LAJMI I FUNDIT:

Evitohet kriza energjetike, përkohësisht!

Evitohet kriza energjetike, përkohësisht!

Autoritetet përgjegjëse në Kosovë kanë paralajmëruar masa për evitimin e kizës energjetike.

Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Korporata ka arritur marrëveshje më dy familje të fshatit Shipitullë, zonë kjo ku është planifikuar operimi që mundëson vazhdimin e nxjerrjes se thëngjillit.


“Ky është një hap plotësues, pasi pritet që në ditët në vijim në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 21 korrik, që procedurat për marrjen e kësaj toke të përmbyllen në pjesën e parë të muajit shtator të këtij viti”, tha Gjuka.

Ishte vetë drejtori i KEK-ut, Gjuka, i cili javën e kaluar kishte paralajmëruar se Kosova brenda dy javësh mund të përballet më një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit, si lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike.

Aktualisht, KEK-u është përqendruar në shpronësimin e 52 hektarëve, me mbi 100 shtëpi në katër lagjet e fshatit Shipitullë.

Kjo zonë, për shkak të mihjeve që zhvillohen aty, në kërkim të rezervave të thëngjillit, para disa vitesh është shpallur e rrezikshme për banim, ndërsa po ashtu është shpallur zonë e interesit të veçantë ekonomik.

Disa familje janë zhvendosur, kurse disa të tjera, konkretisht katër lagjet e këtij fshati, nuk kanë pranuar procesin e shpronësimit, për shkak se kanë qenë të pakënaqur me kushtet e vlerësimit për kompensimin e tokës.

Kostoja e shpronësimit, e vendosur fillimisht ishte 4.5 milionë euro. Kurse tashme ka arritur në mbi 15 milionë euro.

Në anën tjetër, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala në mbledhjen e Qeverisë në largim të mbajtur të mërkurën, ka thënë se procesi i shpronësimit dhe zhvendosjes se banorëve të fshatit Shipitullë është vonuar për dy vite, dhe gjatë kësaj faze janë ndërtuar dhjetëra objekte ilegale në zonë të interesit.

Kurse më 21 korrik, Qeveria në largim e Kosovës ka nxjerrë vendimin me të cilin aprovon shqyrtimin e kërkesës për shpronësim.

Në anën tjetër, njohës të fushës së energjisë në Kosovë thonë se interesat personale kanë sjell probleme në procesin e shpronësimit të tokave në këto pjesë.

Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “ Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thotë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të thëngjillit që mund të ndikojë edhe në stabilitetin rajonal të energjisë.

Por, gabimet dhe keqmenaxhimi në këtë sektor ka bërë që Kosova të përballet më furnizim jostabil me energji.

“Sa i përket shpronësimit të tokave, unë besoj se ka ‘hile’ në pronësinë e tokave, pasi nuk janë pronarë të vjetër, por janë pronarë të rinj të pasluftës, të cilët e kanë hulumtuar, menduar se duhet të krijojnë probleme në mënyrë që të pasurohen në rastin e shpronësimit”.

“Qeveria e Kosovës e ka Kushtetutën, e cila nuk ka nevojë më pritë për biseda bilatrelae më familje dhe familjet të pranojnë për çështjet strategjike të zhvillimit ekonomike”, thotë Malushaj për Radion Evropa e Lirë.

Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.

Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t’u shfrytëzuar. /rel/