vlefshmërisë së ofertave, por operatorët ekonomikë nuk kanë pasur vërejtje.

“Gjatë kryerjes së kësaj procedure të prokurimit është kërkuar disa herë zgjatja e vlefshmërisë të ofertave dhe është e vërtetë që në një rast nuk është kërkuar vazhdimi i vlefshmërisë para datës së skadimit, por ka qenë një heqje e paqëllimshme dhe në këtë rast operatorët ekonomikë janë trajtuar si të barabartë, sepse të gjithëve u është dërguar vlefshmëria në të njëjtën kohë. Operatorët ekonomikë nuk kanë bërë vërejtje në atë kohë dhe kanë vazhduar vlefshmërinë e ofertës”, thuhet në vendimin e KEK-ut si përgjigje ndaj pikave të ankesës së konzorciumit ankues.

Por, operatori ankues pretendon se zvarritja e procesit ishte e qëllimshme.

Operatori ekonomik është ankuar në Gjykatën e Tenderëve për këtë proces të prokurimit duke pretenduar që KEK-u ka bërë disa shkelje ligjore gjatë procedurave të prokurimit. OSHP-ja i ka caktuar dy ekspertë për shqyrtimin e ankesës së operatorit, një ekspert shqyrtues dhe një teknik.

Operatori ankues kishte ofertuar më lirë se ai i rekomanduar për kontratë, mirëpo i njëjti ishte eliminuar.

Me raportin e ekspertizës nuk është pajtuar operatori ekonomik ankues. Pas mospajtimeve nga operatori ekonomik, Gjykata e Tenderëve është e obliguar që të bëjë shqyrtimin e kësaj ankesë nga Paneli Shqyrtues në një seancë të veçantë. /kallxo.com/