LAJMI I FUNDIT:

Dorëzimi…

Dorëzimi…

Maqedonësit t’i trajtojnë mirë shqiptarët, se, ndryshe, do shpërbëhet shpejt krijesa e tyre. Ky refren i mërzitshëm, tashmë ka fituar aureolin e çelësit që do të zgjidhte nyjën e këtij “tampon shteti” të paaftë për jetë. Do ta thoshte këtë kërcënueshëm dhe Dioguardi, dalëzotësi i konsumuar i shqiptarëve.

Pa e ftilluar hollë, kjo përqasje ndryn në vete dy përskajime deshpëruese: e para, sepse shteti shpallet e nuk është pronë apo shenjë identifikimi etnik të sllavëve. Dhe e dyta, sepse pozicionimi politik ekuivalent, kërkohet e nuk gjendet m’udhë mëshire si prurje e ngrohtë e vullnetit të mirë.

Rrjedhimisht, është etabluar kështu kultura e humanitarizmit për të formatuar, eksponuar e mbrojtur interesat kombëtarë. E kjo do të nënkuptojë, tutje, se të drejtat tabelohen vlerësisht: në ato që, për mëshirë e paqëtim, u jepen shqiptarëve dhe në ato që ata nuk dijnë ti gëzojnë dhe, ndaj, rezervohen vetëm për “Leit-Kulturën” e komunitetit hegjemon.

Por si mësojnë përvoja e jetuar dhe lektyrat shkollore, sundtarët nuk luten – por detyrohen, pastaj e drejta e liria nuk dhurohen – por merren dhe, së fundmi, ato nuk minojnë – por përligjin ekzistencën, e cila do të humbasë të drejtën e qenies, kur humbet më parë kuptimi i saj.

Shqiptarët në Maqedoni (fundja si kudo në tuallin arbnor) vuajnë mendësinë e pajtuar dhe, gati identitare të të dytit. Pasvajtja është rrjeshtimi politik amorf i tyre: nuk i krijojnë proceset veç i ndjekin ato dhe, poashtu, nuk i ndryshojnë situatat, veç u përshtaten atyre me përfitime të vocërra mbijetese. Ndërkaq e ardhmja pret prorë ditën e nesërme që shpresohet të vjen nga Hir i epërm…

Në çaste të rënjes që s’ndalon dot, ende përtypet përjargshëm Ujdia e vjetër që përcaktonte kuantumin e lirisë së kontrolluar. Por “Ohri” është shuar. Si nuk e kap, vallë, këtë fundnajë nervi historik i kohës? E pra, ti referohesh Marrëveshjes së tij është si të kërkosh gjak infuziv nga një kufomë e ftohur qyshkur. Shkronjën e saj, që këtej, evokojnë mallëngjyeshëm vetëm ata që janë dorëzuar – pa ide, pa fantazi e pa shpirt flijimi, duke zgjedhur vullnetarisht statusin e rrallë, atipik e të ndërmjetëm: midis jetës e vdekjes..!

E kush, si dhe pse aherë do ta zhbënte sajesën shtetërore të Maqedonisë? Ky popull që akcepton atë si i sëmuri dhimbjen e tij? Apo, mbase, demagogjia e analistëve dhe rropama merkantile e lobistëve?!..Askush. Ndoshta një ftomë, një stuhi e jashtme që do ti gjejë prapë shqiptarët statistë a, e shumta, pëshpëritës në teatrin e përgjakur…