0Shares

Azgan Haklaj

Gjuha, territori, historia e kultura janë elementët bazikë që e identifikojnë shtetin-komb, apo shtetin nacional sipas përkufizimit perëndimor.

Kongresi i Manastirit ka meritën historike pasi krijoi alfabetin shqip dhe e identifikoi Shqipërinë para Evropës dhe botës si një komb kulturor. Me zgjedhjen e shkronjave latine, korifenjtë e kulturës kombëtare i treguan Perëndimit se Shqipëria është një popull me kulturë e histori thellësisht evropiane dhe se janë fara dhe rrënja e qytetërimit evropian. Ata dëshmuan se orientimi i tyre kulturor dhe politik drejt vlerave të civilizimit perëndimor është jo vetëm domosdoshmëri ekzistenciale, por dhe mënyra më e sigurt për t’u shkëputur përgjithmonë nga kthetrat e Perandorisë Otomane dhe të asaj Ruso-Sllave.

Gjuha, si simbol themelor i një populli, është faktor kohezioni vetëm atëherë kur ajo shërben për unifikimin e të gjitha teksteve, që nga Abetarja e deri te literatura universitare e ajo akademike. Një tekst i Abetares për të gjithë fëmijët në hapësirën etnike shqiptare është alfa e betejës për ta bërë sistemin arsimor mbarëkombëtar, një gur themeli dhe premisë të sigurt për të ardhmen e brezave që vijnë.

Kuvendi famëmadh i Arbrit i vitit 1703, i mbledhur nën kujdesin e Papës shqiptar Klementi Xl Albani, është jo vetëm djepi i Rilindjes Kombëtare, por është interpret i dëshirës së flaktë të arbërorëve për t’i mbrojtur gjuhën dhe kulturën e vendit të tyre. Hapja e seminareve dhe kolegjeve në zona të ndryshme me vendim të Kuvendit historik të Arbrit, ku mësimi jepej shqip dhe me tekste të unifikuara, na tregon jo vetëm mashtrimin trashanik e kriminal që historiografia komuniste e dirigjuar nga qarqet antishqiptare sllavo-greke ka bërë për moshën e gjuhës shqipe, por edhe diçka tjetër themelore, kujtesën tonë historike dhe se jemi tre shekuj prapa së vëni në jetë projektin e stërgjyshërve tanë.

Një sistem i unifikuar i gjuhës e shkollës shqipe do të thotë që fëmijët, nxënësit dhe studentët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, të kenë në duart e tyre një tekst mësimor, të kenë të drejta e kritere të njëjta për të hyrë në universitetet tona dhe diploma të barasvlershme në të gjithë hapësirën shqiptare. Njësoj, si për universitetet publike, ashtu edhe për ato private. Kualifikimet pasuniversitare, doktoraturat e gradat shkencore duhet të jepen sipas një sistemi të njësuar nacional.

Bashkimi shpirtëror i kombit, me një projekt nacional i paraprin bashkimit politik dhe ekonomik. Ai përgatit terrenin dhe shërben si gur themel të shtetit-komb. Trashëgimia kulturore dhe historike janë një e të pandara për të gjitha trojet etnike ku banojnë shqiptarët. Këtë na e tregojnë më së miri folklori, etnografia, e së fundmi historia e arkeologjia e epokës ilire, parakristiane dhe e mesjetës së hershme.

Dëshmi të pakundërshtueshme, historike dhe shkencore, tregojnë se të parët tanë kanë pasur jo vetëm homogjenitet për sa u takon gjuhës, mënyrës së jetesës, riteve, dokeve e zakoneve të dalluara qartë nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, por dhe një civilizim të shkallës më të lartë.

Shqiptarët ndodhen sot përballë kërcënimit serioz të kuartetit antishqiptar Moskë-Ankara-Beograd-Athinë. Në këto qendra përpunohen taktikat e hartohen strategjitë për të groposur njëherë e përgjithmonë kulturën e vjetër shqiptare dhe kujtesën tonë historike. Shkatërrimi apo tjetërsimi i monumenteve të lashta dhe autentike shqiptare, duke përfshirë edhe ato të kultit, përpjekja për të përvetësuar figura të shquara iliro-dardano-arbërore dhe për t’i etiketuar ato si sllavo-greke, e së fundmi edhe përpjekja donkishoteske për t’u marrë shqiptarëve Eposin Kombëtar, trashëgiminë ilire, Gjergj Kastriotin, Migjenin apo Nënë Terezën, vërtetojnë katërcipërisht këtë teoremë. Këto fakte dëshmojnë se, siç jemi të ndarë në pesë shtete me qeveri të paafta e të korruptuara, me akademi të shkencave që flenë gjumë, akoma nuk e kemi krijuar – nëse shprehemi në gjuhën ushtarake – mburojën raketore kundër armiqve tanë historikë.

Ka 15 vite që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, si institucioni më i rëndësishëm i kulturës kombëtare shqiptare, vepron në të gjithë hapësirën etnike të kombit shqiptar për të promovuar artin tradicional, folkun, këngën, vallen, etnografinë si pasaportë autentike, si ADN-në e kombit tonë. Festivalet kombëtare, spektaklet, koncertet tematiko-patriotike janë organizuar nën moton: “Një komb – një kulturë – një gjuhë- një flamur – një histori – një atdhe”, dhe së fundmi në Plavë e Guci: “Një komb – një shtet”. Këto manifestime janë kthyer në referendume artistiko-qytetare dhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar është laborator i platformës së unifikimit të kulturës kombëtare, e pa diskutim mund të quhet “Parlamenti shpirtëror i kombit”.

Ky konstatim më vjen natyrshëm për shkak se është i shtrirë me aktivitete të rëndësishme në mbarë hapësirën shqiptare dhe se ka si lidership ajkën e artit shqiptar. Mesazhet e tij kanë qenë domethënëse për kohën dhe iu kanë paraprirë zhvillimeve politike. Mesazhet e artit janë të fuqishme dhe futen aty ku nuk futen dot politika dhe diplomacia. Kombi ynë nuk përcaktohet te kombet dinastike apo kombet politike, por te kombet etno-kulturore, prandaj jetëgjatësia dhe shpëtimi nga asimilimi gjatë sagës së gjatë i dedikohet kulturës sonë. Nëse i referohemi historisë së bashkimit të Gjermanisë, aspak më shumë nuk ka kontribut Bismarku sesa Gëte për realizimin e ëndrrës së popujve gjermanikë.

Profeti Muhamed na mëson se “Jetëgjatësia e një populli varet nga jetëgjatësia e trashëgimisë shpirtërore të tij”. Nëse qindra-mijëra artistë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar i bien kryq e tërthor atdheut me diplomaci artistike e art diplomatiko-politik, ashtu si Shën Pali i Ilirikumit për të përhapur ‘Ungjillin’ e kulturës sonë kombëtare, qeveritarët e ministrat e korruptuar, me anë të marionetave të tyre t’i mbyllin dyert kur iu paraqet projekte madhore të kulturës kombëtare të kuvendeve të këngëve, të valleve shqipe. Ata shkojnë më tej, duke u bërë barrikada e parë për të dëmtuar e asfiksuar trashëgiminë kulturore. Projektet kombëtare, festivalet folklorike dhe strategjia afatgjatë për të zbuluar e promovuar breza të rinj artistësh kërkon bashkëveprim mes qeverive shqiptare dhe mbështetje financiare e logjistike.

Ka më shumë se një dekadë e gjysmë që është shembur muri mes shqiptarëve dhe asnjë festival kombëtar i folklorit i mbështetur nga qeveritë e Prishtinës dhe të Tiranës nuk është bërë, e me gjasa as nuk mendohet të zhvillohet në Prizren apo Prishtinë, për të mos folur për Shkupin, Mitrovicën, Preshevën apo Ulqinin. Këto treva të shquara kulturore e historike të kombit tonë kanë të drejtë të ngrenë pyetjet: Përse Shqipëria nënë na sheh me syrin e njerkës? Çfarë bën qeveria e Kosovës? Cilat janë frytet e takimeve pompoze dhe ‘sfilatat’ qeveritare Tiranë-Prishtinë? A ka diplomaci kulturore mbarëkombëtare? Është paradoksal fakti që Shqipëria, një nga vendet me trashëgimi kulturore ndër më të pasurat e të vjetrit e Evropës, (krahas asaj greko-romake), ka buxhetin më të ulët në kontinent në raport me XHDP-në për kulturën e vet kombëtare.

Hap tjetër i rëndësishëm i platformës së shtetit-komb është hapësira e lirë ekonomike, krijimi i komunuellthit ekonomik shqiptar. Politika të unifikuara të zhvillimit, të sigurisë kombëtare dhe të diplomacisë. Akoma me barriera doganore, me politika reciprociteti, në kufirin shqiptaro-shqiptar. Mendoni kur princ Dhimitri i shtetit të Arbrit 800 vjet më parë bënte tregti të lirë me Raguzën dhe i merrte në mbrojtje në territorin e vet. Kjo ka ndodhur dhe dy shekuj më vonë me Gjon Kastriotin dhe djemtë e tij, të cilët u zotoheshin venedikasve se do t’i mbronin dhe do të paguanin çdo dëm që pësonin në territorin e tyre. Një komunuellth shqiptar ekonomik duhet t’u japë garanci bashkëkombësve se nuk do t’u shfaqet si makth trau i doganave apo taksimi i dyfishtë.

Hapësira e lirë ekonomike, për të dhënë frytet e saj kërkon në radhë të parë lëvizjen e shpejtë të mallrave e shërbime me shpejtësi në hapësirën panshqiptare. Kjo ndodh vetëm atëherë kur të financohen projektet e mëdha të infrastrukturës: Rruga e Arbrit, Korridori Adriatik-Alpe, lidhja e porteve shqiptare me rrjetin hekurudhor të Kosovës, një rrjet i unifikuar i energjisë. Këto janë investimet strategjike pa të cilat shqiptarët nuk mund të pretendojnë të hedhin bazat ekonomike. Siguria kombëtare e diplomacia e përbashkët janë pjesë e rëndësishme e platformës së shtetit-komb.

Përtej sloganit: “Një komb – një qëndrim”, qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës duhet ta kuptojnë se FSK dhe ato të ushtrisë në Shqipëri duhet të trajtohen njësoj, të shkollohen në një akademi e me një program të vetëm. Të kenë të njëjtin sistem gradash dhe të njëjtën strategji të përbashkët në luftën kundër terrorizmit apo kundër rreziqeve që vijnë në mbarë hapësirën etnike shqiptare nga fqinjët shovinistë. Politika e jashtme ka qenë nyja gordiane e shtetit shqiptar për 100 vjet. Çlirimi i Kosovës ka sjellë një realitet të ri, të cilin u detyra ta njohë edhe presidenti serb Vuçiç. Është koha ta presim me shpatën e drejtësisë këtë nyje të djallit.

Shqiptarët duhet t’i flasin botës me një gjuhë. Diplomacia duhet të jetë mbarëkombëtare. Shqiptarët, nga komb etno-kulturor, duhet të bëhen komb politik. Ka ardhur koha që ata të kenë shtetin-komb. Një mik i madh i shqiptarëve, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, William Wolker, në 20-vjetorin e spektaklit ‘Mirë se vini në Alpe’ dhe në festivalin e dytë kombëtar ‘Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon’ tha: “Unë nuk i ndaj shqiptarët në të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Çamërisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës; shqiptarët janë një dhe kanë një flamur”.

Po e mbyll këtë opinion timin duke apostrofuar faktin se këto manifestime kulturoro-artistike u organizuan nga shoqata “Alpet Shqiptare”, shoqata “Maja e Karafilit”, me mbështetjen e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në trojet e Ali Pashë Gucisë dhe të Jakup Ferrit, në Vuthaj, Plavë e Guci në datat 30-31 korrik dhe 1 gusht 2017.

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)