LAJMI I FUNDIT:

E vërteta nuk është në interesin e askujt

E vërteta nuk është në interesin e askujt
Ilustrim

Lulzim Hoxha

Në fjalorin e Oksfordit, post-truth u shpall si fjala më e përdorur e vitit që lamë pas. Post-truth, sipas fjalorin të Oksfordit iu referohet “rrethanave në të cilat faktet objektive kanë më pak influencë në formimin e opinionit publik se sa apeli ndaj emocioneve apo bindjeve personale”.


Botuesit britanik kanë deklaruar te gazeta “The Guardian” se përdorimi i termit post-truth është rritur me 2000 për qind në vitin 2016, krahasimisht me një vit më parë. Kjo mund të shpjegohet për shkak të kontekstit të referendumit në Britaninë e Madhe për daljen nga Bashkimi Evropian, si dhe me zgjedhjet presidenciale në SHBA në të cilat mbizotëroi ligjërimi me sfond populist i presidentit Trump.

Farkëtimi i kësaj semantike të re mbi të vërtetën lidhet me mënyrën se si performohet politika në një shoqëri si kjo e jona. Kur kërkohet që populli të bëhet pjesë e një iniciative politike të caktuar, kjo nuk ndodh më në emër të një përkatësie ideologjike si në kohën e tregimtarive të mëdha, nëpërmjet të cilave synohej të identifikohej një sistem politik dhe vleror që të ishte i vlefshëm për të gjithë njerëzit. Përkundrazi, tanimë kjo iniciativë është spostuar nga e tëra te pjesët e saj (partitë).

Në këtë kontekst, argumenti i politikanit merret si i mirëqenë dhe vetëm më pas kërkohet konfirmimi nga populli duke provokuar emocionet dhe entuziazmin e turmës që të afirmohet strategjia politike e liderit partiak. Kështu për shembull, në rastin e protestës së opozitës, braktisja e Parlamentit dhe shtyrja e vettingut (i cili siç thuhet përbën kushtin thelbësor për anëtarësim në Bashkimin Evropian), duket si dytësore përballë protestës së të pakënaqurve ndaj Qeverisë, e cila ishte ngjarja kryesore politike e javës së fundit. Ky argumentum ad populum priret ta paraqesë protestën kundër Qeverisë si shkakun e braktisjes së Parlamentit dhe jo rrjedhojën e kësaj të fundit.

Rasti i protestës së opozitës konfirmon një prej tezave të Logjikës formale, sipas së cilës “kur argumentuesi ngjall frikën prej diçkaje në mendjen e turmës dhe pastaj e përdor këtë të fundit si premisë për konkluzionin që merret si i gatshëm”, shkaku dhe pasoja përmbysen dhe krejt befasisht gjendemi në një moment surreal (ose post-truth) ku opozita duket sikur po sakrifikon pjesëmarrjen në parlament dhe fillimin e vettingut, vetëm për të dëgjuar popullin e saj që ka dalë në protestë. Rrjedhimisht, mund të thuhet se në shoqërinë tonë, e vetmja mënyrë se si vjen në realitet vërtetësia e një ngjarjeje politike është përmes këtij argumentum ad populum.

Në këtë kuptim, politikanët nga shënjues të ngjarjes politike, na transferohen në një realitet ku shfaqen si të shënjuar nga vokacioni publik i popullit opozitar dhe nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të detyrohen të braktisin parlamentin dhe të rrezikojnë në këtë mënyrë fetishin 26-vjeçar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç thoshte personazhi i Giulio Andreottit në monologun e famshëm te filmi “Il Divo”: “Të gjithë mendojnë se e vërteta është diçka e drejtë, por në fakt ajo është fundi i botës, dhe ne nuk mund ta lejojmë fundin e botës në emër të diçkaje të drejtë”.

Në vend të së vërtetës, tanimë nuk qëndron e pavërteta, por post-truthi ose e pas-vërteta. Nëse e vërteta përbëhet nga referuesi (ai që e deklaron) dhe i referuari (ngjarja apo fenomeni që deklarohet nga referuesi), post-truthi nuk është mohim i së vërtetës, por një riformulim i cili e tjetërson të referuarin duke mos cenuar besueshmërinë e referuesit. Ky riformulim nuk është i pavërtetë, po aq sa nuk është i pavërtetë zhgënjimi dhe indinjata e popullit ndaj qeverisë aktuale, por mënyra se si kjo e vërtetë shfaqet publikisht devijon nga rrënjët e origjinës së saj. Mirëpo, sikurse thoshte personazhi i Andreottit, në këto kushte, shpallja e një të vërtete origjinale do të ishte e rrezikshme. Mjafton të përfytyrojmë për një moment sikur lideri i opozitës të deklarojë haptazi se protesta është rrjedhoja dhe jo shkaku i mosfillimit të vettingut, apo nëse shkojmë edhe më tej, sikur çdo lider politik në botë (që nga Kim Jong-un e deri te Donald Trump) të vendosë të thotë të vërtetën origjinale, a do të ishte një iniciativë e tillë në të mirë të rendit dhe demokracisë?

Për sa kohë i shërben mobilizimit dhe kohezionit social, në kuadër të së keqes më të vogël, së bashku me demokracinë, me sa duket është e nevojshme të përfshijmë edhe denotimet e së vërtetës. E në kushtet kur në opinionin publik, riformulimi i realitetit ka prioritet kundrejt origjinës së saj, e vërteta origjinale mbetet e nënkuptuar ndonëse e paformuluar politikisht si e tillë.