LAJMI I FUNDIT:

Eksporti mbulon importin me 12.4% gjatë muajit prill

Eksporti mbulon importin me 12.4% gjatë muajit prill

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill të këtij viti, ku thuhet se eksporti i mallrave gjatë kësaj muaji kishte vlerën 31,2 milionë euro, ndërsa, importi 251,8 milionë euro. Kjo sipas ASK-së është një rritje prej 35.5% për eksport dhe 0.5% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

ASK thotë se të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -3.1% në muajin prill 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 220,6 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 227,6 milionë eurosh në vitin 2016.


“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 37.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 21.7% e përbëjnë produktet minerale; 9.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.4% e përbëjnë produktet bimore; 3.2% e përbën lëkurë dhe artikuj prej saj etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.9% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8%) e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.1% e përbëjnë produktet bimore etj. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,3 milionë Euro, ose rreth 20.2% e eksporteve të përgjit hshme, me një rritje prej 4.7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (4.4%), Holanda (2.5%), Bulgaria (2.5%) dhe Austria (2.2%). Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 108,5 milionë Euro, ose 43.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.7%), Italia (6.7%), Greqia (4.4%), Polonia (2.4%) etj”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s, në muajin prill 2017, arritën në 16,6 milionë euro, ose 53.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 70.7%. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria me 15.7%, Maqedonia 14.4%, Serbia 14.4% dhe Mali i Zi 5.9%.

Sipas ASK-së, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2017, arritën në 70,8 milionë euro, ose 28.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.0%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia 13.3%, Shqipëria 6.0%, Maqedonia 5.3% dhe Bosnje e Hercegovina 3.0%.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,2 milionë euro, ose 26.4%. Ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin India me 11.8% dhe Zvicra me 7.0%.

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 72,5 milionë euro, ose 28.8%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia 10.9% dhe Kina 6.5%./Telegrafi/