LAJMI I FUNDIT:

Ferronikeli nuk do të bankrotojë asnjëherë

Ferronikeli nuk do të bankrotojë asnjëherë

Gjiganti metalurgjik, Ferronikeli, nuk do të bankrotojë asnjëherë dhe institucionet e Kosovës do t’i japin përkrahje të fuqishme çdo investitori.

Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një vizite që i bëri gjigandit tha kryetari i Kuvendit Kadri Veseli gjatë vizitës që bëri në Ferronikel, ku u takua me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje.

“Jemi gjithë të lumtur që Ferronikeli punon me kapacitete të plota përsëri. Vetëm dy muaj e gjysmë përpara, dikush ka menduar që Ferronikeli do të bankrotoj. Ferronikeli nuk do të bankrotoj asnjëherë. Do të punojmë që institucionet e Republikës së Kosovës, do t’i japin përkrahje të fuqishme çdo investitori të huaj i cili vjen dhe investon në Kosovë. Presim nga menaxhmenti i kompanisë, nga investitori i huaj, që të zgjerojë kapacitetet e veta prodhuese, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e punës së punëtoreve të cilët punojnë dhe të përmirësohet veçanërisht fusha ambientale”, tha ai.

Vesli tha se ka përmirësime shume të mëdha në vënien e filtrave, por në të njëjtën kohë kërkoi të mendohet edhe për mbeturinat dhe mineralet të cilat janë ende aty. Janë pikërisht këto mbetje të cilat emitojnë grimca toksike për të cilat menaxhmenti ka dhënë zotimin se shumë shpejtë do të përfundojnë punë me to.

I pari i Kuvendit, njëherit shef i PDK-së, në kohën kur po zhvillohet dita e fundit e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Drenasit, në këtë komunë ku ndodhet edhe Ferronikeli, tha se pret që gjiganti metalurgjik të zgjerohet. Zgjerimi i Ferronikelit do të thotë prodhim më shumë për eksport, por në të njëjtën kohë edhe punësim të më shumë personave nga rajoni i Drenasit, ka thënë Kadri Veseli.

Nga ana tjetër, kandidati i PDK së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se pas 4 dhjetorit si kryetar i Komunës ai do t’i jap Ferronikelit mbështetje dhe do të bashkëpunojë ngushtë më menaxhmentin e saj.

“Unë si kryetar mbas 4 dhjetorit iu premtova se do tua jap gjithë mbështetjen time dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me menaxhmentin, sepse është interes i vet qytetit të Drenasit. Normal që do ta kemi mbikëqyrjen e lirimit të gazrave sidomos të këtyre grimcave të metalta. Ne do të kërkojmë të marrin masa. Por një fushë e rëndësishme që është bashkë më Ministrinë dhe Komisionin Evropian do ta implementojmë ngrohjen qendrore, ku do të kemi një bashkëpunim me Ferronikelin, sepse ujin e ngrohtë do ta marrim nga Ferronikeli për qytetin e Drenasit”, tha Lladrovci.

Ndërsa punëtorët e Ferronikelit thanë se janë të kënaqur pas rikthimit të këtij gjigandi.

Musa Tahiri, përgjegjës në këtë ndërmarrje, tha se prodhimi po shkonë shumë mirë dhe po përmirësohen kushtet e funksionimit të mëtejmë.

“Ne e vlerësojmë mjaftë mirë dhe e falënderojmë krye parlamentarin Veseli për vizitën dhe gjithashtu për ndihmën qe na ka dhënë për ristartimin e Ferronikelit. Kushtet janë mjafte te mira prodhimi po shkon mjaft mirë dhe po përmirësohemi”, tha Tahiri.

Një tjetër nga të punësuarit në Ferronikel, Ferid Jashari, tha se rikthimi i punës në Ferronikel premton edhe ndikim pozitiv jo vetëm për ndërmarrjen por edhe për vendin në përgjithësi.

“Me të vërtetë rikthimi I punës dukshëm ka ndikuar në radhë të parë në klimën e punëtorëve. Për këtë falënderojmë menaxhmentin dhe kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë që ne bashkëpunim me menaxhmentit ka zgjidh problemet që kanë lyp zgjidhje. Me një fjalë jemi të kënaqur me rifillimin e punës dhe po shpresojmë që dhe pas rifillimit nënshkruarja e kontratës do të ndikojë pozitivisht dhe për kompaninë dhe për Kosovën si shtet”, tha punëtori Jashari. /