LAJMI I FUNDIT:

Donald Trump po destabilizon dynjanë

Donald Trump po destabilizon dynjanë

Donald Trump është shumë krenar për paparashikueshmërinë e tij. Presidentit amerikan i pëlqen të mburret se, ndryshe nga Barak Obama, ai nuk ka ndërmend të sinjalizojë planet e tij para botës. Por, ndërsa Trump është në mesin e udhëtimit të tij të parë presidencial jashtë vendit, kostot e paparashikueshmërisë së tij po bëhen të qarta.

Shumë nga aleatët e Amerikës janë në gjendje konfuzioni dhe alarmi. Dhe kundërshtarët e SHBA, në veçanti Kina dhe Rusia, po shfrytëzojnë rrëmujën për të çuar përpara interesat e tyre.

Problemi është se Trump është i prirur t’i trajtojë vendet e tjera si biznese rivalë – që ose mund të përpiqesh t’i bësh për vete, ose t’i destabilizosh – teksa presidenti amerikan praktikon “artin e marrëveshjes”. Por në diplomaci, paparashikueshmëria mund të jetë e rrezikshme – veçanërisht kur ke të bësh me aleatët, që duhet të sigurohen për qëndrueshmërinë e qasjes së Amerikës ndaj botës. Këto shtete i kanë ndërtuar strategjitë e tyre globale, përreth një besimi në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e SHBA.

Kur Trump sugjeron se angazhimet kryesore të Amerikës – nga NATO-ja, tek Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e deri tek Amerika e Veriut – mund të mos jenë më të mbështetshme, ai dëmton besimin se vendet mund të mbështeten tek vetë Amerika. Dhe meqenëse aleancat e udhëhequra nga SHBA janë themeli i të gjithë sistemit ndërkombëtar të sigurisë, rezultati i kësaj, ka të ngjarë të jetë paqëndrueshmëria globale.

Fakti që Trump ka bërë deklarata qetësuese për aleatët në Arabinë Saudite dhe Izrael këtë javë – dhe mund të bëjë të njëjtën gjë edhe në Bruksel – nuk mund të fshijë pasigurinë që ai e ka krijuar tashmë.

Në fakt, bota tani po merret me tre nivele të pasigurisë së Trumpit. I pari ka të bëjë me politikat e presidentit amerikan. I dyti ka të bëjë me temperamentin e tij. I treti ka të bëjë me qëndrueshmërinë e tij. Me skandalet e shpërthyera në Uashington, tani ka pyetje legjitime, nëse Trumpi do të jetë ende në detyrë, brenda një viti.

Në nivelin e politikave, Trump ka bërë disa spërdredhje shastisëse, deri më tani. Gjatë udhëtimit të tij në Arabinë Saudite, ai e quajti Islamin “një nga besimet e mëdha të botës”, ndërkohë që më herët ka bërë thirrje për ndalimin e të gjithë muslimanëve që hyjnë në SHBA. Ai e ka shpallur NATO-n “të vjetëruar” dhe më pas ka deklaruar se nuk është më e vjetëruar. Ai e ka quajtur Kinën një manipulator të monedhës, dhe më pas ka ndryshuar mendje.

Ai ka dënuar ndërhyrjet humanitare në Lindjen e Mesme dhe më pas ka lëshuar raketa në Siri, për të ndëshkuar përdorimin e armëve kimike. Ai ka lavdëruar Brexit dhe më pas vlerësuar BE-në. Marrëdhënia e tij me Rusinë mbetet një gjëzë e mbështjellë brenda një enigme.

Është e vërtetë që Presidenti Obama gjithashtu është akuzuar herë-herë, për mosvazhdimësi kundrejt aleatëve. Duke nisur turneun e tij të huaj në Arabinë Saudite dhe Izrael, Trumpi po u shtrin dorën dy vendeve që u zemëruan veçanërisht nga administrata e Obamës.

Por, ndërsa sauditët dhe izraelitët janë pjesë e një grupi të vogël aleatësh amerikanë, të cilët u kënaqën nga fitorja e Trumpit – edhe ata kanë arsye për t’u ankuar për sinjalet e përziera që vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Në gjurmët e fushatës Trumpi u zotua të grisë marrëveshjen e armëve me Iranin – një marrëveshje që u kundërshtua fuqishëm nga sauditët. Por, pavarësisht nga fjalët e tij të ashpra në lidhje me Iranin në Riad, Trumpi deri tani po u përmbahet kushteve të marrëveshjes bërthamore. Ai gjithashtu kishte premtuar të lëvizte ambasadën amerikane në Izrael, për në Jerusalem, por tani duket se ka ndryshuar mendje.

Fakti që në të dyja rastet, presidenti amerikan ndoshta ka marrë një vendim të zgjuar, që të sprapset nga retorike e paarsyeshme e fushatës, nuk e ndryshon përshtypjen se, jashtë vendit dhe brenda tij, ai nuk është një njeri, fjala e të cilit mund të besohet.

Shqetësimet për personalitetin dhe temperamentin e Trumpit janë të lidhura me çdo tweet të sinqertë, që ai lëshon nga Shtëpia e Bardhë. Çdo aleat i SHBA do të duhet të mendojë dy herë para se të vendosë, nëse mund të mbështetet tek një angazhim nga administrata e tij. Po sikur presidenti të ndryshojë mendje? Dhe nëse presidenca e tij shkon për poshtë, a do të ketë një çmim për t’u paguar, për faktin që u afruan shumë me Shtëpinë e Bardhë të Trumpit?

Ndërsa shtohen pyetjet rreth rolit ndërkombëtar të Amerikës në epokën Trump, rivalët ndërkombëtarë të superfuqisë janë duke përfituar nga situata. Sergei Lavrov, ministri i jashtëm rus, vështirë se mund ta fshihte gëzimin dhe zbavitjen, kur vizitoi Trumpin në Zyrën Ovale. (Ky ishte rasti kur me sa duket, Trumpi i informoi vizitorët e tij se ai kishte shkarkuar drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve, sepse ai ishte një “totalisht i marrë”).

Rusia po shfrytëzon gjithashtu gjendjen e hutuar të perëndimit, për të avancuar në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme.
Kontrasti midis kaosit në Uashington dhe besimit në Pekin është po ashtu mbresëlënës. Në javën që administrata Trump u trondit nga pasojat e shkarkimit të James Comeyt, presidenti Xi Jinping ishte mikpritësi, në mbledhjen më të madhe të personaliteteve ndërkombëtare që kanë vizituar Kinën, që nga Olimpiada e Pekinit e vitit 2008.

Iniciativa e Kinës për të investuar miliarda në infrastrukturë në të gjithë Eurazinë, tërhoqi mbi 100 vende të interesuara, në kryeqytetin kinez. Nëse edhe gjysma e projekteve të premtuara dalin nga “fletët e vizatimit”, ato do të krijojnë një rrjet me qendër në Kinë, i cili do të ketë rëndësi të madhe ekonomike dhe gjeopolitike. Pasuria e Kinës, vizioni afatgjatë dhe besimi në të ardhmen, vetëm do të forcojnë zërat për një”shekull aziatik”. Ndërsa presidenca e Donald Trumpit rrezikon të bëhet simbol i rënies së perëndimit. /Financial Times – në shqip bota.al/

Në trend Botë

Më shumë
Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Evropa
Dodik kërkon dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë nga Bosnja

Dodik kërkon dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë nga Bosnja

Bosnja
Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Amerika
Putin me deklaratë qesharake: Jemi sulmuar, prandaj po luftojmë

Putin me deklaratë qesharake: Jemi sulmuar, prandaj po luftojmë

Evropa
Obama dhe Clinton i dalin në ndihmë Bidenit - një foto me tre presidentët amerikanë do të kushtojë 100 mijë dollarë

Obama dhe Clinton i dalin në ndihmë Bidenit - një foto me tre presidentët amerikanë do të kushtojë 100 mijë dollarë

Amerika
I kishin vendosur për ukrainasit, e pësuan vetë – rusët hidhen në erë nga minat që bashkëluftëtarët e tyre i kishin montuar për ushtarët e Kievit

I kishin vendosur për ukrainasit, e pësuan vetë – rusët hidhen në erë nga minat që bashkëluftëtarët e tyre i kishin montuar për ushtarët e Kievit

Evropa
Kalo në kategori