LAJMI I FUNDIT:

G20 duhet të bëjë atë që është e vetëkuptueshme

G20 duhet të bëjë atë që është e vetëkuptueshme
-->

“Të formësosh një botë të futur në rrjet”. Kjo është motoja e presidencës gjermane të G20. Simbol për këtë është nyja kryq nga teknika e lundrimit, në të cilën kavot që mbajnë anijen kryqëzohen për të mbajtur njëra-tjetrën. Një simbol mjaft i përshtatshëm.

Qeveria gjermane me kryesimin e formacionit G20 ka qëllime të mëdha me synim që globalizimi të bëhet i dobishëm, të arrihet qendrueshmëria në ekonomi dhe në raport me natyrën, të parandalohen konfliktet dhe të luftohet varfëria. Ndokujt kjo mund t’i duket shumë e guximshme dhe shumë e madhe. Por ku tjetër mund të vendosen objektiva të tilla, nëse jo në formacionin G20, grupi i vendeve më të industrializuara dhe vendeve në ekspansion ekonomik, që së bashku përbëjnë dy të tretat e popullsisë botërore dhe 85% të produktit social botëror?

“Të formësosh një botë të futur në rrjet” në dëgjim të parë duket banale. Natyrisht, bota është e lidhur në rrjet dhe natyrisht politika vazhdimisht përpiqet ta formësojë atë. Por në këto kohë kjo shprehje nuk është më e vetëkuptueshme. Zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së dhe gjithçka, që ai ka thënë qysh atëherë, është një mohim i formësimit pozitiv të një bote në rrjet. Duke iu referuar politikës së tij tregtare, asaj ndaj aleancës dhe migracionit madje mund të thuash, se vetë Trump do që ta kufizojë këtë rrjet.

Pjesëmarrësit në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të G20-ës në Bon pothuajse pa përjashtim u përqendruan tek paraqitja e ministrit të Jashtëm të SHBA-së Rex Tillerson. Me theksin e tij tek “vlerat dhe interesat amerikane” për fat të keq Tillerson e refuzoi multilateralizmin. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, edhe ky i ri në këtë post, në të kundërt tha, se: “Të gjithë që e kanë marrë fjalën këtu, janë shprehur për bashkëpunimin multilateral.” Çështjes nëse këtu bën pjesë edhe Tillerson Gabriel iu shmang. Diplomacia e kërkon që të mos demaskosh. Por, mesazhi ishte i qartë.

Gabriel, dikur i njohur për kapërcime e shprehje të papeshuara mirë, e kreu mirë detyrën si organizator i takimit në Bon. Mendimin për sigurinë vetëm në kategorinë ushtarake ai e konfrontoi me një koncept më të gjerë për sigurinë në kohën tonë me kriza, i cili përfshin edhe kujdesin përmes një politike të mençur zhvillimi dhe klime, si një projekt kundër administratës së Trumpit.

Tillersonit në Bon dhe Trumpit në Uashington duket se nuk u ka bërë përshtypje takimi i G20-ës. Por pala amerikane gjatë këtyre dy ditëve sërish e nxorri veten jashtë fushës, p.sh. në politikën e saj ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov edhe pas bisedimeve me Tillersonin në Bon nuk e ka të qartë më, se cili është qendrimi i udhëheqjes amerikane: një herë flitet për afrim prej Donald Trumpit dhe Rex Tillersonit, që konsiderohen sikur kanë mirëkuptim për Moskën, e më pas Trump i kërkon Rusisë t’ia kthejë Krimenë Ukrainës. Nëse është ky objektivi, atëherë duhej të ishim thuajse të lehtësuar sa i përket aftësisë për të nxënë. Por kjo mund të ketë të bëjë edhe me vazhdimin e një kursi të paparashikueshëm manovrimi.

Pjesa tjetër më e madhe e G20-ës sidoqoftë duhet të jetë e gëzuar, që me Gjermaninë si kryesuese në kohë të paparashikueshme, të paktën drejtimin e ka një vend bindës, ndonëse mundësitë janë të kufizuara. Motoja “të formësosh një botë të futur në rrjet” ndonëse duket si e vetëkuptueshme, sot ka më vlerë se kurrë më parë.