LAJMI I FUNDIT:

G7-ta mbështet zhvillimin e automjeteve autonome

G7-ta mbështet zhvillimin e automjeteve autonome

Vendet e G7-tës u angazhuan të enjten për të identifikuar dhe hequr pengesat e mundshme ligjore që pengojnë zhvillimin e pilotimit autonom të automjeteve.

Ministrat e transporteve të vendeve më të pasura të botës, të mbledhura që prej të mërkurës në Kaliari të Sardenjës, pranojnë mundësinë e jashtëzakonshme të përparimeve teknologjike në infrastruktura dhe automjete që mund të sjellë pilotimi automatik.

“Këto përparime mund të përmirësojnë sigurinë rrugore dhe qarkullimin që respekton mjedisin, por gjithashtu të sjellë zgjidhje të reja për transportet”, theksojnë ministrat, duke kërkuar që këto teknologji të jenë të aksesueshme për personat e moshuar, me aftësi të kufizuara apo invalidë.

“Paralelisht, shumë çështje të rëndësishme ligjore dhe etike duhet ende të zgjidhen, si çështja e dëmshpërblimeve në rast aksidenti”, thuhet në këtë komunikatë.

Ministrat e Transporteve të SHBA-ve, Gjermanisë, Japonisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Francës u mblodhën të mërkurën dhe të enjten për të diskutuar për rolin social të infrastrukturave, por gjithashtu edhe për këto automjete të lidhura në rrjet dhe autonome.