0Shares

Është pa diskutim njëra ndër aktoret më të dashura për publikun. Ajo ka fituar simpatinë e të gjithëve me rolet e saj në projekte të ndryshme filmike, gjersa roli i saj karizmatik në “O Sa Mirë”, duket të jetë ai, i cili ka goditur më shumë tek publiku.

Aktorja e njohur Adriana Matoshi vjen në një intervistë për Telegrafin për të rrëfyer më të rejat e saj në jetë dhe karrierë. Vetëm pak javë më parë, ajo u nderua me çmimin “Filmbërësja më e mirë e vitit” në Pri Film Fest, ndërsa vazhdon të jetë gjithnjë e freskët për publikun.

Përveç aktrimit, Adriana e ‘mbizotëron’ mirë jetën e saj si një nënë e katër fëmijëve, e përkushtuar maksimalisht ndaj tyre, si dhe gjithashtu si një sipërmarrëse e suksesshme në qytetin e saj të lindjes. Për gjithçka rreth vetes së saj, Adriana flet vet në intervistën në vazhdim…

Adriana, jeni ndër aktoret më aktive për momentin. Na trego pak me cilat angazhime po merreni së fundmi?

Sapo kam përfunduar xhirimet e një filmi të metrazhit të gjatë, tani këto ditë duhet të qëndroj “stand by”, të filloj me xhirimet e një filmi tjetër! Për shkak të disa mediave jashtë Kosovës, nuk duhet t’i bëj publike!

Ky vit ka qenë me shumë punë për ty, posaçërisht në “O Sa Mirë”. Na rrëfe pak eksperiencën tënde në serial?

E vërtetë, jo vetëm ky vit, por në tri vitet e fundit unë kam qenë tejet e angazhuar në projekte të mëdha filmike, e gjithashtu prej shtatorit të vitit të kaluar edhe në serialin “O Sa Mirë”. Kam pasur shumë eksperienca nga më të mirat, por të punosh në serial është si qershia mbi tortë, edhe lodhje e ngarkesë, po në të njëjtën kohë është kënaqësi dhe argëtim.

Sa ka qenë e vështirë të transmetosh një person si “Sasa”?

Nuk ka rol të lehtë, e aq më pak një personazh që nuk ka të bëjë aspak me karakterin tënd, po duke iu falënderuar skenaristit dhe regjisorit, unë kam arritur që ta kem një rol që po pëlqehet në masë.

A e ka Adriana buzëqeshjen, lumturinë dhe dashurinë për njerëzit sikur “Sasa” në serial, apo është më e mbyllur dhe e ftohtë në jetën reale?

Në jetën reale jam shume pozitive, e dashur, dhe e sinqertë. Unë kam shumë shoqëri edhe fale karakterit që kam, ata më duan shumë dhe jam shumë e lumtur me gjithçka që më rrethon.

Me cilët nga kolegët e serialit keni krijuar më shumë afrimitet, dhe a do jeni pjesë edhe e sezonit të ri, të “O Sa Mirë”?

Me të gjithë ,me Arjolen ((Xhbanen) edhe Arten (Xhesikën) pak më shumë, duke mos e harruar edhe Olta Dakun që e kam shumë zemër.

“Martesa”, “Rooftop Serenata” dhe “Pranverë e paharruar, në një fshat të harruar” janë tri projektet kinematografike e të cilave ke qenë pjesë këtë vit. Në cilin prej tyre e ke gjetur veten më mirë, ose thënë më sakt cilin rol e ke luajtur më me qejf?

Janë tri projekte të mëdha që kam pasur hapësirë me tregu vetën si aktore, “T’padashtun (Rooftop Senata)” sivjet ka pasur premierën në festivalin e madh ‘Karlovy Vary’, ku është pritur jashtëzakonisht mirë, e “Martesa” dhe “Pranverë e paharruar në një fshat të harruar” pritet t’i kenë premierat sivjet!

Keni hapur edhe një shkollë arti në Gjilan. Na thuaj pak si po ju ecën puna atje, dhe sa jeni e angazhuar me fëmijët?

Shkolla e artit “Homa Studio” është një ide e kahmotshme e imja, në bashkëpunim me kolegun tim regjisor, kemi vendosë me mjete tona, pa ndihmë, të krijojmë diçka të bukur bashkë me fëmijët shumë të talentuar të Gjilanit, jam e lumtur që kemi nis një rrugëtim me ambicie shumë të mëdha.

Jeni gjithashtu nënë e katër fëmijëve. Sa angazhohesh me ta, dhe si ndjehen fëmijër ku shohin nënën e tyre në TV apo teatër?

Është shumë e vështirë vetëm kur e mendon si numër, duhet shumë njerëz për rreth me të ndihmu për me qenë komod, secilin prej tyre, i falënderoj prindërit e mi për angazhimin e tyre, por edhe veten si nënë që momentet e lira gjithmonë jam pranë tyre duke iu falur vetëm dashuri.

A ka shprehur ndonjëri nga ta dëshirën për tu bërë aktor njëlloj si ëma?

Vajza ime Kaona, ka ndoshta më shume filma se unë… !

Një ditë e zakonshme e Adrianës, si nis? Si vazhdon dhe ku mbaron?

Varet sa flej edhe ku me zë nata, në xhirime, punë (kafiteri), e di që sapo i çel sytë e falënderoj Zotin edhe për një mundësi dhe vazhdoj ditën me ‘Bismilah’!

Keni realizuar kohë më parë edhe një set fotografik, në të cilën erdhët pak më provokuese. Sa jeni e lidhur me fotografinë?

Gjithmonë e kam dashtë fotografinë, edhe kam shume foto edhe kur kam qenë më e vogël, kam foto të tilla edhe do të vazhdoj të bëj ende, fotografitë e mia më shumë shihen artistike, se sa provokative!

Çka i duhet artit të Kosovë që të ecë edhe më shumë përpara?

Mendoj se i duhet shumë, por më së shumti i nevojiten njerëzit profesionistë.

Thënia juaj e jetës?

“Mos e humb besimin në Zot”.

Adriana, faleminderit shumë që ishe me ne në këtë intervistë. Diçka për fund…

Faleminderit dhe juve. Shëndet! /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)