LAJMI I FUNDIT:

Frakturat osteoporotike të shtyllës kurrizore

Frakturat osteoporotike të shtyllës kurrizore

Osteoporoza është një sëmundje sistemike skeletore e karakterizuar nga densiteti i ulët i kockave me minerale dhe dëmtim i mikroarkitekturës së eshtrave me një rritje të ndjeshmërisë së tyre për thyerje

Dr. Nexhmedin Duriqi – Ortoped
Kirurg spinal
tel. +37744 233 485, Prishtinë
nex68@yahoo.com; dr.duriqi@gmail.com

Përafërsisht 10% e të gjithë popullsisë kanë osteoporozën. Tek femrat (gratë) më e shprehur është në periudhën postmenopauzale. Osteoporoza është e pranishëm në çdo të dytën grua dhe tek çdo të tetin mashkull më të vjetër se 50 vjet.

Thyerjet më të shpeshta të eshtrave për shkak të osteoporozës janë thyerjet e unazave të boshtit kurrizor e më tepër atyre lumbale (të mesit).

Shumë pacientë në moshë të vjetër ndonjëherë ndjejnë dhembje shumë të papritur e të rëndë në shpinë dhe, me të drejtë, mund të dyshojnë se këto dhembje janë të lidhura ose të shkaktuara nga thyerje e unazave te shpinës.

Dhembjet:

Dhembjet tek frakturat osteoporotike janë në formë gjarpëruese dhe zakonisht janë akute, të menjëhershme dhe paraqiten sidomos gjatë ndonjë rrëzimi të lehtë, gjatë lëvizjeve të pakontrolluara të trupit, por mund të paraqiten edhe pa pasur fare traumë.

Këto dhembje nuk janë gjithnjë për shkak të osteoporozës, por mund të jenë edhe për shkak të ndonjë ndryshimi, tendosjeje muskulore përgjatë shtyllës kurrizore apo ndonjë sëmundjeje tjetër, andaj vënia e diagnozës ka rëndësi të madhe se me çfarë problem kemi të bëjmë.

Frakturat osteoporotike mund të jenë të shkallëve të ndryshme me ose pa komprimim të medulles spinale si dhe me ose pa ngushtim të hapësirës së kanalit spinal. Me kohë, këto fraktura japin edhe gibus apo shtrembërim të shtyllës kurrizore.

Mund të jetë e thyer vetëm një unazë, por mund të jenë edhe dy ose edhe më shumë në të njëjtën kohë. Nëse frakturat janë të shkallëve të renda e që shkaktojnë ngushtim të kanalit spinal, mund të përcillen me probleme me këmbë (ecje), ndërsa në disa raste edhe probleme me frymëmarrje.

Diagnoza:

Diagnoza e frakturave osteoporotike të shpinës bëhet në bazë të ekzaminimit klinik, ndjeshmërisë palpatore në nivel të unazës së thyer, dhembjeve gjatë lëvizjeve të trupit, gjatë uljes dhe ecjes, ekzaminimit radiologjik, Rtg të thjeshtë në dy drejtime, Ct dhe MRI së tërë shtyllës kurrizore. Duhet cekur se rëndësi ka edhe ekzaminimi i fortësisë kockore që bëhet në bazë të DEXA (densitometria kockore), që ka rëndësi për tretmanin afatgjatë si preventivë ashtu edhe terapeutike.

Mjekimi:

Mjekimi, së pari fillohet me analgjetik, miorelaksant, terapi fizikale, protektor kockor, Ibandronate, qoftë nëpër gojë, qoftë nëpërmjet rrugëve intravenoze, si dhe përdorimin e Korsetit të posaçëm për frakturat osteoporotike.

Procedurë tjetër e trajtimit është edhe trajtimi invaziv kirurgjik – aplikimi i cementit në mënyrë të posaçme në trupin e unazës së thyer – Vertebroplastika dhe Kifoplastika.

Procedurat e Kifo dhe vertebroplastikës është procedurë intervente që zgjatë përafërsisht 45 minuta, ku nëpërmjet të gjilpërave specifike arrihet në trupin e unazës së thyer injektohet cementi e që ka për qëllim pengimin e kollabimit të unazës së thyer.

Procedura e tillë mund të aplikohet edhe tek tumoret e ndryshëm metastatik të shtyllës kurrizore e që kanë atakuar trupin e unazave. Pacienti është i lëvizshëm vetëm disa orë pas aplikimit të kësaj procedure. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori