LAJMI I FUNDIT:

E pazëvendësueshmja Albërie Hadërgjonaj! Artistja që i rezistoi kohës

E pazëvendësueshmja Albërie Hadërgjonaj! Artistja që i rezistoi kohës

“Jeta s’është lodër” dhe e tillë nuk ish kurrë për të. Një femër ‘lozonjare’ që dikur djemtë i tërbonte fare, por i tha “Asnjëherë” dashurisë së humbur dhe dështimit, duke vazhduar të ngritet në këmbë, deri sa erdhi “me dorën shtrirë” në skenë për t’i kënduar publikut.

Fjalët e apostrofuara më sipër janë të gjitha tituj këngësh të sirtarit të këngëtares Albërie Hadërgjonaj, e cila asnjëherë nuk u tret për publikun. Me vite servoi muzikë të mirëfilltë, duke lëvruar nga muzika popullore e deri te ajo sensibilizuese.


Në një intervistë ndryshe për Telegrafin, këngëtarja me prejardhje nga Deçani rrëfen rrugëtimin e saj si artiste, që nga fëmijëria e saj e deri te suksesi që e gëzon ditëve të sotme.

Ka pak ditë që Hadërgjonaj është kthyer nga Amerika në Kosovë për koncertet dhe angazhimet e saj në muzikë, për të cilat na flet gjerë e gjatë në intervistën në vazhdim…

Albërie, jeni kthyer këto ditë në Kosovë. Na tregoni pak për aktivitet me të cilat po merreni më shumë?
Si fillim njëherë dashuria për të afërmit e mi, dhe në mënyrë të veçantë për nënën, dashuria për të gjithë fansat dhe adhuruesit e muzikës sime, më bën që unë të marr këtë vendim dhe të jem çdo verë pranë tyre. Kënaqem sa herë që vij. Unë jam një artiste prej tashmë tre dekadash në skenë dhe kam kënduar dhe çmimet e para i kam fituar që në moshën 11 vjeçare, kështu që do s’do kam adhuruesit e mi, të këngës sime, të muzikës që bëj, personalitetit tim, më duan, më çmojnë edhe më bëjnë akoma të kem më shumë vetëbesim në atë çfarë bëj, të punoj më fortë, të mos i zhgënjej. Jam shumë e lumtur dhe e privilegjuar në çdo hap që hedh ose në çdo vend që shkoj, marr shumë dashuri dhe shumë respekt.

Sa jeni e angazhuar me koncerte, ahengje dhe dasma, dhe si po ju mirëpresin publiku shqiptar?
Sezoni veror për çdo artist, flas për ata që janë në treg, punojnë fortë dhe kanë krijuar tashmë adhuruesit e vet ose dashamirësit. Unë këtë vit përshembull kam qenë shumë e angazhuar, pothuajse çdo natë me dasma e ahengje familjare, të jem e sinqertë më shumë se sa me mbrëmje rinore. Sigurisht që punoj edhe në projekte të reja. Më pëlqen vera dhe kaloj jashtëzakonisht mirë.

Keni në plan përgatitjet e ndonjë projekti të ri?
Po, kënga e re ka përfunduar tashmë, është realizuar por po presim për xhirimet e klipit. E kam pasur të pamundur t’i realizoj për momentin, për shkak se angazhimet e një pas njëshme çdo natë. Por, premtoj se do të dali, besoj do ta lansoj nga fundi i gushtit. Kënga është punuar nga Kledi Bahiti në studion “Threedots”, është këngë ritmike, tipike verore, transmeton shumë energji dhe pozitivitet. Jam e bindur që do ta pëlqejnë…

Ditë më parë performuat në Deçan. Si ishte të performosh në vendlindje, dhe a u çmalle me familjarët dhe shoqërinë e vjetër?
Nuk ka si vendlindja, pavarësisht se mundësitë dhe jeta na solli mundësinë që të vizitojmë shumë vende të botës dhe të jemi larg vendlindjes. Por asgjë nuk krahasohet me vendin tënd, asgjë nuk të jep më shumë satisfaksion edhe emocion sa vendi yt, njerëzit me të cilët je rritur, me të cilët ke krijuar kujtime me ta, ke mall, ke dashuri të sinqertë. Ka qenë plot atë ditë sheshi i Deçanit. Jam kënaqur kur performoja dhe kam kaluar një natë të paharrueshme.

Albani, Beatrix dhe Argjentina janë gjithashtu tre talentë të tjerë nga familja juaj? Sa gëzoheni për sukseset e tyre dhe sa mbështetje ju jepni?
Gëzoj shumë sepse çdo hap që kanë hedh në jetë që prej se kanë qenë bebe, unë kam qenë me ta. I dua, i adhuroj, jam një shtysë e mirë, jam person që i informoj dhe ju kam dhënë gjithçka që kam pas brenda vetës për t’iu treguar se si funksionon kjo fushë, për të qenë i mirë dhe për të qenë gjatë i dashur për publikun duhet shumë punë. Sigurisht jam shumë e lumtur për sukseset e tyre. I ka bekuar Zoti me pamje, me talent, me gjithçka. Kështu që mund të them lirisht se jam tezja/halla, më e lumtur për nipërit dhe mbesat e mi që kam. Jam me fat…

Ka gati dy vite që nuk ju shohim të garoni në ndonjë festival? A do të merrni sërish pjesë apo iu është shuar dëshira?
Jeta na ndan nganjëherë dashja apo pa dashja nga gjithçka! Mua po më ndan nga familja ime, për momentin tani po bëhen katër vite që jemi shpërngul në Amerikë me Angjelinën. Ajo sivjet përfundon studimet për financë, dhe si çdo nënë mbas fëmijës edhe unë jam një nënë shumë e përkushtuar, që gjithçka vjen prapa familjes dhe sigurisht ka qenë prioritet Angjelina gjithë këto vite. Sa i përket festivaleve nuk them “Jo” asnjëherë! Nëse unë do kem kohë dhe do të kem një këngë të bukur në dorë, ashtu siç duhet për tu paraqitur në një festival prestigjioz, sigurisht që do të jem prezente me shumë dashuri madje, dhe më ka marrë malli, më mungojnë skenat e festivaleve.

“Me dorën shtrirë” është balada që ka goditur ndoshta më së shumti te publiku? Sa jeni e ndarë e kënaqur me suksesin e saj, dhe reflektimin që pati?
Çdo njeri që vë dorën në zemër duhet ta dojë atë këngë, ta ndjejë. Unë si artiste kontribuoj sa të kem mundësi për njerëzit në nevojë, dhe kjo ka qenë ndoshta në një far forme ta ngrejë zërin për ata njerëz që e dëgjojnë. Se jeta nuk është e përjetshme për askënd, kështu që ata që kanë nevojë, edhe ne t’ju shtrijmë dorën sado pak, aq sa është mundësia e çdo individi. Ka pas shumë sukses dhe jam e lumtur për këtë gjë se ndonjëherë është problem pak temat sociale të përkrahen e të duhen. Megjithatë shqiptarët kanë vuajtur si popull, si në Shqipëri e Kosovë, dhe kjo këngë ka pas efektin e vet pozitiv, dhe jam shumë, po shumë e lumtur.

“Jeta s’është lodër” gjithashtu një këngë e suksesshme që iu kthen në kohë. Le të kthehemi pak te lodrat e Albëries. Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?
Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur. Unë në fakt u rrita pa baba, se nëna ime kur ishte shtatzënë me mua, babai im pësoi një aksident dhe për fat të keq nuk e kam njohur kurrë, më ka munguar figura e babait gjithmonë në shkollë për shembull. I shikoja fëmijët e tjerë me prindërit që vinin, baballarët për t’i marrë nga shkolla për shkak se nënat në Kosovë pak më ndryshe, e sidomos në Deçan ku unë e kam kryer shkollën fillore. Ishte problem të jem e sinqertë se më mungonte prania e babit dhe gjithmonë më ka munguar, pavarësisht se pastaj vëllai i madh u rrit edhe ai ka qenë më pas pika ku unë jam referuar ose jam mbështet gjithmonë. Fëmijërinë e kam pas shumë të bukur, e kam një nënë që është më e mira në botë. E përkushtuar në mënyrë absolute, na ka dhënë shumë dashuri, nuk na ka munguar asgjë dhe jam rrit me shumë dashuri. Pjesa e artit ka filluar që kur isha shumë e vogël në shkollë, në pjesëmarrjet në festat e shkollës atëherë, dhe më pas kam qenë aktiviste, kam qenë si fëmijë anëtare e një shoqërie artistike që e ka pasur Dukagjini të veten, “Shpresa e Deçanit” quhej në atë kohë. Kam qenë aktive me koncerte nëpër të gjithë botën thuajse edhe atëherë në kohën e Ish-Jugosllavisë. Kam prezantuar Kosovën në moshën 11 vjeçare në festival botëror dhe kam marrë çmimin e parë, e nga aty pastaj u rrita, u mësova me emocionet e skenës, me duartrokitjet, dhe nuk reshta asnjëherë. Periudha e luftës ka qenë ajo shkëputja sigurisht sepse neve në atë kohë lamë Kosovën të gjithë për një jetë më të mirë, dhe u ç’orientuam. Por më pas erdha në Shqipëri, filluan studimet, filluan pjesëmarrjet në festivale, sukseset një pas një. Kam kujtime shumë të bukura të fëmijërisë, u rrita me shumë emocione, me shumë dashuri për këngën se nuk na linin të këndonim në atë kohë pastaj kur u trazua gjendja në Kosovë. I kam kujtimet edhe të bukura edhe të hidhura sigurisht, problemet në koncerte që na i ndërprisnin, nuk na linin të këndonim, e kështu d.m.th., edhe sot e kësaj dite mundohem nëpër evente, nëpër dasma t’i këndoj këngët e mirëfillta shqipe se jam rrit me to, më mungojnë, edhe do t’i këndoj gjithmonë me shumë dashuri.

Përkundër viteve qëndroni në top formë. Cili është çelësi/sekreti i bukurisë dhe rinisë suaj të përhershme?
Faleminderit, këtë gjë ma thonë të gjithë, po unë jam shumë e re, tani jam 40 vjeç, kështu që ma merr mendja se një i ri është i ri(qesh). Ndoshta njerëzit mendojnë se jam më shumë, për shkak se kam vite në skenë, dhe jam martuar fëmijë, edhe mendojmë që kam shumë vite por dukem më e re dhe çfarë po bëj? Asgjë realisht, kujdesi ndaj ushqimit dhe aktiviteti fizik, palestra.

Albërie, faleminderit shumë që ishe në këtë intervistë. Diçka për fund…
Për mua ishte kënaqësi të jem një faqe e gazetës suaj online. Faleminderit të gjithëve. Faleminderit edhe ty që po e lexon! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Bundesliga
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

O'Brien pas takimit me Vuçiqin: Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka që Kosova të themelojë Asociacionin

Politikë
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Liga e Kampionëve
Çifti i famshëm i futbollit që luajnë për të njëjtin ekip, kanë një rregull në shtëpi që duhet ta respektojnë të dy

Çifti i famshëm i futbollit që luajnë për të njëjtin ekip, kanë një rregull në shtëpi që duhet ta respektojnë të dy

Magazina
Kalo në kategori