LAJMI I FUNDIT:

Dr. Dëfrim Koçinaj, kirurg pediatrik

Dr. Dëfrim Koçinaj, kirurg pediatrik

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Dëfrim Koçinaj,
kirurg pediatrik
QKU – Prishtinë
tel: 044 218 543; 044 218 543


Përshëndetje Dr. Dëfrim. Më kanë thënë që djali im është i lindur i bërë synet. Ai është 2 vjeç.
Ju lutem, më jepni ndonjë këshillë se si duhet të veprojmë?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Të nderuar familjarë, nuk jeni të parët që i thuhet që djali juaj është lindur i bërë synet, por problemi i fëmijës suaj mund të jetë një keqformim i lindur, pikërisht është hipospadia. Kjo sëmundje ka të bëjë me moszhvillimin adekuat të penisit dhe sidomos të vrimës së jashtme të kanalit të urinimit, e cila vrimë hapet më poshtë se vendi i normal i tij.
Duhet sjellur djalin tek kirurgu pediatrik, për një vlerësim sa më objektiv, pastaj mund të bisedojmë për nevojën apo jo të intervenimit, si dhe çështjet tjera në lidhje me sëmundjen. Përvoja jonë është shumë e mirë dhe rezultatet i kemi të njëjta edhe me vendet shumë më të zhvilluara se Kosova, megjithatë mundësia e komplikimeve ekziston.
Me respekt, Dr Dëfrimi.


Përshëndetje doktor. Kam një vajzë e cila ka 3 muaj që ka probleme me një damar qafe, të cilin e ka të dobët. Vetëm me operacioni në raste ët tilla ndihmon. Vajza ka bërë disa terapi një spital privat, por pa ndonjë përmirësim.
Si të veprojmë, çka na këshilloni?

PËRGJIGJE:
I nderuar, në bazë të asaj që po thoni, vajza juaj duhet të ketë një sëmundje që quhet torticollis. Më shpesh janë sëmundje të lindura, por mund të jenë edhe dytësore, shkaku i ndonjë deformiteti të shtyllës kurrizore (prandaj duhet bërë edhe rëntgenin e kësaj pjese të shtyllës kurrizore), apo edhe mund të ketë shkak problemet me të parit, etj. Fillimisht vie në shprehje trajtimi konzervativ, pra fizioterapia, e cila duhet ti tregojë rezultatet brenda disa javësh, por që rezultatet mund të priten deri në moshën një vjeçare. Pas kësaj vie në shprehje intervenimi kirurgjikal, e që konsiston në relaksimin e një muskuli (m.sternocleidomastoid), i cili është fajtor për këtë gjendje.
Me respekt Dr Dëfrimi.


Përshëndetje doktor! Kam një të afërm në familje, një fëmijë 3 vjeç, është i bërë synet para 5 muajve, mirëpo kohët e fundit, thotë që ka dhimbje.
A mund të ketë ndonjë pasojë nga syneti? A ka vend për t’u merakosur?
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mosha e të afërmit (3 vjeç), është mjaft e përshtatshme për t’u bërë synet.
Komplikime mund të ketë edhe syneti, si çdo ndërhyrje tjetër kirurgjike, prandaj duhet konsultuar kirurgun pediatrik për ta parë gjendjen lokalisht, se a ka ndonjë pej të mbetur, apo ndonjë shenjë infeksioni, apo diçka tjetër.
Me nderime Dr. Dëfrimi.


Përshëndetje doktor. Jam 23 vjeç, i martuar. Ka pothuajse 5 vite që testisin e majtë e kam më të madh se të djathtin. Duket sikur të jenë dy testise në anën e djathtë. Më intereson se çfarë është kjo, dhe a është e dëmshme?
Ju falënderoj shumë
.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Ju duhet të vizitoheni nga urologu, me qëllimin për t’u diferencuar mirë madhësia e testisit tuaj të majtë dhe për tu krahasuar me të djathtin, apo edhe diferencimi me ndonjë hernie (shëmbje) eventuale. Për këtë gjë shpesh nevojitet edhe ekzaminim imazherik shtesë, në këtë rast Ultrazëri me Doppler. Përderisa thoni që keni 5 vjet me këtë sëmundje, do me thënë që sëmundja nuk është me natyrë të rrezikshme, megjithatë ju patjetër duhet ti drejtoheni urologut. Përshëndetje Dr Dëfrimi


I nderuar Dr. Dëfrim. Kam një pyetje për ju? Djali im është 11 muajsh, kur ka lind pediatri më kishte thënë që ka nevojë t’i bëhet prerja e perit nën gju. A është i nevojshëm ky intervenim edhe a ka nevojë për të? Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
E nderuara zonja Shpresa, peri nën gjuhë (Frenulum brevis linguae) është një anomali e zhvillimit të gjuhës dhe do të thosha që është anomali shumë e lehtë, e cila kërkon një intervenim të vogël kirurgjik. Pra, në raste të tilla gjuha nuk arrin të nxirret jashtë dhëmbëve prerës të poshtëm, gjë që mund të ndikojë në ushqyerje, në përkeqësimin e të folurit dhe në moslejimin e zhvillimit normal të harkut të dhëmbëve. Procedura kirurgjike siç u theksua më sipër është e lehtë dhe realizohet nga kirurgu pediatrik ose nga kirurgu oral. A ka nevojë fëmija juaj apo jo, këtë gjë mund ta konfirmojmë pasiqë ta shohim pacientin.


Përshëndetje. I nderuari doktor, djali im është 7 vjeçar dhe testisin e majtë nuk e ka në qese poshtë, por e ka pak më lart dhe si duket e ka perin më të shkurtër. Këtë gjë e ka verifikuar edhe kirurgu, por edhe ultrazëri. Sipas kirurgut nuk ka nevojë për operacion, por unë po brengosem se mos po mbetet djali me pengesa në të ardhmen .

PËRGJIGJE:
Zonja Besa, shqetësimi juaj është me vend. Nëse testisi i majtë i djalit tuaj nuk qëndron në qese, por më lartë, ka mundësi që ai mos të zhvillohet siç duhet. Në këtë gjë ndikon temperatura më e lartë e trupit të njeriut në krahasim me qesen skrotale (herdhen), e cila temperaturë tek testisi ka efekt negativ. Por, nëse është konfirmuar nga kirurgu pediatrik që nuk ka nevojë për operacion, atëherë mbetet që djali i juaj të përcillet në mënyrë të vazhdueshme me kontrolle periodike çdo tre muaj. Unë iu sugjeroj ju që ta dërgoni djalin tuaj tek kirurgu pediatrik për vizitë mjekësore, ngaqë ai është kompetent për këtë sëmundje. Iu lutem merrini me vete dhe ekzaminimet e bëra deri më tani.


Doktor, në Kosovë, a korrigjohen anomalitë e diferencimit të seksit që paraqitet te fëmijët e porsalindur dhe e mund të ketë ky fëmijë pasoja nga ky fenomen sepse na bën të mendojmë që disa funksione të rëndësishme jetësore nuk zhvillohen mirë?
Me respekt, presim përgjigje urgjente.
Prindërit e shqetësuar.

PËRGJIGJE:
Të nderuar prindër, ju keni plotësisht të drejtë të shqetësoheni për gjendjen e fëmijës suaj, edhepse nuk keni dhënë detaje të mëtejme, p.sh. çfarë moshe ka fëmija juaj, çfarë gjinie është përcaktuar nga mjeku pas lindjes, a janë bërë analiza të caktuara etj. Çrregullimet e diferencimit të seksit ose të ashtuquajturat Gjendje të Interseksit, ose Hermafroditët, nënkuptojnë një individ i cili ka tipare gjenitale mashkullore dhe femërore njëkohësisht. Ka katër tipe kryesore dhe në të shumtën e rasteve mund të diferencohen qysh në moshë të hershme. Çfarë mund të bëhet edhe në Kosovë, është përcaktimi i gjinisë me analizën e ashtuquajtur kariogrami, e cila analizë përcakton gjininë gjenetike. Por, e rëndësishme është të përcaktohet dhe gjinia fenotipe (pra gjinia sipas tipareve te jashtme gjenitale). Krahas këtyre mund të bëhen dhe analiza shtesë, si ultrazëri, etj. Është e një rëndësie të veçantë që pas vlerësimit diagnostik fillestar të përcaktohet seksi (gjinia) dhe të planifikohet rekonstruktimi kirurgjikal. Janë disa kritere që përcaktojnë këtë dhe më i rëndësishmi është potenciali anatomik, pastaj potenciali fertilizues, diagnoza, mosha në kohën e diagnostikimit, dëshira prindërore, etj. Shumica e intersekseve do të rriten si femra. Tek një pacient me Gjendje Interseksi duhet të kyçen një ekip i gjerë mjekësh, psikologësh dhe sociologësh.
Megjithatë, përvojat në Kosovë janë fare të vogla në lidhje me këto anomali.


I nderuari doktor, djali im ka moshën 3 vjeçare dhe qysh në moshën 2-3 mujore e kam vërejtur që ai ka një fryrje në ije në anën e djathtë, e cila ndonjëherë fryhet më shumë, ndonjëherë humbet krejtësisht. Çka është kjo dhe sa ndikon në rritjen e djalit tim? A duhet ti nënshtrohet operacionit kirurgjik ai?

PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë, kjo që e përshkruani ju sigurisht ka të bëjë me shembjen e djalit tuaj në ijën e djathtë, e që është sëmundje e lindur. Zakonisht tek djemtë është më e shpeshtë (rreth 60% të rasteve) dhe e anës së djathtë me mbizotërim rreth 60%, majtas rreth 30% dhe 10% në të dyja anët. Kjo gjendje është mjaft e shpeshtë tek fëmijët dhe kërkon ndërhyrje kirurgjike. Pra, pa operacion sëmundja nuk kalon. Por, fillimisht ju duhet ta sillni djalin në ambulancën specialistike të kirurgjisë së fëmijëve, për tu ekzaminuar nga kirurgu pediatrik dhe për tu diagnostikuar. Përndryshe operacioni është mjaft rutinor dhe kryhet çdo ditë në institucionin tonë.


Doktor Dëfrim, përshëndetje. Vajza ime është gjashtë muajshe dhe ka një fryrje në kërthize, me madhësi sa një qershi, e cila rritet edhe më tepër kur ajo qan. Çka është kjo? A duhet vajza ime të operohet apo kalon pa operacion? A i dhemb, apo a i pengon në rritje?
Faleminderit. Burbuqja.

PËRGJIGJE:
Zonja Burbuqe, sipas asaj që ju referoni, vajza juaj ka një sëmundje të lindur që në gjuhën mjekësore quhet Hernie umbilikale, e që nënkupton shembje te kërthizës. Kjo sëmundje ka të bëjë me një defekt në unazën e kërthizës dhe është më e shpeshtë tek vajzat. Shërimi spontan ndodh deri në 80% të rasteve. Defektet më të mëdha observohen për kohë më të gjatë, për disa vite deri në moshën 4 vjeçare dhe nëse persiston atëherë indikohet operacioni. Gjatë kësaj periudhe, sidomos në moshë më të rritur, fëmija mund të ketë intolerancë ndaj ushqimit, dhimbje dhe dobësim të lëkurës së kërthizës, por komplikime serioze zakonisht nuk ka. Nuk pengon rritjen e vajzës tuaj. Operacioni realizohet me sukses të madh në institucionin tonë. Përshëndetje.


I nderuari doktor, djali im është një vjeçar dhe testisin e majtë nuk e ka në qese poshtë. Këtë gjë e ka verifikuar edhe pediatri i djalit tonë. Çka duhet bërë?

PËRGJIGJE:
Të nderuar, siç duket djali juaj ka një sëmundje të lindur e që karakterizohet me moszbritjen e testisit në vendin e vet në herdhe (qese skrotale). Fillimisht djali juaj duhet të vizitohet nga kirurgu pediatrik, për tu diagnostikuar. Me rëndësi është që të verifikohet prezenca e testisit ose jo, në nivel më të lartë, ose në rrugë të gabueshme. Pra, në këto raste testisi ngec gjatë zbritjes së tij në rrugën e tij normale, e që mund të mbetet edhe brenda hapësirës së barkut (testisi abdominal), ose ai e gabon rrugën dhe shkon e vendoset diku tjetër, zakonisht afër këtij regjioni (testisi ektopik). Nëse testisi nuk mund të preket nga kirurgu pediatrik, atëherë indikohet të bëhet ultrazëri i këtij regjioni. Prej kësaj dhe varet strategjia e trajtimit. Në të shumtën e rasteve operacioni bëhet me sukses. Mosha e pacientit në momentin e realizimit të operacionit është jetike dhe koha optimale është prej moshës 6 mujore deri në moshën 2 vjeçare. Pas kësaj periudhe fillojnë ndryshime të pakthyeshme histologjike të cilat kanë rol të rëndësishëm në fertilitetin e këtij testisi (në funksionin e tij për prodhimin e spermatozoideve). Pra, djali juaj është në moshën optimale për intervenim të suksesshëm kirurgjik. Krejt çka ju duhet të bëni është të lajmëroheni tek kirurgu pediatrik për ta verifikuar sëmundjen dhe për të caktuar terminin për operacion.


Kam një vajzë 1 vjeçe dhe ka lindur me hemangioma në bark. Gjatë pushimeve të verës ka pasur gjakderdhje. Pas intervenimit të kirurgut vaskular është shëruar, por tash ato dy hemangioma i ka të fryra, janë rritur edhe më shumë.
Doktor, si të veprohet më tutje, a ka gjasa të hiqen ato vetvetiu, meqë janë sipërfaqësore?

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, hemangioma e lëkurës tek fëmijët është mjaft e shpeshtë dhe është tumor beninj. Paraqitet qysh në lindje, duke u shfaqur gjatë javës së parë dhe duke u rritur në mënyrë rapide deri në moshën 12 muajshe (faza proliferative). Pas kësaj fillon procesi i ngadalësimit dhe regredimit (faza e involuimit) e që mund të zgjasë prej një deri në shtatë vite. Përfundimisht, tumori futet në fazën tërheqjes komplete (faza e involuar), pas së cilës asnjëherë nuk do të rishfaqet. Deri në moshën 5 vjeçare tumori regredon në mënyrë komplete deri në 50%, deri në moshën 7 vjeçare 70% dhe deri në moshën 10-12 vjeçare deri në 100%. Pra, në rastin e vajzës tuaj duhet pritur ende, por duhet përcjellë në mënyrë të vazhdueshme tek kirurgu pediatrik, mundësisht tek kirurgu i njëjtë për të qenë në gjendje ta dallojë rrjedhën e hemangiomës.


Përshëndetje, kam djalin 3 vjeç. Ka 2 muaj që urinon rrallë 2 ose 3 herë brenda 24 orëve edhe për këto 2 ose 3 herë që urinon duhet disa herë ta lusim për ta dërguar në banjo. Më parë nuk ka pasur probleme të tilla. Disa herë brenda ditës i bëj pastrim me kamomil edhe ung gentamicin, mirëpo gjendja është e njëjtë. A ka ndonjë problem këtu edhe a ka nevojë për një kontroll te mjeku?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Urinimi më i rralluar tek djali juaj shpjegohet me faktin që kapaciteti i vezikës urinare tek ai është shtuar, prandaj për tu nxitur refleksi i urinimit duhet sasi më e madhe e urinës. Por, 2 ose 3 urinime në ditë është pak për moshën e djalit tuaj. Prandaj, patjetër djali juaj duhet të vizitohet tek kirurgu pediatrik, ose tek pediatri nefrolog, për të caktuar ekzaminime të mëtejme. Duhet ekzaminuar organin gjenital mashkullor, respektivisht lafshën e penisit për ndonjë ngushtim eventual, duhet bërë analiza laboratorike dhe ultrazëri. Prandaj, iu këshilloj që të lajmëroheni tek kirurgu pediatrik.


I nderuar. Vajza ime është gati 10 vjeçe dhe akoma urinon natën. Pediatri më thotë që të mos shqetësohem pasi është normale, ECHO i ka dalë mirë si dhe analizat e urinës.
Ju lutem më këshilloni çka të bëj, apo ndoshta është mirë një vizitë te urologu
.

PËRGJIGJE:
Urinimi gjatë natës, ndryshe e quajtur Eneuresis Nocturna, kur shkaku nuk është anatomik, pra, kur fëmija nuk ka anomali të traktit urinar, apo të aspektit neurologjik, mund të jetë normale deri në moshën 15 vjeçare. Faktorët janë gjenetik, psikologjik, zhvillimor (nuk është maturuar ende mekanizmi kontrollues i urinimit), urodinamik (këta fëmijë kanë tkurrje të pakontrolluara të muskulit të vezikës urinare). Trajtimi specifik fillon pas moshës 7 vjeçare. Masat e nevojshme që duhet marrë janë: urinimi para shkuarjes në shtrat, shmangia e sasive të mëdha të lëngjeve gjatë orëve të mbrëmjes dhe shmangia e kafeinës (koka kola, çokollata, kakao) pas orës tre pasdite, përdorimi i terapisë medikamentoze të ordinuar nga mjeku përkatës, etj. Megjithatë, ju duhet ta dërgoni vajzën tuaj tek kirurgu pediatrik për vlerësim të mëtejmë.


Përshëndetje i nderuar doktor. Jam një nënë shumë e brengosur, kam djalin 8 muaj, kur ka pas 4 muaj mjekët e kanë diagnostikuar me hidronefrozë të veshkës së majtë. Kirurgu pediatrik nga QKU (Prof. Nexhmi) më ka thënë që duhet bërë ndërhyrja kirurgjike. Nuk kam mundur t’ia bëjmë ekzaminimet tjera.
Doktor, a është intervenimi i rrezikshëm dhe a mjekohet kjo sëmundje pa ndërhyrje?
Pres përgjigjen tuaj. Me respekt Alketa.

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, keni të drejtë të brengoseni për sëmundjen e djalit tuaj, sepse mbi të gjitha fëmijët janë pasuria jonë më e madhe apo jo? Megjithatë, ju duhet të jeni të lumtur që sëmundja e djalit tuaj është diagnostikuar mjaft herët dhe duhet ta dini që profesori Nexhmi është njëri ndër kirurgët pediatrik më kompetent në Kosovë, prandaj pas analizave tjera shtesë të rekomanduara nga kirurgu pediatrik, mendoj që intervenimi kirurgjikal do të jetë i pashmangshëm. Operacioni është një ndër operacionet e mëdha që realizohen në kirurgjinë pediatrike tek ne, por edhe suksesi është shumë i lartë, i krahasueshëm me vendet e zhvilluara evropiane.
Pse vie deri tek kjo sëmundje? Shkaqet janë të llojllojshëm dhe kryesisht kanë të bëjnë me keqzhvillimin e traktit urinar gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Ekzistojnë edhe disa metoda pa operacion, ose me metoda me invazion minimal, ose me metoda endoskopike, por për një përgjigje të tillë duhet ditur saktësisht të dhënat në lidhje me djalin tuaj.


I nderuari dr. Dëfrim. Djali im 19 muajsh ka herrni në anën e djathtë. E kam vizituar shpesh tek kirurgët dhe më kanë sugjeruar operim të menjëhershëm. Mirëpo, ai nuk ka ndonjë problem megjithë fryrjet e kohëpaskohshme në anën e djathtë. Ju lutem, më tregoni se a ka shanse që të vie deri te ndonjë komplikim (dhe në cilat raste mund të ndodh që të vij deri te komplikimi) dhe të kërkohet operimi urgjent apo mund të vazhdoj edhe më gjatë në atë gjendje. Në çfarë moshe është më i preferuar operimi.
Paraprakisht ju falënderoj.
Me respekt, Shkëndija.

PËRGJIGJE:
Zonja Shkëndije, nëse djali juaj është diagnostikuar me hernie inguinale, operacioni është i pashmangshëm. Megjithatë, kjo gjë nuk e pengon në rritjen dhe zhvillimin e tij. Rast i vetëm është kur hernia inkarcerohet, që do të thotë, se në qesen herniale futet një pjesë e zorrëve dhe rrezikon që të dëmtohet seriozisht. Kjo gjë vërehet nëse pacienti ka një fryrje më të madhe se zakonisht, e cila është skuqur, ose është nxirë dhe pacienti ka dhimbje të mëdha të shoqëruara me të vjella, Pra, në këto raste duhet urgjent të konsultohet kirurgu pediatrik, në çdo kohë, ditën apo natën. Ai vendos se a duhet të operohet menjëherë, apo ai mund ta kthej përmbajtjen e hernies prapa, për ta shtyrë operacionin në një kohë të mëvonshme. Megjithatë, ju duhet ta konsultoni kirurgun pediatrik sa më parë, për caktim të një termini të përshtatshëm për operacion. Thuhet në literaturë që koha më e mirë për operimin e hernies inguinale është momenti kur diagnostikohet, megjithatë mirë është që fëmija të jetë të paktën mbi një vjeç, sepse ai duhet ti nënshtrohet edhe anestezionit. Përshëndetje.


Përshëndetje doktor e kam vajzën 3.5 vjeç. Në moshën kur i ka pas 1 vit e 10 muaj e kemi zbuluar se e ka echeria coli me anë të analizës së urinokulturës, ku i kanë dhënë terapi dy antibiotik përnjëherë si dhe i kam dhënë çaj të Bosnjës kundër echeriacolit, dhe i ka kaluar edhe përnjëherë u plotësua me peshë. Mirëpo, tash qe disa muaj ka filluar të urinoj shpesh edhe kur ti vjen me bë s’mundet me mbajt urinën, i lag teshat, dhe para një jave kishte temperaturë, i vinte me vjell dhe thoshte po ka dhimbje barku. Tash ia kam bërë ultrazërin e abdomenit ku i ka dal diagnoza cystitis acuta, ftohje në kanalet e urinës. Tash ia kemi bërë urinokulturën, por ende se kam marr rezultatin.
Ju lutem doktor, a është kjo diçka serioze si dhe te cili mjek të drejtohem me rezultate të analizave, pediatri, urologu apo gjinekologu. Vajza ime ka humbur shumë në peshë dhe është zbehur shumë si dhe nuk po han thuajse asgjë si dhe natën nuk po e bën gjumin e rehatshëm, qan, bërtet në gjumë si dhe shqelmon. Gjatë ditës është më shumë agresive se herëve tjera.
Jam duke i dhënë vetëm qaj cranberry.
Ju lutem për përgjigjeje sa me te shpejtë. Me respekt.

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, keni të drejtë të shqetësoheni për shëndetin e vajzës suaj. Megjithatë, ju jeni në rrugën e duhur. Duhet t’i pritni rezultatet e urinokulturës dhe në bazë të tyre duhet edhe të veprohet. Mirë është që të konsultoheni me kirurgun pediatrik ose me mjekun pediatër-nefrolog. Ndoshta duhet bërë edhe ekzaminime tjera shtesë radiologjike, patjetër që duhet bërë analiza laboratorike, prandaj paraqituni tek mjekun përkatës.


Përshëndetje. Djali im ka 12 vjet dhe ka organin gjenital shumë të vogël dhe e shoh se kjo iu ka bërë brengë ngase shokët e tij kanë filluar edhe ta ngacmojnë për këtë. Pyetja ime është se pasi është djali ende pa hy në pubertet a ekziston ndonjë hap apo operacion që i mundësohet që organin gjenital të arrin madhësinë e duhur. Djali ka filluar të stresohet për këtë. Besoj se do te kem ndonjë përgjigje prej juve.

PËRGJIGJE:
Ne nuk e dimë se a e ka vërtetë djali juaj penisin e vogël, apo vetëm ka vonesë në “zgjimin” e pubertetit, për këtë ju duhet të lajmëroheni tek kirurgu pediatrik për ekzaminim të penisit të djalit tuaj, eventualisht për të kërkuar statusin hormonal, në bazë të të cilit dhe përcaktojmë mënyrën e trajtimin. Pra, lajmërohuni tek kirurgu pediatrik sa më parë. Përshëndetje.


I nderuari doktor. E kam djalin 3 vjeç e gjysmë. Para 5 jave ka pasur një ngërç që ka zgjatë 5 min dhe qitke shkumë prej goje.
Pres mendimin tënd. Merita
.
PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, problemet e ngërçeve i trajton dhe i njeh më së miri pediatri, jo kirurgu pediatrik, prandaj ju duhet ti drejtohuni mjekut pediatër.


E nderuara redaksi dhe i nderuari Dr.Dëfrim. Çka duhet të përdorin fëmijët që të rritet imuniteti i tyre?
Edhe një pyetje. Kur fëmijët vrapojnë dhe djersiten thuhet se nuk bën të pinë ujë. Mund të më tregosh si ndikon kjo në fëmijët.
Faleminderit "telegrafit" dhe doktorit.
Me respekt, Fejzullahu.

PËRGJIGJE:
I nderuari z. Fejzullah, pyetjet e tua janë me vend, por më shumë i takojnë pediatrit. Megjithatë, për të pasur fëmija imunitet të forte, ushqimi është ai që ndihmon. Pra, ushqimet e pasura me vitamina dhe proteina janë çelësi i suksesit. Të gjitha zarzavatet e gjelbra, frutat e freskëta, mishi i zier i vicit, e në veçanti mishi i peshkut duhet të konsumohen në mënyrë të vazhdueshme. Duhet shmangur ushqimi i njëtrajtshëm dhe ai me shumë kalori, sidomos karbohidratet (duhet shmangur ëmbëlsirat). Sa i përket djersitjes, kjo çon në humbjen e lëngjeve trupore, e si rrjedhojë edhe nxit ndjenjën e etjes, prandaj nuk është gabim që të pihet ujë pas djersitjes së theksuar, përkundrazi. Fëmijët janë të brishtë dhe përqindja e ujit në organizmit e tyre është shumë më e madhe se tek të rriturit, për pasojë edhe humbjet e tij çojnë në prishje të shpejtë të ekuilibrit të ujit dhe elementeve tjerë. Prandaj, duhet patur kujdes sidomos gjate vapës.


Ju përshëndes i nderuar doktor Dëfrim. Quhem Nadim Gashi, kam një vajzë dy vjet e gjysmë dhe vuan nga bajamet, ka një vit e gjysmë qe ka probleme me bajame. Tash qe një muaj e gjysmë është e sëmurë dhe nuk po përmirësohet, bajamet i ka të fryra, strishoja ka dalë mirë, nuk ka ndonjë baktere në fyt apo hundë. Në gjumë ka një ngërhamëz dhe merr frymë shumë me vështirësi, hunda nuk po i lirohet. Të gjitha analizat kanë rezultuar mirë. Vajzës kur sëmuret i rritet temperatura gati në 40 dhe kohët e fundit ka nisur të shpeshtohet, gati çdo muaj jam i detyruar t’i jap antibiotikë dhe supozitor.
Ju lutem, nëse ka mundësi të më përgjigjeni në këtë pyetje, sepse jam shumë i brengosur.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
I nderuari Nadim, kjo pyetje duhet drejtuar specialistit të ORL-së, sepse ata janë të thirrur për këtë regjion të organizmit të njeriut. Pra, për të ditur saktë se a ka nevojë vajza juaj për trajtim konzervativ apo intervenim kirurgjik, duhet bërë ekzaminime të nevojshme, të cilat i kryen specialisti i ORL-së me mjetet përkatëse. Megjithatë, në moshën e vajzës suaj, duhet patur durim dhe duhet ndjekur këshillat që i jep mjeku i ORL, sepse në shumë raste mund të shmanget operacioni.


Përshëndetje doktor e kam vajzën 3.5 vjeç. Në moshën kur i ka pas 1 vit e 10 muaj e kemi zbuluar se e ka echeria coli me anë të analizës së urinokulturës. Pas marrjes së dy antibiotikëve dhe çajit të Bosnjës, i ka kaluar edhe përnjëherë u plotësua me peshë. Mirëpo, tash qe disa muaj ka filluar të urinoj shpesh edhe kur t’i vjen s’mundet me e mbajt urinën, i lag teshat. Para një jave kishte temperaturë, i vinte me vjell dhe thoshte se ka dhimbje barku. Tash ia kam bërë ultrazërin e abdomenit ku i ka dal diagnoza cystitis acuta, ftohje në kanalet e urinës. Rezultatin e urinokulturën, ende se kemi marrë.
Ju lutem doktor, a është kjo diçka serioze si dhe te cili mjek të drejtohem me rezultate të analizave, pediatri, urologu apo gjinekologu. Vajza ime ka humbur shumë në peshë dhe është zbehur shumë si dhe nuk po han thuajse asgjë si dhe natën nuk po e bën gjumin e rehatshëm, qan, bërtet në gjumë si dhe shqelmon. Gjatë ditës është më shumë agresive se herëve tjera.
Jam duke i dhënë vetëm qaj cranberry.
Ju lutem për përgjigjeje sa me te shpejtë. Me respekt.

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, keni të drejtë të shqetësoheni për shëndetin e vajzës suaj. Megjithatë, ju jeni në rrugën e duhur. Duhet t’i pritni rezultatet e urinokulturës dhe në bazë të tyre duhet edhe të veprohet. Mirë është që të konsultoheni me kirurgun pediatrik ose me mjekun pediatër-nefrolog. Ndoshta duhet bërë edhe ekzaminime tjera shtesë radiologjike, patjetër që duhet bërë analiza laboratorike, prandaj paraqituni tek mjekun përkatës.


Faleminderit doktorë për përgjigjeje, pasi që ta kam bërë këtë pyetje më parë, pas disa ditësh e kam marr rezultatin e urinokulturës ku nuk ka dalë se ka baktere në urinë dhe jam duke i dhënë vajzës vetëm çaj të boronicës së kuqe me mjaltë si dhe një kohë i kam dhënë vitamina. Tash është më mirë, nuk po urinon shpesh edhe po fle rehat, mirëpo vetëm kur kërcen dhe ndien të ftohtë, prapë menjëherë fillon mu lagë shpesh, dhe nuk mundet me majtë urinën.
A është e nevojshme pas kësaj gjendje që ta kam përshkruar, me ia bërë edhe ekzaminimet radiologjike dhe analizat? Dhe nëse po cilat?
Me respekt, Ganimetja.

PËRGJIGJE:
Zonja Ganimete, siç iu kam thënë edhe më parë, ju duhet të konsultoheni me kirurgun pediatrik për të vendosur apo jo për analiza shtesë, prandaj paraqituni tek ne, me të gjitha dokumentet e deritashme të raporteve dhe analizave që i keni bërë. Një prej sëmundjeve të mundshme mund të jetë “rikthimi i urinës prej fshikëzës drejt veshkave” ose “ refluksi vezikoureteral” e që vërtetohet me një ekzaminim radiologjik që quhet “cistografia miksionale”. Por, këtë do ta vendosim pas konsultës me kirurgun pediatrik.
Përshëndetje. Dr Dëfrimi.

Përshëndetje. Djali im 2 vjeç është mjaft i zhvilluar, ka gati 50 kg, por më duket që për peshën dhe moshën qe e ka, penisin e ka shumë të vogël, sidomos pasi që është bërë synet më duket se fare nuk i është zhvilluar.
Të lutem, a mund të më tregoni arsyen apo më preferoni ta bëj një vizitë tek ju.
Me respekt, Drita.

PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë. Mosha 12 vjeçare nuk nënkupton që djali juaj duhet të zhvillohet nga aspekti seksual, sepse disa djem fillojnë pubertetin pak më vonë, prandaj nuk duhet të shqetësoheni. Pastaj, ju thatë që ai peshon 50 kg, ndoshta është pak i shëndosh, ose mbipeshë. Në këto raste penisi është i zhytur në dhjamë dhe nuk vërehet mirë. Prandaj, për t’i shmangur keqkuptimet duhet patjetër ta sillni djalin tuaj për një vizitë tek kirurgu pediatrik.

Përshëndetje doktor Dëfrim. Së pari ju përshëndes dhe ju dëshiroj shëndet dhe punë të mbarë. Djali im 3 muajsh tani, është diagnostikuar me "Glandular Hypospadia". Më kanë thënë se i duhet një intervenim kirurgjik kur t’i mbush 1 vit, por unë dëshiroj që nga ju të marrë informacione më shumë për këtë defekt në lindje, lidhur me intervenimin se si zhvillohet, a janë të zakonshme këto intervenime te ne, cilat janë gjasat që ai mos të ketë asnjë pengesë në të ardhmen, e kështu me radhë.
Duke e ditur se është një vend shumë i ndjeshëm, besoj se është e natyrshme që të brengosem për të. Besoj se do ta merrni në konsideratë brengën time.
Unë iu falënderohem paraprakisht, telegrafit dhe doktorit.
Me respekt, babai i brengosur.

PËRGJIGJE:
Hipospadia është anomali e zhvillimit të uretrës (kanalit që nxjerr urinën prej fshikëzës urinare jashtë, në majën e penisit). Hipospaditë klasifikohen si të përparme dhe të pasme. Këto të fundit janë më komplekse dhe më të vështira për tu operuar. Pra, djali juaj ka llojin e hipospadisë së përparme dhe është me fat. Rasti i djalit tuaj ka prognozë shumë të mirë, edhe funksionimi i tij seksual në të ardhmen do të jetë i mirë. Por, intervenimi kirurgjikal është i pashmangshëm, sepse përveç arritjes së funksionalitetit të penisit, ka të bëjë dhe me aspektin psikologjik. Fëmijët duke filluar shkollën dhe shoqërimin me të tjerë, si dhe duke u futur në pubertet, eksplorojnë “horizonte të reja” duke përfshirë edhe identitetin e tyre seksual. Nëse ata vërejnë që trupi i tyre ndryshon në krahasim me të tjerët, do të lindin probleme serioze psiko-sociale. Këta fëmijë janë të prirur për t’u mbyll në vete, duke ngecur edhe në mësime, etj. Ju them me bindje të plotë që ky lloj operacioni bëhet me shumë sukses nga kirurgët pediatrik të Kosovës. Por, gjithmonë ekziston mundësia e komplikimeve.
Me respekt, dr.Dëfrimi.

Faleminderit për kohen tuaj doktor i nderuar. Vajza ime është diagnostikuar me Hernie, mirëpo për një operacion të mundshëm në spital mjeku më ka thënë se duhet të pres një kohë prej 2 vitesh (për shkak të radhës), ju lutem a është rrezik nëse e operoj në ndonjë ordinancë private apo duhet të pres ta operoj në spital. Si të veproj…
Me respekt, Albina.

PËRGJIGJE:
Hernia inguinale është sëmundja më e shpeshtë e operacioneve rutinore, që bëhen përditë. Nuk është urgjencë, por ekziston rreziku që kjo sëmundje të bëhet e tillë. Kur? Nëse në defektin e pranishëm futet zorra e hollë, ose e trashë, ose në rastin e vajzave mund të futet edhe vezorja, atëherë, duhet dërguar urgjent vajzën tek mjeku familjar. Ai e konstaton këtë gjë dhe ju do të udhëzoheni tek kirurgu pediatrik me urgjencë.
Si mund ta vëreni ju këtë gjë? Vendi i fryrjes do të fryhet më shumë, do të jetë ë fortë, e skuqur dhe e dhimbshme nëse e prekni. Poashtu, vajza juaj do të ketë dhimbje të vazhdueshme të forta dhe të vjella. Nëse i vëreni këto shenja tek vajza juaj, atëherë duhet të veproni. Përndryshe ju mund të pritni. Ky operacion bëhet me shumë sukses edhe në spitalet private të Kosovës, por mbani mend: ai që do ta operoj vajzën tuaj duhet të jetë kirurg pediatrik!

I nderuari doktor. Kam një djalë 6 vjeçar dhe ka një shqetësim të përditshëm, ka kruarje në prapanicë, më saktësisht në anus. Ja kam bërë analizat më shumë se 10 herë, por asnjëherë nuk i ka dale që ka parazit.
Ju lutem nëse mund të më ndihmoni me ndonjë këshillë, do t’ju isha shumë mirënjohëse.
Ju faleminderit.
PËRGJIGJE: E nderuara zonjë. Për këto probleme duhet bërë disa analiza laboratorike, të cilat ju veç i paskeni bërë, por nëse këto rezultojnë normale, atëherë duhet bërë një konsultë tek kirurgu pediatrik. Duhet bërë ekzaminimin e regjionit anal me sy dhe me gisht për të eliminuar ndonjë sëmundje patologjike. Prandaj, konsultojeni kirurgun pediatrik.

E kam vajzën 3 veç, ankohet prej zorrës së trashë. Pas lindjes kishte probleme, past bëri më mirë, por tani sërish ka të njëjtin problem, ndodh që nga dy javë nuk e kryn nevojën e madhe. Mjeku në Gjilan na ka udhëzuar t’ia bëjmë Irigografinë, sepse e ka zorrën më të gjatë. Mjeku në Prishtinë thotë se vajza nuk e ka zorrën më të gatë, por e ka fundin e zorrës të ngushtë. Ka përdorë supp.glicerini ½, pa ndonjë sukses. As çajet në ushqim nuk i ndihmojnë. Vajzës duhet bërë vazhdimisht klizmat.
Të lutem doktor, pres përgjigjen dhe ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
Zonjë, për të të thënë saktë se a ka problem kirurgjikal apo jo vajza juaj, duhet ekzaminuar nga kirurgu pediatrik me ekzaminim digitorektal. Incizimet që i keni bërë patjetër që përjashtojnë disa sëmundje të cilat mund të japin kapsllëk të vazhdueshëm. Nëse ekziston anomalia anatomike, psh. kanali i ngushtë në fundin e zorrës, intervenimi kirurgjikal është i pashmangshëm dhe duhet bërë menjëherë dhe jo të pritet deri në moshën 12 vjeçare. Prandaj, duhet konsultuar kirurgun pediatrik për vlerësim të mëtejmë. Ekzistojnë protokolle të caktuara edhe në lidhje trajtimin konservativ (jokirurgjik), gjithmonë nëse përjashtohet nevoja për ndërhyrje kirurgjikale. Nuk duhet bërë vazhdimisht klizmat, siç thoni ju! Njëkohësisht duhet përmirësuar dietën.
Me nderime, Dr. Dëfrimi

Përshëndetje doktor i nderuar! Shqetësimi im është për djalin tim 10 muajsh. Prejse ka lindë ne si prindër kuptuam që fëmija kishte probleme me testikujt, ai i ka ato të dyja lartë dhe penisin të vogël. Pas vizitës tek një mjek obstetër-gjinekolog tek i cili iu bë vizita dhe echo, djali mori dy injeksione dhe mjeku na rekomandoi ta bënim synet. I bëmë gjilpërat dhe e bëmë synet dhe gjendja është po ajo. Madje na duket sikur organi i është fshehur krejt. Vlen t’ju them që djali është me mbipeshe dhe kur ia shtypim fundin e barkut, i dalin testikujt.
Ju lutem më thoni a ka zgjidhje ky problem e si duhet të procedojmë.
Pres me ankth përgjigjen tuaj. Ju falënderoj për kohën dhe përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuara zonjë, djalin tuaj duhet ekzaminuar mjeku specialist përkatës, kirurgu i fëmijëve (ose në mungesë të tij urologu) dhe duhet konstatuar madhësia e penisit të djalit tuaj, si dhe prania ose jo e testiseve në qesen skrotale (herdhe). Përveç ekzaminimit fizik duhet bërë Eko-ja nga radiolog i kualifikuar i cili vlerëson pozitën e testiseve, madhësinë e tyre, si dhe qarkullimin e gjakut të tyre. Mund të jetë e nevojshme të bëhen edhe analiza laboratorike, konkretisht statusi hormonal. Në bazë të këtyre të dhënave mund të arrijmë në diagnostikimin e saktë, si rrjedhojë edhe në trajtimin adekuat. Mosha adekuate e intervenimit kirurgjikal tek testikujt e ngecur lartë është deri në moshën 2 vjeçare, jo më vonë. Tek djemtë me mbipeshë penisi gjithmonë është i zhytur dhe mund të na çorientonte në keqdiagnostikim. Pra, si përfundim duhet konsultuar mjekun përkatës dhe në bazë të vlerësimit të gjithëmbarshëm mund të arrijmë rezultate të shkëlqyeshme. Përshëndetje.

I nderuari doktor, fëmija im është dy vjet e gjysmë dhe pediatri i tij konstatoi se testikujt e tij gjenden në bark, ai këtë e konstatoi duke bërë palpimin me dorë.
Ju lutem, a mundet kjo të konstatohet në këtë mënyrë si dhe i caktoi të përdor injeksion Pregnyl 1200 njësi, nëse nuk gaboj, çdo javë një herë (brenda tri jave), për t’i zbritur testikujt poshtë
Doktor, sa mund të ketë sukses kjo dhe a mund të paraqiten probleme nëse do të operohej.
Me respekt dhe falënderime, Linda.

PËRGJIGJE:
Gjatë zhvillimit intrauterin (brenda mitrës) testikujt tek djemtë ndodhen brenda në barkun e tyre. Pak para lindjes ata zbresin në vendin adekuat të tyre, e që është qesja skrotale (herdhja). Në të shumtën e rasteve ngecja e testikujve ndodh gjatë rrugës së zbritjes së tyre, domethënë në kanal, ose pak mbi qesen skrotale.
Në raste shumë të rralla testikujt mund të ngecin brenda në hapësirën e barkut. Në këto raste një ekzaminim i duhur me Eko, na tregon lokalizimin e tyre, madhësinë e tyre, qarkullimin e gjakut. Hormonoterapia kohëve të fundit në botën perëndimore, sidomos në Amerikë ka filluar të braktiset, sepse rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme, por gjithsesi ia vlen të provohet. Mendoj që intervenimi kirurgjikal do të jetë i pashmangshëm, por ti presim rezultatet e trajtimit dhe pastaj patjetër duhet konsultuar kirurgun pediatrik. Ju duhet ta dini që mosha e djalit tuaj është e përshtatshme, sepse nëse nevojitet intervenim kirurgjikal mosha e preferueshme është deri në 2 vjeç. Përshëndetje.

Përshëndetje, i nderuari mjek. Ju uroj për këto përgjigje shume te qarta dhe ju faleminderit. Kam një pyetje e mundësisht të më përgjigjeni. Unë kam djalin një vjeç e gjysmë. Kur kam lindur, mjekët kanë thënë se ka problem, gjegjësisht ka një kanal me te ngushtë urinar.
Desha ta dijë a mundet kjo te jetë pasojë e infeksionit gjatë shtatzënisë, edhe pse unë analizat i kam përcjell çdo herë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, kanalet e urinës, si dhe të gjitha organet tjera të organizmit të njeriut zhvillohen gjatë tre mujorit të parë të shtatzënisë. Kjo është periudha kur ndikimet e faktorëve të ndryshme tek shëndeti i nënës, mund të ndikojnë direkt në keq-zhvillimin e organeve të caktuara të bebes. Në këtë kontekst, edhe infeksionet e ndryshme mund të ndikojnë në anomali të ndryshme. Por, ngelet të hulumtohet çfarë problemi në fakt ka djali juaj, pavarësisht ecurisë së shtatzënisë suaj. Pra, ju duhet ti drejtoheni kirurgut pediatrik (të fëmijëve) për ta konsultuar në lidhje me këtë problem.

Ju drejtohem për vajzën e vëllait e cila është 2 vjeçe dhe ka një problem me jashtëqitje.
Problemi është se vajza nuk mund ta kryej me rregull jashtëqitjen qe 2 muaj dhe atë e kryen me mundime te mëdha. Gjithashtu, ka pasur jashtëqitje me gjak, por gjaku nuk ka qenë shumë i përzier me jashtëqitje, ndërsa që nuk dihet se ku qëndron problemi.
Ne kemi dërguar në vizitë te mjeku i cili e ka kontrolluar. Mjeku pediatër ka udhëzuar disa analiza, të cilat kane qenë ne rregull. Megjithatë, pediatri kishte një vërejtje se vajza kishte sasi të ulët të hekurit dhe anemi. Ai ka urdhëruar te përdoren disa ilaçe që vendosen në zorrë të trashë para jashtëqitjes, me siguri që ta lehtësoj jashtëqitjen, por prapë se prapë jashtëqitja ka shkuar me vështirësi dhe mundime të mëdha, gjë që në kohën e jashtëqitjes tani po shkakton frikë tek vogëlushja 2 vjeçare .
Neve na duhet këshilla e juaj se çka duhet ajo të përdor dhe si të veprojmë ne për këtë vajzë.
Nëse është e mundur, ju lutëm na këshilloni.

PËRGJIGJE:
I nderuar, problemet e jashtëqitjes në moshën 2 vjeçare mund të jenë të natyrës jo serioze dhe ka të bëjë me mënyrën e ushqyerjes. Ndërsa, në rastet kur këto probleme fillojnë qysh pas lindjes, mund të ketë dyshime për sëmundje të lindura të zorrës së trashë, çka nënkupton që mund të ketë nevojë për intervenim kirurgjikal. Pra, në rastin e vajzës së vëllait tuaj besoj që problemi do të jetë dietetal dhe trajtohet me barna. Por, për të qenë të sigurt, duhet ekzaminuar me parë pacienten, duhet marr të dhëna të sakta nga prindi i saj në lidhje me problemin në fjalë dhe pastaj duhet të përshkruhen barnat eventuale. Me shumë rëndësi është ushqimi adekuat i fëmijëve. Me respekt, Dr. Dëfrimi.

Përshëndetje, jam një nënë e shqetësuar për djalin tim 7 vjeçar. Vuan me hipospadia. Kur ishte 3 vjeç është operuar në Tiranë, e kishte daljen e urinimit 1cm më poshtë. Javën e parë funksionoi mirë, e bënte urinën në kanalin që iu hap, pastaj iu mbyll atje dhe iu hap pak më poshtë. Tani i ka vajtur 5mm. Jam shumë e shqetësuar, ka problem apo ndonjë ndërhyrje tjetër. Kur bën urinimin, ka filluar të ankohet që ka dhimbje.
Ju lutem merreni në konsideratë shqetësimin tim dhe më kthe një përgjigje.

PËRGJIGJE:
E nderuar, sëmundja e hipospadisë është një sëmundje shumë delikate në aspektin e realizimit të operacionit kirurgjikal, gjithashtu mund të jetë shumë delikate në aspektin e zhvillimit të shëndetshëm psikosocial tek djemtë. Duhet theksuar se trajtimi kirurgjikal i hipospadive shoqërohet me një shkallë të lartë të komplikacioneve postoperatore, e më e shpeshta është fistula (hapja e një vrime të re midis kanalit të derdhjes së urinës dhe lëkurës së penisit) që shkon deri në 15%. Prandaj, në raste të tilla indikohet reintervenimi kirurgjikal. Pra, në rastin e djalit tuaj zonjë, duhet rivlerësuar nga kirurgu pediatër se ku është kjo vrimë e re, sa është e gjerë (apo e ngushtë) dhe se a duhet bërë reintervenimin kirurgjikal.

Përshëndetje doktor. Kam djalin 3.5 muaj, para dy jave nga pediatri është vërejtur infeksion në penis. Pas shumë analizave të bëra si dhe urinokulturës, rezutati është: klebsiella pneumoniae. Sipas urologut, nuk mund të bëhet synet për arsye se duhet te shërohet infeksioni me antibiotikë. Është hera e dyte që merr antibiotikë (cefixime).
Doktor, të lutem, më informo më shumë.

PËRGJIGJE:
Rasti i djalit tuaj është rast mjaft i shpeshtë. Duhet thënë që në moshën e djalit tuaj lafsha e penisit gjithmonë është e ngjitur me kokën e penisit, prandaj edhe mundësia për tu zhvilluar infeksioni ekziston. Në fazën e infeksionit akut nuk është e preferueshme të realizohet syneti, por së pari duhet shëruar atë. Infeksioni shërohet duke bërë tualetin e duhur të penisit fillimisht nga mjeku specialist i kualifikuar dhe pastaj ky lloj pastrimi vazhdohet në shtëpi nga ana e prindit, sipas këshillave të dhëna të specialistit në fjalë. Poashtu shpesh lind nevoja e përdorimit të antibiotikut lokalisht në formë të yndyrës. Njëkohësisht, përderisa është izoluar ky lloj bakteri në urinokulturë, patjetër që duhet trajtuar me antibiotik nga goja, minimalisht shtatë ditë, sipas antibiogramës.
Përshëndetje. Dr.Dëfrimi

Kam vajzën tre vjeçare, çdo herë në analizat e urinës dalin proteina me dy ++ dhe me shumë eritrocide. Nefrologu i ka dhënë dg.Hematuri më herët, kurse tash glomerulopathy. Nuk ka infeksion dhe ultrazëri dhe rëntgeni i veshkave i ka dalë mirë. Disa më kanë thënë t’i bëj cistografi miksionale disa biopsinë, disa edhe të vizitoj gjinokologun. Ju lutem, çfarë më thoni të bëj dhe çfarë analize shtesë duhet t’i bëj vajzës. Ju lutem më tregoni sa më parë si të veproj.
Nëna e brengosur.
Minirja.

PËRGJIGJE:
Zonja Minire, pyetja ime është se i keni bërë vajzës urinokulturën dhe a është trajtuar për këtë gjë? Nëse jo, atëherë duhet bërë. Patjetër që duhet bërë analiza shtesë, njëra ndër to duhet të jetë edhe cistografia miksionale, ndoshta edhe ndonjë ekzaminim shtesë. Por, këtë gjë duhet bërë në koordinim me kirurgun pediatrik dhe pediatrin nefrolog.

Përshëndetje. Para pak kohesh kam zbuluar se djali im 3 vjet e gjysmë vuan nga kriptorhidizmi. E kam pasur në kontroll dhe mjeku nuk mundi të palpoj asnjërin testis të tij. Më ka këshilluar që ta operoj, por deri atëherë nuk më zihet vendi vend.
Çka të bëj nëse djali im nuk ka testikuj fare? Si shkon terapia, a keni pasur ndonje rast dhe a mund të jetojnë këta persona normalisht, a mund të kenë marrëdhënie seksuale dhe fëmijë?
Ju faleminderit shumë!
Prindi i brengosur

PËRGJIGJE:
I nderuar prind, nëse djali juaj është diagnostikuar me këtë diagnozë, intervenimi kirurgjik është i pashmangshëm. Por, nëse nuk preket asnjëri testis në qesën skrotale, atëherë duhet bërë ultrazërin për ti gjetur këta testikuj, të cilët mund të gjinden brenda hapësirës së barkut. Në raste të tilla, trajtimi është më kompleks. Nëse testikujt janë brenda kanalit (që ne mjekët i themi kanali inguinal), atëherë me operacion ata zbriten në qese dhe rezultatet zakonisht janë të mira. Sipas rregullit, mosha optimale e operimit të këtyre fëmijëve është deri në 2 vjeç, megjithëse mosha e djalit tuaj është e pranueshme. Këta fëmijë rriten normal dhe aftësia për të lënë pasardhës varet nga gjendja e testiseve e sidomos nga vonesa e intervenimit kirurgjikal. Pra, po e theksoj, e rëndësishme është që intervenimi të kryhet sa më herët që është e mundshme. Prandaj, konsultojeni kirurgun pediatrik, i cili është specialist i thirrur pikërisht për problematika të tilla.
Me nderime, Dr Dëfrimi.

I nderuar doktor, kam djalin 4 vjeç dhe tani vumë re që urinon në një vrimë rreth gjysmë centimetri, afër vrimës kryesore. Kirurgët më thanë qe kjo quhet hipospadi dhe duhet operuar. A është i suksesshëm operimi dhe e paraqet rrezik.
Ju vet keni kryer operacion të tillë. Harrova të them që djali ka lindur i bërë synet, me kokën të zhveshur, jo plotësisht.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Të nderuar familjarë, problemi i fëmijut tuaj pikërisht është hipospadia, e që është një anomali e lindur e penisit. Ka dy lloj hipospadish, proksimale-ku vrima është shumë afër rrënjës së penisit dhe shoqërohet edhe me moszhvillim adekuat të trupit të penisit dhe distale-vrima është më afër majës së penisit dhe trupi i penisit është zakonisht mirë i zhvilluar. Këto të fundit kanë prognozë më të mirë dhe suksesi i trajtimit kirurgjikal është më i mire. Në bazë të asaj që treguat, djali juaj e ka formën distale të hipospadisë, si rrjedhojë dhe suksesi i trajtimit do të jetë më i madh, megjithatë duhet sjellur djalin për një vlerësim sa më objektiv, pastaj mund të bisedojmë për mundësinë e komplikimeve. Përvoja jonë ëshë shumë e mirë dhe rezultatet i kemi të njëjta edhe me vendet shumë më të zhvilluara se Kosova, megjithatë mundësia e komplikimeve shkon deri në 20%.
Me respekt, Dr Dëfrimi.

Doktor, vajza ime është operuar para një muaji prej dy ngushtimeve të kanalit të urinës Dg.Stenosis juxtavesicalis, por ka probleme me urinin të shpeshtë (brenda 2 min urinon). Para, gjatë dhe pas urinimit, ka dhimbje dhe djegësi, sidomos gjatë natës më shumë. Është duke përdorur acid nalaksidik, Bactogram.
Çka mendoni ju se si të veproj më tutje?
Ju falënderoj për një përgjigje sa më të shpejt.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Mua me intereson mosha e vajzës tuaj e cila është mjaft e rëndësishme për sëmundjen në fjalë. Një muaj pas operacionit është ende herët që ta bëjmë një vlerësim adekuat. E para që duhet të bëni është urinokultura me antibiogram. Pas kësaj duhet të konsultoheni me kirurgun tuaj pediatrik për evaluimin e mëtejmë të fëmijut tuaj. Është e nevojshme të përsëritet ultrazëri, apo/dhe cistografia miksionale për të parë gjendjen e fshikëzës urinare.
Ju këshilloj që t’i jepni fëmijës tuaj sasi të konsiderushme të lëngjeve, qoftë çajëra apo lëngje të ndryshme. Vet operacioni i vajzës tuaj ka qenë një traumë mjaft e madhe për organizmin e saj, prania e kateterit urinar etj. prandaj, në konsulltë të vazhdueshme me kirurgun tuaj pediatrik, besoj që do ta zgjidhni këtë problem.
Me respekt, Dr Dëfrimi.

Përshëndetje doktor. Djalit tim 5-muash, i është paraqitur Hernia Inguinale, në anën e djathtë; nuk ka dhimbje, as temperaturë. Djali ka përdorur antibiotikë për shkak të kollitjes, por ka vështirësi gjatë kryerjes së nevojës së madhe dhe ka gazra.
Jam konsultuar me disa kirurg dhe pediatër. Kirurgët më thonë që duhet operuar, pediatri më rekomandon që pasi nuk ka dhimbje, duhet pritur që hernia të zhvillohet. Unë, thjeshtë, jam në udhëkryq.
Ju lutem më jepni një këshillë pasi kam besim tek ju.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. E kuptoj shqetësimin tuaj, sepse raste të tilla kemi shumë dhe poashtu kemi shpesh edhe prindër të shqetësuar. Hernia inguinale është sëmundje shumë e shpeshtë tek fëmijët, sidomos tek djemtë dhe është sëmundje e lindur. Kjo sëmundje vie për shkak të mosmbylljes së kanalit inguinal, pas zbritjes së testisit prej pozitës së tij brenda barkut, drejt pozitës përfundimtare në herdhe, apo qese. Prandaj, kapsllëku nuk është shkak i s&

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori