0Shares

Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka arritur që në periudhën e parë të vitit t’i mbështesë në forma të ndryshme mbi 800 fermerë në kultura të ndryshme bujqësore, ka thënë të martën në konferencën me gazetarë, drejtori i këtij resori, Ramiz Ramadani.

Ramadani ka thënë se politika qeverisëse me mbështetje të fuqishme të kryetarit Lutfi Haziri, ka bërë që bujqësia e Gjilanit të ndryshoj, duke pretenduar që gjatë këtij viti të shënojnë një rritje në krahasim me vitin e kaluar, sa i përket investimeve në sektorin e bujqësisë.

“Këtë vit kanë aplikuar 979 fermerë për subvencionet e Ministrisë përkatëse. Stafi i Drejtorisë, me të gjitha kapacitetet që ka, është duke punuar në mbështetjen e fermerëve, informimin, trajnimin dhe përgatitjen e tyre që kultura bujqësore me të cilën ata merren të jetë e bereqetshme”, ka thënë.

Ramadani ka thënë se Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me USAID-in përmes programit Agro dhe në bashkëpunim me ndërmarrjen “Calabria”, këtë vit ka ngritur 50 hektarë me vishnje, varietete hungareze të cilësisë ekstra që presim rendimente të konsiderueshme gjatë të ardhmes.

Ai, gjithashtu, ka thënë se rendimentet e vishnjës do të jenë me një treg të siguruar përmes kontratave që do të nënshkruhen me fermerët prodhues për një periudhë 15 vjeçare.

Drejtori Ramadani ka përmendur subvencionimin e mbjelljeve pranverore ku kanë përfituar rreth 400 fermerë, pastaj projekti i furnizimit me foli plastike, ku kanë përfituar 325 fermerë, është bërë kompensimi i dëmeve për 100 fermerë dhe mbështetje tjetër në forma të ndryshme për një numër shumë të madh të fermerëve gjilanas.

Ai ka bërë të ditur se në fund të majit hapet tregu i prodhimeve vendore, ku 15 shtande do të vendosen në qytet.

Sa i përket pyjeve të komunës së Gjilanit, drejtori Ramadani, ka thënë se janë shqiptuar 156 fletëparaqitje, prej të cilave 121 për kundërvajtje, 21 penale dhe 14 për transport. Gjithashtu, siç ka bërë të ditur ai, janë 10 raste të konfiskimit të masës drusore me rreth 25 metra kub.

Sa i përket prerjes së masës drusore është caktuar zona kadastrale në Zhegoc për një sasi prej mbi një mijë e 600 metra kub dru. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)