LAJMI I FUNDIT:

Dr. Venera Emini-Koçinaj, Stomatologe-ortodonte

Dr. Venera Emini-Koçinaj, Stomatologe-ortodonte

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Venera Emini-Koçinaj
Stomatologe-ortodonte
tel: 044 344 416


Përshëndetje. Kam një problem me nofullën dhe më është bërë shumë kompleks. Nofulla ime e poshtme është pak e ngushtë dhe do dëshiroja ta dija që a ka ndonjë mundësi që me anë të ndonjë proteze apo mënyre tjetër ta bëj zgjerimin e saj.
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Sa i takon pyetjes suaj për nofullën e poshtme të ngushtë dhe mundësinë e zgjerimit të saj, mbase unë do të ndaloja në disa detaje para se të vija në një zgjidhje terapeutike, e cila në këto raste nuk është edhe aq e thjeshtë.
Si fillim do thosha që madhësia e dhëmbëve dhe e nofullave në të shumtën e rasteve është e kontrolluar nga faktorët gjenetik dhe si e tillë mbase mund të na lë më pak hapësirë për korrigjime, por nuk mbaron këtu: së pari duhet te vizitohesh tek një ortodont ku nga pamja e jashtme shikohen raportet dhe madhësia e të dy nofullave, pastaj dhëmbët, prezenca dhe madhësia e tyre, gjuha, muskujt, bëhet një telerëntgen ku maten madhësitë e nofullave dhe pastaj në bazë të rezultateve të marra, në bashkëpunim edhe me kirurgun, arrihet në një zgjidhje konkrete. Në disa raste pa këto analiza, jepet një përshtypje e gabuar ku ndoshta fajtorë mund të jetë nofulla e sipërme më shumë e zhvilluar dhe nofulla e poshtme është e zhvilluar normalisht. Prandaj, analizat e kockave të nofullave përveç pjesës ortodontike ndonjëherë kërkojnë edhe ndërhyrje kirurgjike.


Përshëndetje. Dua të di se sa është e shërueshme paradontopatia në fazat fillestare. Sa vite munden dhëmbët të qëndrojnë në kreshtën alveolare tek një person me paradontopati dhe cilat janë metodat më të mira për zëvendësimin e këtyre dhëmbëve?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, për pyetjen tuaj dhe për ata që iu intereson të dinë në lidhje me këtë patologji, do doja të zgjatesha pak në përgjigje meqenëse është një patologji mjaft e shprehur në popullatë dhe fare pak janë të informuar në lidhje me pasojat që mbart me vete kjo sëmundje. Proceset patologjike të manifestuara në indet paradontale janë të njohura si Paradontopathia. Këto inde paradontale janë: gingiva, kocka alveolare, periodonciumi dhe cementi i rrënjës së dhëmbit. Është sëmundje me zhvillim kronik, mund të fillojë që në moshë të re (që fëmijë), zgjatë nëse nuk zbatohen masat terapeutike duke përfshirë të gjithë dhëmbët. Zhvillohet në këto stade: stadi prodromal, fillestare, i zhvillimit të plotë klinik dhe ai terminal. Sëmundja mund të lokalizohet në zona të ndryshme të nofullave me stade të ndryshme në të njëjtën kohë. Se sa vite dhëmbët mund të qëndrojnë në kreshtën alveolare, kjo varet se në ç’stad të zhvillimit është sëmundja dhe masat që duhet të merren për mjekimin e saj.
Ekzistojnë këto etapa mjekimi në bazë të stadeve të sëmundjes:
1) Identifikimi i pllakut dental (mënjanimi i pllakut, depozitimeve të tjera dhe gurëve në dhëmbë),
2) kyretazhi i xhepave paradontal (operacioni me llambo),
3) ndërhyrje kirurgjike mukogingivale,
4) ekuilibrimi i okluzionit.

Për metodat më të mira të zëvendësimit të këtyre dhëmbëve mbase do ishte më mirë një konsultim me spec. e kësaj fushe, por di që në bazë të publikimeve të fundit, implanti në paradontopatitë e avancuara është një kundërindikacion, ashtu si çdo inflamacion tjetër në gojë.
Tek ju dhe personat e tjerë pa këtë patologji, do rekomandoja pastrimin e dhëmbëve çdo ditë 2- 3 herë në ditë, sepse vetëm 8-10 orë në ditë bakteret e gjendura brenda në gojë fillojnë prodhimin e toksinave që shkaktojnë sëmundje periodontale, përdorimin e fillit dentar, ndërrimin e furçës së dhëmbëve çdo 3 muaj dhe kontrollin e rregullt dentar çdo 6 muaj.


E nderuar, kam problem me dhëmbët, i kam shumë të ngushtë dhe të shtrembër. Kam qenë te stomatologu dhe më ka thënë se do të më prishën gjithë dhëmbët për shkak se nuk pastrohen . Për shkak se janë të ngushtë shumë, tash më janë prishur dhe kanë filluar të lëvizin dhe njeri m’u thye.
Nëse ka mundësi një këshillë si të shpëtoj nga kjo gjendje, ju përshëndes?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Gjendja të cilën e përshkruani është e padëshirueshme dhe mbase e vonuar për trajtim. Megjithatë, jo dëshpëruese sepse shpresoj shumë se do gjindet një zgjidhje për trajtim. Ngushtimi i dhëmbëve ndryshe në gjuhën shkencore shpjegohet si dendësi e dhëmbëve e cila klasifikohet si anomali e harqeve të dhëmbëve dhe mund të jenë 4 lloje:
1) Dendësi parësore- e cila vie si rezultat i mospërputhjes në mes madhësis së dhëmbëve dhe madhësis së nofullave (kur madhësia e dhëmbëve trashëgohet nga babai dhe madhësia e nofullave nga nëna apo e kundërta) dhe zakonisht është gjenetike.
2) Dendësia dytësore- e cila vie si rezultat i humbjes së parakohëshme të dhëmbëve të qumështit dhe humbjes së madhësisë së kurorës së molarëve të qumështit nga kariesi.
3) Dendësia tretësore- haset tek personat e rritur, manifestohet në regjionin e inciziveve (dhëmbët e perparëm) dhe zakonisht lidhet me daljen e molarëve të tretë.
4) Dendësia e kombinuar.

Pastaj shtrembërimi (rotacioni) i dhëmbëve vie si rezultat i mungesës së hapësirës për tu radhitur në vargun dhëmbor.
Mjekimi: kontrolli tek ortodonti, vendosja e diagnozës, rëntgenografija e gjithë dhëmbeve (OTP), mjekimi i tyre dhe vendosja po apo jo për trajtim ortodontik, si dhe këshilla për mirëmbajtjen dhe pastrimin e dhëmbëve.
Me respekt Dr Venera.


Përshëndetje, jam 24 vjeçe, kam problem me dhëmbët, i gërryej kur jam në gjumë dhe kam frik se mund t’i shkatërroj. Kam dëgjuar se këtë problem mund ta zgjidh me proteza prej gome, por nuk di ku të drejtohem, sepse në Ferizaj nuk kam mundur të bëj zgjidhje.
Do të doja mendimin tuaj dhe më thoni se ku mund te drejtohem për këtë problem?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Problematika për të cilën shkruan: gërryerja e dhëmbëve natën, që në gjuhën shkencore quhet bruksizëm, është një refleks i pakushtëzuar, që dmth nuk varet nga vullneti i njeriut. Nqs nuk trajtohet arrin në një stad të avancuara, që nënkupton zvogëlimin e të gjithë dhëmbëve, në përmasa të njëjta dhe i cili proces është i parikthyeshëm. Prandaj, për të stopuar këtë gjendje bëhet një shabllon, i cili vendoset në dhëmbë, ka konsistencë relativisht të butë, ngjyrë transparente, është individuale (e veçantë për çdo person) dhe mbahet vetëm gjatë natës.
Procedura e punës është kjo: merren masat tek dentisti, derdhen modelet e punës, punohet shablloni mbi modele në laborator dhe dorëzohet punimi tek pacienti. Dmth gjithsej dy seanca punë. Është mirë të trajtohet sa më shpejt dhe mund të lajmëroheni tek ne.
Me respekt Dr Venera.


Çfarë është ortodoncia?
Fjala ortodonci rrjedh nga dy fjalë greke ortos- drejtë dhe dens- dhëmbë. Dhëmbët e ngjeshur dhe të protruduar (të dalur jashtë), përfaqësonin një problem që në antikitet. Aparatet ortodontike primitive sillen nga kërkimet arkeologjike greke dhe etruske. Me zhvillimin e madh të stomatologjisë në shek. XVIII dhe XIX përshkruheshin nga autorë të ndryshëm aparatura të ndryshme që përdoreshin nga dentistë të asaj epoke. Pas viteve 1850 publikohen tekstet e para të vërteta të ortodoncisë.

Cilat janë shkaqet e malokluzioneve në ortodonci?
Shkaqet e malokluzioneve në të shumtën e rasteve janë multifaktoriale që dmth se në paraqitjen e një çrregullimi mund të ndikojnë si faktorët e përgjithshëm (trashëgimia, sëmundjet e përgjithshme, ushqimi deficitar etj) ashtu edhe ata lokale (sëmundjet lokale, traumat, veset e këqija, frenulumi labial, persistimi i dhëmbëve të qumështit, mjekimi jo adekuat stomatologjik dhe ortodontik etj). Sipas një studimi të gjerë rezulton se vetëm 1/3 e popullsisë në SHBA ka një okluzion normal, ndërsa 2/3 prezantojnë një shkallë malokluzioni (çrregullimi). Në grupin me malokluzione një pjesë e vogël ka probleme që i atribuohen një shkaku specifik të dhënë, në të gjitha të tjerat malokluzioni është rezultat i një kombinimi kompleks dhe pak të njohur të faktorëve trashëgues dhe të ambientit.

Çfarë janë aparatet ortodontike?
Aparatet ortodontike janë ato aparate që vendosen në dhëmbë për të arritur korrigjimin e çrregullimeve të ndryshme të pozitës së dhëmbëve.
Aparatet ortodontike ndahen në dy grupe: aparate mobile (të lëvizshme) dhe aparate fikse.

Kur vendosen dhe sa mbahen aparatet ortodontike?
Aparatet mobile zakonisht vendosën në dhëmbët e qumështit dhe në dhëmbët e përzier, kur ende nuk është kompletuar harku dhëmbor me dhëmbë të përhershëm. Si praktikë merret periudha kur kanë dalur dhe janë rritur me tepër se gjysma e 4 incizivëve sipër dhe poshtë. Këto aparate hiqen dhe vihen nga vet pacienti. Varësisht nga diagnoza terapia zgjat zakonisht 1.5 – 2 vjeç.
Aparatet fikse vendosen në dhëmbët permanent (të përhershëm). Janë ato aparate të fiksuara për dhëmbë në atë mënyrë, që mund të vihen dhe të hiqen vetëm nga terapeuti (ortodonti). Pothuajse të gjitha pjesët e aparateve fikse vijnë të fabrikuara. Kjo gjë tregon se këto aparate kanë një mundësi më shumë për të arritur harmoninë dhe balansin ndërmjet dhëmbëve. Si çdo metodë tjetër mjekimi, edhe këto kanë përparësitë dhe të metat e tyre. Varësisht nga diagnoza terapia zgjat mesatarisht 1,5 -2 apo dhe 3 vite.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Shëndetësi
Kalo në kategori