LAJMI I FUNDIT:

Gjakova e kënaqur me investimet e KEDS-it më 2016, pret projekte të reja

Gjakova e kënaqur me investimet e KEDS-it më 2016, pret projekte të reja

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka përgëzuar KEDS-in për projektet investive që kjo kompani ka shtrirë gjatë vitit 2016, në rajonin e Gjakovës.
Kusari Lila, duke folur për këto investime ka çmuar lartë bashkëpunimin korrekt të KEDS-it me institucionet komunale të Gjakovës, gjithnjë bazuar në faktet nëpër terren, ku është parë se ky rajon ka nevojë për projekte investive të kësaj kompanie.

“Vlerësimet për bashkëpunimin e komunës së Gjakovës me KEDS-in, do të thoja janë tejet pozitive, për faktin se kjo kompani gjatë vitit 2016 ka arritur të krijojë një sërë investimesh të cilat kanë ndikuar ose pritet të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e furnizimit dhe stabilizimin e energjisë elektrike në shumë lokacione të komunës sonë”, thotë kryetarja Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka potencuar edhe rajonet të cilat KEDS-i i ka parë me prioritet e që sipas komunës së Gjakovës, që herët kanë qenë të identifikuara si rajone me prioritet për investime të tilla.

“Vlen të përmenden projektet që janë në proces, siç është projekti për ndërtimin dhe rregullimin e disa trafostacioneve: që janë trafo stacioni numër 3, trafo stacioni në lagjen “Kolonia”, trafo stacioni “Blinda” e të tjerë”, ka thënë Kusari-Lila.

E para e Gjakovës ka përmendur edhe investimet në largpërçues, siç është ai në fshatin Ponoshec, që do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e furnizimit dhe ngritjen e cilësisë së energjisë elektrike.

“Mund të them po ashtu se gjatë vitit 2016 KEDS-i ka investuar edhe në zhvendosjen e tensionit të lartë nga shtyllat e vjetra të drurit në shtylla moderne të betonit. Investime të tilla kanë ndodhur në fshatin Damjan, Ramamat, Moglicë, Cermian, Devë, Brekoc, Korenicë, Morinë, Smolicë e të tjera. Rregullimi vetëm i këtyre largpërçuesve është një investim që përgjatë vitit 2016 ka kapur vlerën e rreth 130 mijë euro”, thekson kryetarja e Gjakovës Kusari-Lila.

Kusari-Lila më tej ka shprehur bindjen e plotë se investime të tilla, për Gjakovën nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS do të pasojnë edhe gjatë vitit 2017. Ajo këtu i referohet nevojave të mëdha të popullatës, respektivisht ekonomive familjare në këtë komunë si dhe planit investiv që KEDS e ka paraqitur.

“Bazuar në atë që është bërë deri me tani dhe duke u bazuar në bashkëpunimin e deritashëm në mes të komunës sonë dhe KEDS-it, me të drejtë presim që investimet e KEDS-it në komunën e Gjakovës nuk do të ndalen, por përkundrazi ato do të shtohen në vitin 2017 dhe në vitet tjera pasuese. Një gjë e tillë është e domosdoshme për banorët e komunës sonë, të cilët kanë nevojë imediate që të kenë qasje të sigurt dhe stabile në energjinë elektrike”, përfundon Mimoza Kusari-Lila.

Se investimet në Gjakovë do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti e konfirmon edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
“Master plani është miratuar dhe patjetër se Komuna e Gjakovës sikur deri më tani dhe i tërë ky rajon këtu bënë pjesë. Pra flasim për master plan në nivel të vendit”, deklaron Buzhala.

Ndryshe KEDS-i në këto anë është duke vazhduar me projektin afatgjatë të zhvendosjes së furnizimit të energjisë elektrike nga shtyllat e vjetra në shtylla të reja në shumë lokacione të komunës së Gjakovës. /Telegrafi/