LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i QKK-së pjesë e jurisë së Antalya Film Festival

Drejtori i QKK-së pjesë e jurisë së Antalya Film Festival

Në edicionin e 53-të të festivalit ndërkombëtar, Antalya Film Festival, njëherit edhe festivali më i vjetër në Turqi, i cili mbahet nga 16 tetor deri më 23 tetor, drejtori i QKK-së, Arben Zharku, do të jetë pjesë e jurisë së Antalya Film Forum, tregut të këtij festivali për koproduksion dhe për zhvillim të projekteve filmike.

Antalya Film Forum është pjesë shumë e rëndësishme e festivalit dhe qëllimi i saj është të bëhet tregu kryesor regjional për koproduksion. Forumi synon krijimin e një qendre për lidhjen e profesionistëve të filmit, producentëve dhe regjisorëve.

Ky është viti i tretë që ky forum organizohet dhe detyra e jurisë e përbërë nga tre anëtarë bashkë me Zharkun, do të jetë vlerësimi dhe zgjedhja e projekteve fituese për zhvillim të filmit të metrazhit të gjatë artistik. Dy projekte do të fitojnë nga dhjetë që janë në konkurrencë dhe çmimi fitues do të jetë 10 mijë euro.

Antalya Film Festival i organizuar për herë të parë në vitin 1963 është ndër festivalet më të vjetra në Evropë dhe në Azi, dhe më i madhi në Turqi, ku viteve të kaluar kanë pasur mysafirë, si Adrien Brody, Kevin Spacey, Bo Derek, John Irvin dhe personazhe tjera të njohura. /Telegrafi/