LAJMI I FUNDIT:

Garë çiklizmi për të ndihmuar foshnjat

Garë çiklizmi për të ndihmuar foshnjat

Çiklistë lokal organizojnë ngjarjen “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” për të katërtin vit me radhë në ndihmë të “Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.”

Sfida edhe për këtë vit do të jetë çiklizmi rreth e rreth Kosovës për tre ditë duke u nisur nga Prishtina për në Gjilan, Ferizaj, Prevallë, Prizren, Gjakovë, Valbonë, Junik, Pejë, e deri në kthimin në Prishtinë në një rrugëtim prej mbi 500 kilometrash me mbi 5000 metra ngjitje.

“Këtë sfidë po e bëjmë për të mbledhur fonde për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë me qëllim të blerjes së një pajisje të analizës së gjakut për foshnjat në klinikën e Neonatologjisë në Pejë”, u shpreh Albion Hadri, njëri nga organizatorët e ngjarjes.

“Kjo pajisje është e domosdoshme për të bërë analizat e gjakut tek foshnjat direkt në inkubator dhe jo jashtë klinikës, e që rrjedhimisht shpëton jetë fëmijësh”, ka thënë Hadri.

Agim Bilalli, organizator dhe çiklist ftoi qytetarët të bëhen pjesë e fushatës duke  ndihmuar në mënyra të ndryshme.

“Shpërndani fushatën online me shoqërinë tuaj në rrjete sociale, jepni edhe ju mbështetjen financiare për të ndihmuar foshnjat, ftoni palë të interesit që të dhurojnë mbështetje financiare dhe të marrin pjesë në ngjarjen përmbyllëse. Fushata është aktive në platformën më të re në Kosovë të quajtur KosovaIdeas, përmes vegzës http://kosovaideas.net/campaign/detail/305”, bën thirrje Bilalli.

Çiklistët do të nisin rrugëtimin e tyre më 2 qershor nga Lulu’s Coffee and Wine dhe kthehen të dielën më 4 qershor.

“Një ngjarje përmbyllëse do të mbahet në De Rada duke filluar nga ora 19:00, në të dielën mbrëma të 4 qershorit, që përfshin argëtim, muzikë, ushqim dhe aktiviteteve të ndryshme për familjarë”, thuhet në njoftim.