LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama: S’kam asnjë ofertë për opozitën

Edi Rama: S’kam asnjë ofertë për opozitën

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka asnjë ofertë për opozitën në mënyrë që t’i japë fund protestës së nisur prej 18 shkurtit, pasi sipas tij nuk ka asnjë krizë politike. Kreu i qeverisë tha se bëhet fjalë për një krizë të PD-së, ndërsa radhiti edhe disa nga përkrahësit e opozitës në këtë kauzë të brendshme të tyre, të cilën Rama e quajti krizë artificiale.

“S’ka krizë. Unë nuk kam një ofertë për të dalë PD nga kriza. Kjo nuk është një krizë e Shqipërisë, e ekonomisë, është krizë e lidershipit të PD-së, elitës së PD-së bashkuar me përfaqësuesit e degradimit të mediave sot, bashkuar me ca kryetarë partish pa parti që shkepen me raki gjithë ditën e në darkë nga çadra, dhe me disa të huaj që s’para ja duan të mirën Shqipërisë. Nuk e shpëton dot çadra PD-në, as gjykatësit që japin sponsorizime për ta mbajtur çadrën. Nuk do të shpëtojnë nga vettingu”, u shpreh shefi i mazhorancës i ftuar në “Studio e Hapur” në News 24.


Ai theksoi edhe një herë se nuk ka asnjë lëshim për të plotësuar kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie teknike.

“S’ka asnjë lëshim. Por çfarë t’ju them 1 milion njerëzve që më kanë dhënë këtë detyrë. Ti them se ne bashkë duhet t’u japim rrugë budallait dhe në emër të kësaj të hedhim bazën kushtetuese dhe t’i hapim rrugë një politike që do zhvillohet jo më në parlament. Por opozita në çadër dhe qeveria në parlament. Vjen tjetër, merr çadrën dhe thotë ‘uli ti, të hipi unë”, tha Rama.

Kryeministri bëri edhe një ndryshim të protestës që opozita e majtë kur PS-ja drejtohej nga Rama mbajti pas zgjedhjeve të 2009-ën.

“Ka pasur një çadër, që kemi qenë ne, ishim në grevë urie dhe kërkonim të drejtën një hetim parlamentar për zgjedhjet e kaluara, jo për të përmbysur rezultatin. S’na ka shkuar mendja të themi në do vdesim këtu, ikni ju të vimë ne”, u shpreh kreu i qeverisë.

Shefi i mazhorancës u shpreh i bindur se Vettingu, procesi që bën rivlerësimin e figurave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, do të bëhet me çdo kusht.