LAJMI I FUNDIT:

Ekrem Kryeziu: Jeta ime, jashtë “regjisë” së të tjerëve

Ekrem Kryeziu: Jeta ime, jashtë “regjisë” së të tjerëve

Ekrem Kryeziu është epoka para gjyqit të jetës. Edhe pse në disa momente të tjerët kanë synuar t’ia imponojnë “ritmin e jetës”, regjisori dhe dramaturgu Ekrem Kryeziu ka rezistuar, ka mbetur ai që ka dashur të jetë, ndërkohë që gjatë gjithë jetës ka kërkuar “...drurin” e vërtetë që ta gdhend “figurën” përmes të cilës do t’i shpalos idetë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Artistët janë njerëz të pavdekshëm, sepse arti i tyre është i përjetshëm. Artistët nuk mund të burgosen, sepse vepra e tyre nuk njeh pranga. Artistët janë shtresa më e “syrgjynosur” e shoqërisë. Ata vuajnë fizikisht e shpirtërisht për shoqërinë, sidomos kur dihet se shoqëria në periudha të caktuara i ka trajtuar si “qenë të zgjebosur”.

Ekrem Kryeziu po ringjallet si feniksi. Ai është në vlugun e punës së tij. Po bën regjinë e dramës “Përplasjet”, me të vetmin qellim që publikut t’ia përçojë ndjeshmërinë e një krijuesi drejt golgotës kombëtare.


Regjisori dhe dramaturgu Ekrem Kryeziu ka shpalosur për lexuesit e Telegrafit një pjesë të dramës së tij jetësore – edhe si artist, edhe si njeri i tokës së Kosovës.

Profesor Ekrem, jeni regjisor e dramaturg, që keni vënë në skenë drama e keni bërë regji filmash. Po, jetës tuaj a keni arritur t’ia bëni regjinë, apo të tjerët kanë bërë “regjinë” e jetës tuaj?
Jeta ime ka qenë në duart e mia. Unë u kam qëndruar besnik ideve dhe principeve të mia. Nga ky aspekt unë ia kam bërë regjinë vetes sime, por kjo nuk do të thotë se edhe të tjerët nuk më janë “përzier” në punën time. “Regjinë” e tyre unë e kam përjetuar si një varg sfidash të cilave jam munduar t’ju bëj ballë. Me krejt qenien time i kam luftuar ato, duke dashur të mos e tradhtoj vetveten. Dhe, ia kam arritur. Jam ai që kam dashur të jem dhe nuk pendohem për asgjë që kam bërë në jetën time, pavarësisht sa më ka kushtuar kjo “kokëfortësi” imja.

A lindin artistët apo ata formohen, krijohen gjatë karrierës?
Thuhet se artistët e vërtetë lindin me flakën krijuese në ta. Por, kushtet e jashtme ndikojnë shumë që ajo flakë ose të rritet ose, në mos u shuajt, të mos e arrijë atë nivel të “zjarrtë” që në kushtet e mira do ta arrinte.

Çka e ndjeni veten më shumë: si regjisor apo si dramaturg?
Si regjisor të ideve të dramaturgut… S’mund ta ndaj njërën nga tjetra. Gjatë tërë jetës e kam kërkuar dhe e kërkoj “drurin” e vërtetë që ta gdhend “figurën” përmes të cilës do t’i shpalos idetë e mia në mënyrën më të mirë të mundshme.

Për veprimtarinë tuaj ju u burgosët. Si i përjeton artisti prangat, grilat e burgut, qelinë, gardianët…?
Krijuesi i vërtetë i një populli të burgosur nuk mund të jetë i lirë e të jetë i atij populli. Burgosjen time, për bindjet e mia politike, e kam pranuar si fat timin dhe jam munduar që edhe në ato rrethana të jam ai që jam. Prangat, grilat e burgut, qelia, gardianët s’janë gjë tjetër pos “skenografi” në të cilën kam jetuar dhe të cilën më është dashur ta tejkalojë dhe të mos thyhem. Po të thyhesha nuk do të isha as krijues e as njeri për të qenë.

Çka ka ndryshuar në jetën tuaj jeta prapa grilave?
Prapa grilave kam reflektuar për njerëzit në përgjithësi dhe individin në veçanti. Jam munduar burgun ta përjetojë si një laborator të gjallë në të cilin po njihesha me një botë paralele, me botën reale – botë që është pranë nesh dhe nuk e shohim. Kur ecim rrugës nuk mendojmë se pranë nesh mund të kalojnë vrasës, dështakë, kriminelë apo heronj… Në burg e sheh botën në gjithë vrazhdësinë dhe bukurinë e shpirtit njerëzor. Sado që kjo përvojë më ka pasuruar, nuk do të doja ta përjetoj edhe një herë.

Sa ju ka penguar në jetë koha e burgut? Jeni vonuar, keni humbur në hap me kohën apo ka ndodhë e kundërta?
Burgu m’i ka prishur shumë plane. Mua dhe popullit tim. Ç’e do, nuk qahem. Kjo ishte dhe është jeta ime. Me këtë fakt duhet ta pajtohem, sado i hidhur që të jetë. Obligimi moral dhe intelektual është që të mos dorëzohesh para sfidave, por t’i tejkalosh dhe të mësosh nga ato.

Në skenë keni vënë një numër dramash me tematika të ndryshme. “Epoka para gjyqit” ka qenë një dramë e guximshme, profesionale, por edhe patriotike…më tepër se sa një vepër artistike. Çka do të thoshit për “Epokën para gjyqit” tash, gati 30 vjet më pas?
Nuk është vepra ime më e parë… Kam botuar dhe fituar në konkurse letrare që nga viti i largët 1962, por asnjëra nga ato vepra të botuara dhe fituese të konkurseve letrare nuk ka e ka pasur namin e “Epokës…”. Kur mendoj se e kam shkruar për 12 ditë, rrëqethem…Nuk mund të besoj se është e vërtetë që një dramë si “Epoka…” mund të shkruhet për aq kohë të shkurtër (me një makinë shkrimi “Oliveti”). Kur e krahasoj shkrimin e saj me kohën e shtatë vjetëve që i kam kushtuar dramës “I biri i Rozafës”, botuar para një viti në “Jeta e re”, them se “Epokën…”e ka shkruar një shpirt i shenjtë, jo unë. Në vitin 1978, kur u shkrua “Epoka…”, unë nuk e jetoja kohën time, por isha krejt mes personaliteteve historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Po sot, sa preket tema e patriotizmit në drama. Kjo ndjenjë është zbehur apo është më e theksuar?
Është e natyrshme kjo që thoni. Sot patriotizmi duhet të artikulohet ndryshe, në frymëmarrjen e kohës sonë. Por, kurrë nuk duhet hequr dorë nga ajo që jemi dhe krijuesi i mirëfilltë duhet të tentojë ta selisë më të mirën dhe atë t’ia ofrojë botës.

Drama “Përplasjet”, që do ta vini në skenën e Teatrit Kombëtar, është paksa subjektive. Duket se reflekton përvojën tuaj në burg. Çka synoni t’i përçoni publikut me këtë shfaqje?
Vështirë është të shkruash për përvoja personale e të mos biesh në subjektivizëm të tepruar. Jam munduar të distancohem sa është e mundur si krijues, me të vetmin qëllim që publikut t’ia përçojë ndjeshmërinë e një krijuesit drejt golgotës kombëtare.

Krijimi artistik, loja artistike dhe çdo gjë që lidhet me artin, duhet të ushqehen vazhdimisht me dashuri dhe emocione të vërteta. Si e “injektoni” dhe si vjen ky emocionalitet te ju?
Jetën e shikoj syhapur dhe mendjekthjellët. Nuk i iki realitetit, pavarësisht cili është ai. Këtë ngarkesë mundohem ta injektojë, si thoni ju, në veprën time, pa gënjyer. Këtë ua them edhe studentëve të mi. Vepra mund të jetojë – pavarësisht e cilës prirje stilistike të jetë – vetëm nëse është e vërtetë. Këtë rrugë mundohem dhe do të mundohem ta ndjek edhe në të ardhmen.

Lufta ju ka tretur përtej Oqeanit, por ju jeni marrë me luftën apo e keni “tretur” luftën në film. Çka keni dashur të theksoni më shumë nga lufta në filmin tuaj?
Kam dashur t’ bëj apologji jetës. Jeta nuk mund të vritet. Vriten vetëm vrasësit e jetës, e jeta kurrë jo.

Ka pasur interpretime të ndryshme për filmin tuaj të fundit për luftën në Kosovë. Cili është komenti juaj?
Kurrë nuk i komentoj shkrimet që lidhen me veprën time. Më kujtohet një rast, kur e xhirova filmin tim të parë “Të ngujuarit”. Një “kritik” redaktor në Rilindjen e asaj kohe (1971) e organizoi një fushatë kundër filmit tim dhe kundër meje me moton: “A frikohet shqiptari?”. Nuk i jam përgjigjur asnjë sulmi. I njëjti njeri, pas 30 vitesh, tani mik imi, më takoi një ditë dhe më kërkoi falje për gjithë atë fushatë të padrejtë kundër meje. Unë qesha dhe i thash: “Vepra mirëfilltë artistike e ka një të ‘keqe’: shpesh jeton më gjatë se ata që e shajnë”. Zërat e tashëm kundër meje s’ishin zëra të kritikës, por zëra të ndonjë “artisti” apo “regjisori” që vuan nga sindroma “Rrushi i thartë – limoni i ëmbël”…

Çka ka mbetur pa u thënë për luftën, përmes artit, letërsisë, filmit?
Jeta është luftë dhe lufta është jetë. Si mund të harxhohen temat për këtë lidhje të pandërprerë të ekzistencës njerëzore. Vetëm duhet t’i ikim shablloneve ngase as jeta, as lufta, nuk mund të futen në kornizë. Lufta dhe jeta m’i ngjasojnë fraktaleve të Benoa Mandelbrotit. Ku fillon njëra, mbaron tjetra, dhe anasjelltas: ku mbaron njëra, nis tjetra.

Ku është arti dhe kultura shqiptare sot? Sa është afër edhe sa larg trendeve botërore?
Arti është pasqyrim i jetës. Thuhet me të drejt, a pa të, se: “Nga kaçuba rrallë ose kurrë del luani, por lepuri shpesh”. Ne ende jemi kaçubë, me shpresë se një ditë do të bëhemi mal.

Çka nuk keni shkruar apo çka nuk keni realizuar deri më tash në veprimtarinë tuaj letrare e artistike? Çka ëndërroni të krijoni në të ardhmen?
Sa isha në burg, nisa ta skicoj romanin “Jeta dhe vdekja”. E shkruaja, tinës rojeve, natën, nën dritën që depërtonte nga korridori nëpër grilat e ngjeshura mbi derë. Ishin këto shënime në copa letrash të nxjerra nga pakot e ushqimeve që u vinin të burgosurve nga familjaret. Shkruaja me fyshtën e lapsave kimik, të vjedhur nga gardianet. Pasi dola nga burgu nuk arrita ta përmbledhë në një vepër këtë material interesant, ngase merresha me shkrime që i referoheshin realitetit… Pastaj, shkruaja drama që i realizoja dhe, deri tash ky material ngeli i paprekur. Kohët e fundit po mundohem të gjej kohë dhe këto copëza letrash t’i hedh në kompjuter. Ky roman, si duket, do të dalë në shumë faqe, por më duhet kohë ta rrumbullakojë. Ato ngjarje, ato personazhe, po ma zënë frymën dhe po nuk i “nxjerra” jashtë meje dhe, po nuk i hodha në letër, do të ma zënë frymën. Tani titulli ka ndërruar nga “Jeta dhe vdekja” në “Baulja e axhës beg”…

Të flasim pak për politikë. A është ky shteti të cilin e kemi ëndërruar, që e kemi pritur, apo shteti për të cilin janë sakrifikuar shqiptarët?
Ëndrrat janë ëndrra e, realiteti realitet.

Si do të vepronte një artist, një njeri i kulturës sikur të ishte në krye të shtetit. Thënë më shqip, a do të korruptohej, a do të “gjunjëzohej” përballë presioneve politike – vendore e ndërkombëtare?
Pyetje shumë e vështirë… Pa hy në ujë, nuk e di çfarë është uji. Krijuesit nuk janë për politikë, ngase janë shumë të ndjeshëm. Për të qenë në krye të shtetit duhet kyçur zëmrën…Zemra është e mirë në fillim, por pasi sendërtohet shteti lypsen “koka me zemra” e jo “zemër me kokë”… Ndoshta e kam gabim, por edhe ky gabim është fryt i përsiatjeve të një krijuesi…

Ku janë shqiptarët 100 vjet pas pavarësisë, e ku do të jenë në shekullin e ardhshëm?
Shqiptarët, 100 pas vjet pas pavarësisë, janë shumë mirë, duke pas parasysh prej nga janë nisur. Mendoj se shekulli XXI do të jetë shekull i shqiptarëve.

Të flasim pak për Ekrem Kryeziun familjar. Çka ju kënaq më së shumti në familjen tuaj?
Qetësia familjare, bisedat e gjata me bashkëshorten time dhe nipat e mbesat.

Çfarë kanë arritur të marrin nga nektari juaj, trashëgimtarët tuaj?
Tash për tash, nga dhjetë nipat dhe mbesat, trashëgimtarët e mi janë në rrugë të mbarë dhe mburrem me sukseset e tyre. Kanë nisë mbarë. Rroni, Rrapi, Ermali, Era, Anyla, Dora, Rozafa janë të shkëlqyeshëm, në shkolla, fakultet dhe arenën sportive, qoftë në Kosovë e qoftë në Amerikë. Besoj se edhe ata që janë mbas tyre do ta ndjekin rrugën që vëllezërit dhe motrat e tyre e kanë nisur. Si po shihni, nuk fola për “mjaltin”, por për “mjaltin e mjaltës”…

Sa ka ndikuar në rritjen tuaj artistike bashkëshortja juaj, Resmija. Si rrjedhë jeta e dy njerëzve të artit?
Unë dhe Resmija jemi një shpirt në dy trupa. Pesëdhjetë vite jemi bashkë… Asnjë punë, asnjë vepër imja nuk do të ishte e këtillë çfarë është, po të mos ishte Resmija – dikur vajzë e re që kishte lexuar shumë, sportiste e pafrikë, sot doktor shkence. Jemi rritur së bashku dhe të dytë kemi ndikuar njëri në tjetrin. Ku nis ndikimi i Resmijes tek unë, e ku mendimi im, nuk e di. Ashtu është edhe me Resmijen…

Ne gjithnjë pyesim për moshën ose vitet e një njeriu, që në takimin e parë madje. Ka moshë njeriu?
Njeriu po. Njeriu ka moshë. Krijuesi moshë e ka veprën e tij.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Notat e lojtarëve, Man City 1-1 Real Madrid: Lunin heroi i mbretërve

Notat e lojtarëve, Man City 1-1 Real Madrid: Lunin heroi i mbretërve

Liga e Kampionëve
Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

A e dini se...
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Drejtësi
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Lajme
Hisen Berisha 'ngacmon' Adelina Ismailin në emision:

Hisen Berisha 'ngacmon' Adelina Ismailin në emision: "Ushtrinë time do ta bëj" ma ke kushtuar mua, sepse po e bëja ushtrinë në atë kohë

Magazina
Kalo në kategori