LAJMI I FUNDIT:

Fakte për patologjinë e vonesës

Pse nuk do të ketë monopol në sektorin e furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe çka në të vërtetë nënkupton për konsumatorin liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, pas vitit 2015.

Është manipuluar shumë deri më tash me fakte dhe keqinterpretime për sektorin e energjisë në vend. Dhe ajo që është më brengosëse dhe serioze, është se këto keqinterpretime dhe manipulime janë duke u stërholluar në detaje, ashtu siç ndodhi në takimin e fundit të Forumit 2015, me pjesëtarët e shoqërisë civile dhe liderët e ish liderët e energjetikës.


Por, për çfarë qëllimi keqinterpretohet? Pahiri, për të krijuar konfuzion tek opinioni publik, nga mosdija për sektorin, apo për të thithur fonde nga grupet e interesit dhe lobuesit energjetik. Faktet dhe argumentet që po përdoren nga pjesëtarë të shoqërisë civile, nuk mund të konsiderohen tjetër përpos jokompetente për ekspertët e energjisë dhe lidershipin e këtij sektori. E sidomos, nëse punimet, raportet dhe librat e shoqërisë, si kjo e fundit e titulluar “Patologjia e një vonese”, shkruhen më herët dhe pa u konsultuar me ekspertë kompetent të sektorit, dhe se edhe kur komentohen nga këta ekspertë, komentet dhe argumentet e tyre mbesin në ajër dhe nuk merren parasysh, sepse librat tashmë janë shtypur nga shoqëria civile dhe se me gjasë nuk ka fonde shtesë për ti rishtypur, bashkë me faktet reale, kredibile dhe kompetente nga terreni.

Të fillojmë nga e para

Janë obligimet e Kosovës që vijnë nga Traktati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, që me fjalë tjera është obligimi që kemi marrë në rrugën drejt integrimeve evropiane. Këto obligime nënkuptojnë reforma të thella e të vështira për sektorin, deri te transformimi i gjithë sistemit dhe sektorit të energjetikës. Po ashtu, jo gjithherë këto reforma të obligueshme për ne, janë të popullarizuara për qytetarin e zakonshëm, përderisa kundërshtimi i këtyre reformave qoftë nga politika qoftë nga shoqëria civile, është edhe kundërshtim ndaj integrimeve evropiane dhe kjo duhet të jetë e qartë.

Strategjia dhe ndikimi i huaj

Në raportin “Patologjia e një vonese” të përpiluar nga Forumi 2015 me pjesëtarë të shoqërisë ka interpretime të paqëndrueshme. Thuhet se Strategjia e Energ¬jisë për periudhën 2009/18, është strategji e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndikim te madh nga këshilltarët e huaj, duke mos potencuar në raport se nga vjen kjo informatë dhe kush paska ndikuar?

Mendoj se përgjegjësia qëndron te njerëzit që kanë marrë përgjegjësinë dhe jo nga ata këshilltarë të huaj që këshillojnë, sepse ka kaluar koha, kur i marrim përgjegjësitë, marrim vendime dhe gjithmonë thirremi se po na shtynë dikush nga jashtë. Ky argument është tejkaluar dhe ka tendencë që ekspertizën ta vë në nivele të ndikimeve gjeopolitike që duken atraktive fillimisht, por që në thelb ngërthejnë servilizëm dhe jo profesionalizëm, ashtu si dhe fshehje të marrjes së përgjegjësisë që na takon.

Këtë e theksoj sepse jo të gjithë u ndikuan, e theksoj për hatër të atyre që kur nuk u pajtuan, nuk nënshkruan, e as nuk u thanë publikisht se më shtyri dikush nga jashtë. Fundja, Strategjia e Energjisë 2009/18 është votuar nga Kuvendi i Kosovës dhe pasqyron këtë legjitimitet. Dhe vetëm ky Kuvend mund ta ndryshojë atë, nëse paraqitet nevoja.

Monopoli dhe privatizimet

Çështja e privatizimit të monopoleve është bërë gogol për publikun e gjerë dhe po përsëritet shpesh duke menduar se është një fakt i fortë nga kundërshtarët politikë, ashtu edhe nga shoqëria civile që janë kundër disa proceseve në energjetikë. E njëjta u përsëritë edhe në raportin e Forumit 2015, ku thuhet se mënyra e privatizimit lejon të krijohet monopol i plotë në sektorin e furnizimit të energjisë elektrike. Pse ky konkludim nuk qëndron.

Liberalizimi i tregut është obligim ndaj traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe integrimeve evropiane. Andaj zotimi është që ky liberalizim i plote i tregut, te furnizuesit e energjisë elektrike, do të bëhet në vitin 2015.

Fakti qëndron se privatizimi i furnizuesit publik nuk ka kurrë farë ndikimi në pengimin e liberalizimit të tregut. Sipas legjislacionit të vendit, furnizuesi publik, është funksion që do ushtrohet vetëm nga një kompani si shërbyes publik. Ndërsa, është me rëndësi të veçantë të ceket se vetëm Furnizuesi Publik, është furnizues i cili i ka çmimet e rregulluara të energjisë elektrike.

Ndërsa, pas vitit 2015 çmimet e energjisë mund të liberalizohen, që do të thotë se nuk do të ketë tarifa fikse të përcaktuara paraprakisht nga ZRrE, përveç çmimeve speciale për konsumatorë të vegjël, të cilët mund të zgjedhin të mbesin me furnizuesin publik, ose të zgjedhin furnizues në tregun e lirë të energjisë.

Pra, mund të ketë numër të pakufizuar të furnizuesve që konkurrojnë në tregun kosovar, me kusht që të pajisen me licenca nga rregullatori. Të licencuarit duhet te respektojnë obligimet qe dalin nga licenca, por nuk do ti kenë çmimet e rregulluara të energjisë elektrike nga ZRrE, sepse kjo është çështje e tregut të lirë.

Modeli i Shqipërisë dhe Kosovës

Është manipuluar shumë me modelin e privatizimit të distribucionit në Shqipëri, me deklarata pompoze nga shumë pjesëtarë nga politika dhe shoqëria civile. Ndërsa, modeli i privatizimit në Kosovë është esencialisht i ndryshëm dhe nuk fërkon me atë të Shqipërisë. Andaj edhe krahasimet në raportin e Forumit 2015 janë dëshpëruese.

Janë bërë raporte e analiza pa u lexuar dokumentet e transaksionit në procesin e privatizimit të distribucionit në Kosovë, dhe kjo më bënë të dyshoj se nuk janë lexuar as dokumentet e transaksionit të Shqipërisë. Pra vazhdohet të shkruhen raporte sipërfaqësore që nuk janë te thukëta dhe shtrembërojnë faktet reale, që vetëm dëmtojnë proceset dhe dezinformojnë publikun.

Për të deklaruar se të dy modelet janë ose jo te njëjta, duhet fokusuar dhe njohur me detaje të shumta, andaj po i përmendi shkurt duke mos dashur ta çorientojmë lexuesin me çështje teknike; si legjislacioni primar dhe sekondarë i sektorëve në Kosovë dhe Shqipëri, dizajnimin e tregut të energjisë në të dy vendet, rregullatorët e dy vendeve, dhe të njoftoheni mirë me dallimet, të cilat janë të ndryshme. Këto po e shtoj edhe kritikën për transparencë që vjen nga gjitha anët, e që nuk qenka më shumë se pompozitet deklaratash, sepse dokumentet në fjalë janë transparente dhe publike për të gjithë, por shihet se pak kush i paska lexuar.

Shtrenjtimi i energjisë dhe privatizimi

Në raport nënvizohet se praktikat e këqija nga shtetet e tjera të rajonit do të implementohen edhe në Kosovë. Për shembull, së pari do të rriten tarifat e më pas rritja e tarifave do të përkrahë financimin e investimeve, e jo anasjelltas siç do duhej të ndodhte. Kjo nuk është fare e saktë.

Së pari, privatizimi nuk ka lidhje në çmimin e energjisë. Dihet se tarifat përcaktohen nga ZRrE në bazë të kostove reale dhe aktuale, ashtu siç është e paraparë me legjislacionin kosovar.

Në bazë të këtij legjislacioni dhe metodologjisë së tarifave, te aprovuara nge bordi i ZRrE, i dalë nga Kuvendi i Kosovës, çdo kompani aplikon me planin për investim dhe plan zhvillimor në ZRrE. Gjatë aplikimit ZRrE me kujdes shqyrton, komenton dhe se fundi aprovon, apo jo, planin e propozuar për investime.

Rregulli ekonomik është që çdo investim ka ndikim ne tarifa, por jo ashtu si është prezantuar në raport. Investimet ndikojnë në tarifa pas realizimit të tyre, do te thotë ‘’ex post’’ dhe jo ‘’ex ante’’ siç shkruhet ne raport.

Për fund

Përpiluesit te raportove duhet njoftohen me detalisht me legjislacionin primar dhe sekondar të sektorit të energjisë, para se te shkruajnë raporte, dhe para se te japin konkludime dhe rekomandime që nuk qëndrojnë mbi fakte, që janë jo kredibile, dhe mund të shërbejnë vetëm për keqinformim të opinionit publik.

(Autorja është eksperte e energjisë)