LAJMI I FUNDIT:

Dogana rritë të hyrat për 3.4 përqind më shumë se një vit më parë (Video)

Dogana rritë të hyrat për 3.4 përqind më shumë se një vit më parë (Video)

Dogana e Kosovës përkundër ndikimeve të shumta fiskale, Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe ndryshimeve të taksave doganore, ka arritur që për pesë muaj të këtij viti të tejkalojë të hyrat doganore.

Nga janari i këtij viti deri në qershor, ka realizuar të hyra 466 milionë euro apo rreth 16 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjte të vitit të kaluar. Këto i ka bërë të ditur drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha. Ai një intervistë për KosovaPress, ka thënë se me këtë trend do të arrijnë të përmbushin projeksionet e Qeverisë që e kanë mbi 1.1 miliard euro.


“Të dhënat flasin se për periudhën e njëjtë të këtij viti krahasuar me vitin paraprak, ne kemi një rritje prej 16 milionë euro deri tani. Nëse e marrim me përqindje është 3.40 përqind, ndërsa, në shifra nominale dogana ka grumbulluar deri me datën 22 qershor, 466 milionë euro që në vitin paraprak ka qenë 450 milionë euro.

Normalisht është fillim i rritjes së tregtisë së përgjithshme në Kosovë, që ka ndikuar në të hyrat e përgjithshme, ka ndikuar luftimi i ekonomisë jo formale, i kontrabandës edhe ngritja e kapaciteteve në luftimin e keqpërdorimin e mundshme nga ana e bizneseve. Tek disa biznese jo në përgjithësi të dokumentacioneve të dyfishta”, tha Berisha.

Ai tha se hyrja në fuqi e MSA-së vitin e kaluar dhe ndryshimet e taksave doganore nga Qeveria kanë pasur ndikim me rreth 20 milionë euro më pak të hyra.

“Nëse e marrim parasysh këtë vit edhe tre muajt e parë të këtij viti, kur është krahasuar me tre muajt e vitit të kaluar kur nuk ka qenë në fuqi MSA-ja , ose marrim parasysh këtë pesë mujor ndikimi i MSA-së ka qenë në taksën doganore rreth 11 milionë euro. Kemi plus rreth 8 milionë euro deri në 9 milionë për këtë përudhë ndikimi i lirimeve për prodhuesit që janë liruar nga taksat në bazë të politikave fiskale që ka marrë Qeveria në vitet paraprake .

Tregon që kemi një 20 milionë ndikime deri tani që drejtpërdrejtë ka shkuar tek bizneset dhe tek konsumatorët, që dogana nuk e ka grumbulluar atë taksë doganore. Përkundër gjitha këtyre dogana prapë ka arrit të tregon një përformancë të mirë të të hyrave. Niveli i taksave është i ngjashëm, vetëm është rrit efiçenca doganore e stafit doganor po edhe normalisht ka një rritje të vëllimit të tregtisë ”, tha Berisha.

Ndërsa sa i përket të hyrave që tashëm i kanë të projektuara në buxhetin e Kosovës, do të mund të realizohen ka thënë Berisha.

“Plani deri në fund të vitit projeksioni për doganë është 1 miliard e 108 milionë. Bazuar në trendët aktuale që janë duke shkuar, në të dhënat që i kemi momentalisht, edhe me të hyra që e ceka, ne do t’ia arrijmë ketë projeksion. Këta dy muaj pritet edhe një rritje e konsumit më të madh, norma që përkthehet me kërkesa për import të mallrave më shumë. Kjo lidhet me diasporën e Kosovës e cila do të vije në Kosovë. Ne veç kemi bërë disa përgatitje që edhe gjithë diasporës kosovare t’iu lehtësojmë procedurat në kufijë nga aspekti doganor.

Në ditët në vijim ne do t’i njoftojmë edhe me informatat publike që për çdo rast, ku ndonjë qytetarë i joni nga diaspora ka kërkesë apo shqetësim me procedura doganore apo në çka do që lidhet me fushën e doganave do të ketë në 24 orë në dispozicion telefonat me qëllim që t’iu dëshirojmë një mirëseardhje të mirë në Kosovë”, tha Berisha.

Ndërsa të hyrat e dedikuara për pjesën veriore të Mitrovicës, Berisha thotë se nuk ka ndonjë ndryshim.

“Pjesa më e madhe që zhdoganohet për konsum në pjesë në veriore nuk i kemi shifrat tash të fundit për këtë datë, por është e ngjashme e vitit të kaluar që sillen rreth 5 milionë euro në vit. Në mes dy vendkalimeve kufitare që shkojnë në fond”, tha Berisha.

Berisha ka thënë se vërehet rritje e të hyrave nga importi më i madh që ka ndodh në ketë periudhë i derivateve të naftës dhe të produkteve strategjike. /KosovaPress/