LAJMI I FUNDIT:

Fakte për sklerozën multiple

Fakte për sklerozën multiple

Skleroza Multiple (SM), është sëmundje autoimune, që atakon sistemin nervor qendror (truri dhe palca kurrizore).

Prof. ass. dr. Sci Afrim Blyta, neuropsikiatër

Normalisht sistemi imun e mbron organizmin nga faktorët e jashtëm si viruset, bakteret dhe tjera, ose faktorët e brendshëm si qelizat tumorale. Në rastin me SM, sistemi imun sulmon fijet nervore të veta.

Nervat i përçojnë impulset elektrike nëpër pjesë të ndryshme të trupit tonë.
Sistemi nervor përbëhet prej qelizave nervore, të quajtura neurone. Çdo neuron, është i mbështjellë me mbështjellësin, të quajtur mielinë. Mbështjellësi i mielinës, e mundëson përcjelljen e shpejtë të impulseve përgjatë fijes nervore.

Në SM, sistemi imun, atakon mbështjellësin e fijes nervore, mielinën, duke e dëmtuar atë.
Fija nervore pa mielinë, përçon impulsin me shpejtësi shumë të vogël, ose nëse fija nervore dëmtohet plotësisht, nuk ka fare pëlqim impulsesh. Kjo prodhon simptoma dhe shenja të ndryshme të SM.

Simptomat e zakonshme të SM, mund të jenë:
* Çrregullimin e shikimit; dhembje të gjymtyrëve; të mpira të gjymtyrëve; vështirësi në koordinim; dobësim të muskujve, të përcjellë me shtangie; lodhje; çrregullime të disponimit; çrregullime njohëse (konjitive); çrregullime në jashtëqitje dhe përmjerrje (urinim)

Shkaku i vërtetë i SM, nuk dihet.
Sido që të jetë, këta faktorë të poshtëshënuar, mund të ndikojnë në paraqitjen e sëmundjes:
* Faktorët e ambientit (klima, ndotjet,etj).
* Faktorët infektiv (bakteret,viruset, etj).
* Faktorët gjenetik.

Secili mund të sëmuret nga SM.
Dy deri në tre herë më tepër sëmuren femrat se meshkujt. Sëmundja fillon zakonisht në moshën 20 deri 30 vjeç. Në gjithë botën diku rreth 2.5 milionë njerëz vuajnë nga SM. Në Kosove, llogaritet që janë diku 1.000 deri 1.200 pacientë me SM.

Janë 4 forma të SM:

1. Me keqësime dhe përmirësime. 2. Parësore progresive. 3. Dytësore progresive. 4. Progresive me keqësime.

Forma me keqësime dhe përmirësime, është forma me e zakonshme me SM.
Rreth 85% e te sëmurëve ne fillim diagnostikohen me këtë formë. Të sëmurët kanë përkeqësime të pa pritura dhe klinikisht të qarta, të quajtura si ataqe. Këto përkeqësime paraqesin përkeqësimin e funksionit të trurit. Zakonisht pas kësaj kemi qetësim të plotë, ose të pjesshëm të sëmundjes.

Terapia duhet të filloi sa më herët që është e mundur.
Shumë studime kanë treguar se dëmtimi i përhershëm i fijeve nervore, mund të ndodhë në fazat e hershme te sëmundjes. Duke i kufizuar lëndimet mund të pengohet pa aftësia e përhershme fizike në të ardhmen për shumë të sëmurë. Deri tani njihen 3 lloje të medikamenteve të cilat e ndryshojnë ecurinë e sëmundjes: Interferoni beta, Antitrupat monoklonale dhe Glatirameri

Vështirësitë në të pamur.

Disa gjëra që mund t’i bëni:
* Përdorni telefon ose celular me numra më të mëdhenj.
* Përdorni dritë përforcuese në tavolinën tuaj të punës, ose kompjuter.
* Vendos shenja në frigorifer me shkronja të mëdha.
* Përdorni organizues të gjësendeve të vogla, në mënyrë që t’i gjeni më lehtë.

Dobësimi i forcës muskulore.

Gjërat që mund t’i bëni:
* Filloni një program të ushtrimeve, që të forcon fuqinë dhe fleksibilitetin.
* Përdorni mjete ndihmëse, në mënyrë që të lëvizni me lirshëm si: mbështetëse, bastun (shkop), skuter (trotinet), patanica, e nëse ka nevoje ka nevojë edhe karrige lëvizëse.

Dhembja.

Gjërat që mund t’i bëni:
* Filloni terapinë fizikale, në mënyrë që të mësoni ushtrimet për përforcim dhe mënyrat të parandaloni mbi ngarkimin e muskujve. Pyeteni mjekun e Juaj, për medikamente eventuale.

Vështirësitë në jashtëqitje dhe përmjerrje (urinim).

Gjërat që mund t’i bëni për jashtëqitje:
* Pini se paku 6-8 gota ujë në ditë.
* Shtoni sa më shumë fije (fibra) bimore (pemë dhe perime) në ushqim sa më shumë që keni mundësi.
* Bëhuni sa më aktiv që mundeni.

Gjërat që mund t’i bëni për përmjerrje (urinim)

* Pini së paku 6-8 gota ujë në ditë.
* Pini lëng të manaferrave ose mjedrave.
* Shmanguni nga kafeina.
* Përdorni mjete higjienike (pampersa) sa herë që është e nevojshme (në rast të pamundësisë së përdorimit të tualetit .
* Planifikoni paraprakisht, mësohuni ku janë tualetet në ambientet ku jeni.

Vështirësitë në koordinim dhe baraspeshim.

Gjërat që mund t’i bëni:
* Ushtrimet e aerobikut ( të ecurit).
* Ushtrimet e tërheqjes së muskujve.
* Terapia fizikale.
* Përdorni mjete mbështetëse dhe ndihmëse (shoka dhe të tjera).

Lodhja.

Gjërat që mund t’i bëni:
* Flini sa me shumë të mundeni gjatë natës, dhe pushoni gjatë ditës.
* I bëni gjërat gjatë paradites.
* Përqendrohuni në një detyre që të kurseni energjinë.
* Shmangeni të nxehtit dhe të freskoheni sa më shumë.
* Reduktoni stresin.

Çrregullimet njohëse.

Gjërat që mund t’i bëni:
* Krijoni rutinë të përditshme, në mënyrë që të mbani në mend më lehtë.
* Mbani ditar me caktim të termineve përkujtues, dhe me regjistër. Përdorni mekanizma elektronik për numra telefonik dhe adresa, mbani dokumente të rëndësishme dhe gjësende tjera në një vend që lehtë mund të ju kujtohet.
* Bëni një pushim te shkurtër nëse e ndieni veten të humbur ose trulluar.
* Mbani një sens për humor- pak shaka do ju mbajë një kohë të gjatë.

Ndryshimet e disponimit.

Bisedoni me mjekun tuaj, për medikamente dhe këshillim. Duke ju bashkangjitur grupeve për vet ndihmëse (vet mbështetje), fitoni nga përvoja dhe fuqia e të sëmurëve tjerë nga SM.

Jeta intime.

Është vështirë ndonjëherë të flitet për vështirësi seksuale të shoqëruara tek SM. Vështirësia seksuale është ankesë e cila mund të ndihmohet me këshillim apo medikamente. Por, më e rëndësishmja, përpiquni të komunikoni në mënyrë sa më të sinqertë që mundeni me partnerin tuaj.

10 mite, keqkuptime për sklerozën multiple

Kur ballafaqohemi për herë të parë me Sklerozën Multiple, si pacient, familjarë ose edhe si qytetar, shumë shpesh ballafaqohemi me shumë mite, keqkuptime, keqinterpretime ose gjysmë të vërteta që për pasojë kanë dëshpërimin, pesimizmin dhe dekurajimin.

1. Skleroza Multiple, është sëmundje qe trashëgohet dhe përcillet në gjenerata të ardhshme.

E vërteta:
Skleroza Multiple (SM), nuk është sëmundje trashëguese në kuptim të ngushtë së fjalës. Binjakët një vezor prej të cilëve njëri ka Sklerozen Multiple, i kanë të gjitha gjenet e njëjta, por shumë shpesh sëmundja nuk manifestohet tek binjaku.
Ndikimi i faktorëve ambiental, si industrializimi, infeksionet me viruse ose edhe faktori klimatik kanë rol me rëndësi në paraqitjen e sëmundjes.

2. Skleroza Multiple, pa shenja dhe simptoma të sëmundjes nuk duhet të trajtohet.

E vërteta:
Hulumtimet na konfirmojnë se SM, mund të dëmtojë fijet nervore katër herë më tepër se në vitet 5-10 pas fillimit të sëmundjes. Në një studim tjetër, në 85 % të personave të cilët kanë një episod që ngjason në atak të SM, do zhvillohet sëmundja brenda 2 viteve nëse nuk trajtohet. Fillimi i trajtimit të SM, menjëherë pas diagnostikimin, me medikamente që e ndryshojnë ecurinë e sëmundjes (DMT), mundet në mënyrë sinjifikante, të ngadalësoj dhe të vonojë zhvillimin e mëtejmë të sëmundjes duke i rralluar përkeqësimet eventuale dhe duke e zvogëluar intensitetin e tyre në rast të paraqitjes.

3. Skleroza Multiple, është sëmundje fatale, vdekjeprurëse.

E vërteta:
SM, nuk konsiderohet sëmundje vdekjeprurëse. Jetëgjatësia e te sëmurëve nga MS, është e ngjashme me jetëgjatësinë e njerëzve të tjerë.

4. Skleroza Multiple, përfundon me karrige lëvizëse, pa aftësi fizike.

E vërteta:
Terapia e sotme parandaluese e zvogëlon intensitetin dhe frekuencën e përkeqësimeve duke e shtyrë paaftësinë fizike. Sot 3/4 e të gjithë të sëmurëve nga SM janë të lëvizshëm duke mos pasur nevojë për karrige lëvizëse ose mjete tjera ndihmese.

5. Skleroza Multiple, mund të tejkalohet nga fuqia e vullnetit.

E vërteta:
Fuqia e vullnetit dhe mendimi pozitiv mund të japin kahun pozitiv, por nuk mund të zëvendësojnë trajtimin me medikamente.

6. Skleroza Multiple, mund të shërohet me dieta speciale.

E vërteta:
Dietat e ndryshme nuk kanë efekt të posaçëm në ecurinë e sëmundjes, ndërsa mos marrja e ushqimeve të vlefshme mund të shkaktoj dëm të madh. Udhëzimet për ushqim këshillojnë që të konsumohen sa më tepër pemëe, perime, fije (fibra) bimore, ushqim proteinik e më pak yndyra të ngopura. Peshku i detit, vajrat bimore e sidomos i ullirit, i misrit ose i lulediellit, që kanë në përmbajtje yndyra të pangopura, rekomandohen të jenë pjesë e dietës të SM.

7. Skleroza Multiple, shpie deri në papunësi.

E vërteta:
Varësisht nga puna dhe gjendja e sëmundjes, të sëmurit në disa raste kanë nevojë të ri­aranzhojnë punën e tyre, duke iu përshtatur orarit të ri, vëllimit të punës ose edhe bile të ndërrojnë punën për një mjekim më të lehtë.

8. Skleroza Multiple e përjashton të qenët prind.

E vërteta:
Çdo person i cili ka SM mund të jetë prind, faktori vendimtar është vetëm dëshira e tyre që të kenë fëmijë. Femra me SM, mund të lind fëmijë të shëndoshë, dhe vet lindja nuk ka efekt të dëmshëm për shëndetin e nënës. Sipas disa të dhënave menjëherë, disa muaj pas lindjes, ekziston mundësia e përkeqësimit të lehtë, i cili zakonisht nuk zgjatë shumë.
Gjatë periudhës së shtatzënisë, është e domosdoshme ndërprerja e marrjes së disa medikamenteve që mund të kenë efekt negativ në frytin.

9. Skleroza Multiple, është sëmundje që shpenzon muskujt

E vërteta:
Skleroza Multiple, karakterizohet me zhveshjen e fijeve nervore në sistemin nervor qendror (truri dhe palca kurrizor), të cilat kontrollojnë lëvizjet e muskujve. Në këtë situatë, impulsi përçohet shumë më ngadalë dhe si pasojë e saj, vije deri te zvogëlimi i forcës së muskujve dhe dobësimi i tyre, e kurrsesi deri tek shpenzimi, zvogëlimi apo atrofimi i muskujve.

10. Tek Skleroza Multiple, ndalohet aktiviteti fizik.

E vërteta:
Sporti dhe ushtrimi, jo vetëm që i lejohen të sëmurëve, por janë pjesë e trajtimit bashkëkohor të këtij problemi, duke përmirësuar kapacitetin fizik të pacientit, dhe së bashku me terapinë fizikale mund të ndihmojnë në qetësimin e dhembjeve dhe gërrqeve .
Aktiviteti fizik, e redukton stresin dhe po ashtu, ka funksion social duke promovuar raportet ndër personale. Disa persona provojnë jogën dhe metoda të tjera relaksimi. Noti, çiklizmi e sidomos kalërimi, janë aktivitete shumë të përshtatshme për Sklerozën Multiple. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Tetë mënyra efektive për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit në kushte shtëpie

Shëndetësi
Kalo në kategori