LAJMI I FUNDIT:

Edhe një president minor?

Edhe një president minor?

Kulumnen time të fundit që e shkrova me 7 nëntor, për një moment mendova se do të ishte e fundit për këto zgjedhje presidenciale në ShBA. Por, menjëherë pas rezultateve të para, kur edhe u konfirmuan 270 votat elektorale për të fituar presidencën nga Tumpi, ndodhi befasia e radhës që unë edhe e them zakonisht: ky sistem di edhe të na befasojë!

Donald Trump fitoi presidencën, por ai, sipas të gjitha gjasave po duket të jetë edhe një president tjetër minor. Befasia e kësaj radhe nuk është e panjohur: Trump fitoi mbi 50 për qind të votës elektorale, 279 vota nga 538 të mundshme, por humbi votën popullore. Deri tani, nga gjithsej 98 për qind e votave të numëruara, del se Trump ka rreth 200 mijë vota (popullore) më pak se kundërkandidatja e tij Clinton në mbarë ShBA-në.


Nëse dy për qind e votave të mbetura nuk e ndryshojnë këtë rezultat, e që besoj se jo, atëherë kemi presidentin e pestë me radhë i cili fiton zgjedhjet presidenciale pa votën popullore. Para tij kishin fituar edhe John Quincy Adams (1824), Rutherford B. Hayes (1876), Benjamin Harrison (1888), George W. Bush (2000), dhe tani më 2016 kandidati republikan Donald J.

Trump po bëhet i pesti. A do të ketë edhe në të ardhmen mundësi të përsëritet një gjë e tillë, përgjigja është e thjeshtë: Po, dhe derisa nuk ndryshon sistemi i “winner takes all” i kolegjit elektoral, lehtë mund të përsëritet.

Në ShBA, votimi nuk është obligativ për qytetarët amerikan. Kjo ka bërë që dalja në votime të mos jetë shumë e kënaqshme, madje shpesh herë edhe nën 50 për qind. Kështu, si rezultat i kësaj, nga 51 palë zgjedhje presidenciale që janë mbajtur, 19 herë presidenti është zgjedhur edhe kur dalja në votime ka qenë më pak se 50 për qind e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.

Kur kësaj ia shtojmë edhe mungesën e përvojës politike të presidentit të sapo zgjedhur të ShBA-ve Donald Trump, atëherë befasia fillon të shndërrohet në ankth. Por, a duhet ta vlerësojmë kështu?

Nga përvoja e mëhershme e disa prej presidentëve amerikanë, kuptojmë se ata edhe pa ushtruar asnjëherë ndonjë pozitë publike të fituar me garë politike, në garimin e parë kanë arritur të ngjiten në majat e politikës amerikane, respektivisht në zyrën ovale. Kjo duket e frikshme dhe e pabesueshme, por kjo ka ndodhur disa herë në ShBA dhe pikërisht disa prej këtyre presidentëve bënë punë shumë të mëdha në ShBA dhe në botë.

Si p.sh. presidenti Dwight Eisenhower (1953-1961), si ish komandanti i parë i NATO-së, ia mësyu Shtëpisë së Bardhë dhe arriti atje. Madje, ai udhëhoqi shtetin për dy mandate në një kohë të vështirë politike dhe ekonomike. Më 1953 me iniciativën e Eisenhowerit, si ushtarak që ishte, u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi përgjatë kufirit të Koresë së Jugut, u realizua një traktat paqeje që neutralizonte Austrinë, tensionet me Rusinë u zbutën, kurse në shtator të vitit 1953 anuloi të gjitha ndihmat amerikane për Izraelin, duke kushtëzuar Izraelin që të ndërpresë punën në kanalin të cilin e kishin projektuar ata për të transferuar ujin e lumit Jordan brenda territorit të Izraelit. Ky projekt do të digjte marrëveshjen paqësore të vitit 1949, kështu që qëndrimi i tij pati sukses dhe Izraeli ndërpreu punët e kanalit.

Eisenhower edhe në politikën e brendshme ishte i kujdesshëm . Ai u mundua për një buxhet të balancuar, përkrahu heqjen e dallimeve në shkolla (mes të bardhëve dhe atyre me ngjyrë), si dhe urdhëroi heqjen e plotë të këtyre dallimeve në Forcave e Armatosura.

Ngjashëm me të, ushtarak, ishin edhe Zachary Taylor (1849-1850) dhe Ulysses S. Grant(1869-1877), kurse William Taft (1909-1913) dhe Herbert Hoover (1929-1933) nuk ishin madje as ushtarak, por ia dolën të arrinin në Shtëpinë e Bardhë.

Tani, oresidenti Trump, president minor dhe pa përvojë në politikë, a do të jap shembuj të disa prej paraardhësve të tij të Shtëpisë së Bardhë apo do na bëjë edhe ndonjë befasi tjetër presidenciale? Unë shpresoj, vetëm që ai mos të jetë Trumpi i fushatës zgjedhore.