LAJMI I FUNDIT:

Epoka e Orwellit

Epoka e Orwellit

Rezenzion: George Orwell: An Age like this 1920 – 1940 – The Collected Essays, Journalism, and Letters (George Orwell: Një epokë si kjo 1920-1940: përmbledhje e eseve, artikujve të gazetarisë dhe letrave).

George Orwell (25 qershor 1903 – 21 janar 1950), edhe pse jetën e tij të shkurtër nuk ia dedikoi tërësisht shkrimeve, mbeti shkrimtari më i njohur që farkoi një mënyrë të veçantë të të shkruarit me të cilin krijoi ndikim të madh. Kritikët e respektuan për mendimin e tij të zëshëm dhe për afinitetin e rrallë që tregoi në të shkruar pasi që e godiste shpejt dhe drejt çështjen me të cilën merrej. Shkrimin e gazetarisë me karakter politik e ngriti në nivel të artit. Shumica e kritikëve u pajtuan se Orwelli pati personalitet të veçantë dhe shkëlqeu në çdo gjë që tha dhe shkroi.

Vepra “An age like this” (Një epokë si kjo) përmban katër volume dhe është përmbledhje e eseve, artikujve të gazetarisë dhe letrave të George Orwellit. Kjo punë është bërë nën redaktimin e gruas së tij të dytë, Sonia Orwell, dhe redaktorit Ian Angus. Volumi I apo përmbledhja e parë, në 624 faqe, përfshin periudhën nga vitit 1920 deri më 1940.

Orwell në testament kishte ‘urdhëruar’ që askush të mos i shkruante biografi. Natyrisht që ky testament është nul (i paqenë) për shumë arsye dhe njerëzit kanë shkruar përkundër dëshirës apo urdhrit të tij. Në mënyrë të zhdrejtë, Orwell e ka shkruar autobiografinë. Me siguri që (auto)biografia e tij më e mirë është botimi në fjalë. Këtu, në katër vëllime, shkrimtari gjenial, duke shkruar recensione, ese dhe duke u shkruar letra shokëve dhe njerëzve që nuk bien në këtë kategori, flet edhe për veten.

Në tregimin “Why I Write” (Pse shkruaj), Orwell flet për veten e tij duke filluar që nga vitet e para të fëmijërisë e deri në moshën e mesme me ç’rast shpjegon si dhe pse kishte vendosur të bëhej shkrimtar. Tregim (shkrim) brilant. Thjeshtësia është madhështi. Shpjegimi i jetës së tij bëhet duke u bazuar në një sinqeritet total. Orwell tregon se si kishte filluar të shkruante si fëmijë duke kopjuar punimet e shkrimtarëve të njohur. Por, në rininë e hershme e kishte kuptuar se shkrimet duhej të ishin vepra origjinale. Duke shkruar për motivet që e kanë shtyrë atë (por, edhe të tjerët) që të shkruajë, Orwell thotë: “Mendoj se janë katër motive për të shkruar. Ato ekzistojnë në shkallë të ndryshme te secili shkrimtar…”

Pastaj, duke i numëruar dhe duke i shpjeguar motivet, marrim vesh se ato janë me sa vijon:

1. Egoizmi – që vjen nga dëshira për t’u paraqitur i mençur dhe i rëndësishëm në këtë botë, e deri te dëshira për t’u kujtuar edhe pas vdekjes;

2. Entuziazmi estetik – që vjen nga perceptimet që kemi ndaj të bukurës në botën e cila na rrethon dhe për të cilën ne mendojmë se duhet ta paraqesim me fjalët siç i radhisim ne vetë;

3. Impulsi historik – që vjen nga dëshira t’i shohim gjërat ashtu siç janë apo që t’i gjejmë faktet e vërteta;

4. Qëllimi politik – që vjen nga dëshira që ta shtyjmë botën në drejtimin që dëshirojmë.

Pastaj, Orwelli bënë një interpretim dhe analizë të thellë të këtyre motiveve duke i gërshetuar me njëra tjetrën. Më së shumti rëndësi i kushton motivit të katërt, atij të qëllimit politik. Zaten, ky ka qenë segmenti me anë të cilit Orwell është bërë i pavdekshëm në letërsi dhe më gjerë. Në rini të hershme nuk ia botonin tekstet pasi që, për redaktorët mendjengushtë, Orwelli ishte diçka që nuk akceptohej, se ishte botë në vete dhe jashtë konturave të gazetarisë dhe letërsisë që njiheshin deri me ardhjen e tij. Por, gjërat ndryshuan dhe në lidhje me këtë Orwell më 1937 i shkruan mikut të tij Jack Common: ”Më duket aq afër, sikur dje, koha kur askush nuk dëshironte të botonte asgjë që shkruaja kurse tashti marr letra nga të katër anët që më pyesin nëse dëshiroj të shkruaj…”.

Nga kjo vepër shohim se Orwelli ishte eseist madhështor dhe gazetar brilant. Sidomos gazetaria e tij e veçantë kolumniste e bëri të jetë i pakrahasueshëm. Të shkruarit në formë serioze, provokative, komike, duke protestuar, denoncuar, dhe shpotitur, e bëri model për gazetarët e ardhshëm (,odel shumë i vështirë për t’iu përmbajtur).

Gjatë një periudhe të konsiderueshme kohore, Orwelli shkroi edhe recensione. Shkëlqente sidomos në recensionet që kishin të bënin me çështjet e Luftës Civile në Spanjë dhe me ato të çështjeve politike në përgjithësi. Shkroi recension, po ashtu të rëndësishëm, edhe për librin “Byron and the need for fatality” (Bajroni dhe nevoja për fatalitet) të autorit Charlesdu Bos. I tërë libri, siç shihet nga titulli, por edhe recensioni, është përqendruar në diskutimin e çështjes së incestit të Lord Byronit që kishte bërë me simotrën apo gjysmë motrën Augusta Leigh. Që të dy, pra autori i librit po edhe Orwelli, në disa momente tentojnë ta arsyetojnë këtë lloj incesti që vjen si rezultat i martesave shumë të afërta brenda familjeve aristokrate angleze me qëllim të ruajtjes së pasurisë dhe trashëgimit të titujve. Sikur të gjithë tjerët, edhe Orwelli mahnitet me Byronin i cili në botë mori epitetin e poetit sipëror me poezinë e tij ‘Childe Harold’s Pilgrimage’, me të cilën i shtyri më tej kufijtë e poezisë (inspirimin për ta shkruar, Byron e gjeti sa ishte në Shqipëri në vitin 1809).

Por, siç shohim nga ky botim, George Orwellin më së shumti e ka mahnitur politika dhe lufta. Madje, lufta e bëri aktivist politik, pamfletist dhe polemist të zjarrtë. Por, mbi të gjitha, e bëri gazetar. Orwell shkoi në Spanjë për të marrë pjesë në Luftën Civile duke pasur ndjenja të fuqishme antifashiste, por jo edhe të definuara siç duhej apo siç dëshironte ai vet t’i kishte. Nga kjo luftë ai doli si besimtar në socializëm dhe si antikapitalist, por sidomos si antistalinist e antikomunist.

Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore ia pamundësoi të vazhdonte jetën në fshat. Për shkak të shëndetit të dobët (sëmundjes së tuberkulozit), u refuzua nga shërbimi ushtarak. Prandaj, u shpërngul në Londër dhe qytete tjera ku filloi të merrej intensivisht me gazetari, ndërsa punoi edhe në BBC.

Orwell iu rrek gazetarisë edhe nga dëshira e tij që të ndryshonte gjërat në dobi të një shoqërie të ndershme dhe dinjitoze. Për shkak të pagesave të ulëta, deri më 1945 mezi dilte nga muaji në muaj. Por, kjo kohë e vështirë, e shpenzuar në gazetari, i ndihmoi shumë pasi që aty bëri ekzaminimin e ideve të veta politike të cilat i plasonte në publik. Kjo kohë i ndihmoi që të përgatitej dhe para se të vdiste t’i shkruante dy kryeveprat e mëdha botërore: ‘Ferma e Shtazëve’ dhe ‘1984’.

Letrat e botuara në këtë vëllim aspirojnë të kompletojnë një pamje solide të figurës së tij, edhe pse dihet që shumë të tilla nuk kanë mund të përfshihen në këtë botim pasi që kanë humbur. Megjithatë, madhështia e George Orwellit është kudo prezente në këto materiale që janë përfshirë në këtë përmbledhje. Ai shkëlqen në çdo faqe, në çdo rresht dhe në çdo fjalë që ka shkruar.