LAJMI I FUNDIT:

“Ditari…” i suksesit në Panairin e Tiranës

“Ditari…” i suksesit në Panairin e Tiranës

Vepra e re letrare, "Ditar dashurie i një shkrimtari", nga Albatros Rexhaj, është libri më i shitur nga autorët shqiptarë në stendën e shtëpisë botuese DUDAJ, në Panairin e Librit në Tiranë.

"Jam shumë e lumtur për këtë sukses të veprës së Albatrosit. Libri është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesi tiranas dhe njëherësh është edhe libri më i shitur nga autorët shqiptarë që ne i kemi në stendën tonë. Vetëm brenda ditës së premte janë shitur mbi 100 kopje të këtij libri. Të shtunën presim më shumë, sepse është e paraparë që në ora 18, te stenda jonë, të organizohet një ceremoni e vogël e autografeve me Albatrosin, ku presim që të vijnë mjaft lexues”, thotë për Telegrafin Arlinda Dudaj, nga shtëpia botuese DUDAJ.

“Shfrytëzoj rastin të inkurajojë të gjithë lexuesit e veprës së Albatrosit që ta shfrytëzojnë këtë rast unik të takimit me shkrimtarin. Unë jam e bindur se në nivel të panairit – gjithnjë brenda konkurrencës si vepër letrare, pasi që në panair ka edhe mjaft libra të zhanrit publicistik – ‘Ditar dashurie i një shkrimtari’ është një nga librat artistik më të kërkuar", thotë Dudaj.


Albatros Rexhaj është shkrimtar i ri nga Prishtina i cili brenda një viti ka arritur të depërtojë te lexuesi panshqiptar. "Ditar dashurie i një shkrimtari" është vepra e dytë e botuar nga DUDAJ. E para ishte trileri "Bombë në Beograd" që për më shume se tre muaj ishte një ndër pesë librat më të shitur në hapësirat shqiptare.

Dudaj shprehet e lumtur për faktin se ka pasur rastin të bashkëpunoj me një shkrimtar nga Prishtina.

"Synimi i shtëpisë sonë është që të sjellim vepra cilësore dhe të një karakteri më ndryshe se botuesit tjerë. Po ashtu, synojmë që të jemi të prezent në të gjitha trojet shqiptare. Me veprën e tij, Albatrosi po arrin të shpërthejë barrierat brenda-shqiptare dhe unë jam e lumtur që DUDAJ është platforma ku kjo po ndodhë", thotë ndër të tjera ajo. /Telegrafi/