LAJMI I FUNDIT:

Dimensionet e fshehura të Murat Ahmetit

Dimensionet e fshehura të Murat Ahmetit

Karikaturat e tij janë art i vërtetë. Gjurmë të lëna dhe dimensione të fshehura në realitete e copëza përditshmërie. Ai karikon njerëz dhe ngjarje, por edhe madhëron figura dhe personalitete.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi


Prej vitesh krijimtaria e tij qëmton me vëmendje situatat e përditshme, tek të cilat mund të ndalesh gjatë për të kundruar “tharmin” e përbotshëm jetësor.

Por, kush është Murat Ahmeti, si trajtohet ky zhanër në Kosovë, cila është perspektiva e karikaturës, e për shumë çështje të tjera, biseduam me të shtruar dhe pa e karikuar bisedën tonë!

Fjala karikaturë vjen nga fjala italiane ‘caricature’, që do të thotë ngarkim. Sa jeni ju i ngarkuar me karikaturën?
Karikatura është “ngarkesa” ime më e madhe, por përmes saj nxjerri në pah presionin tim. Përmes personazheve apo objekteve, gjithnjë në funksion të idesë, ngarkimin e shndërroj në çlirim.

Jeni ndër përfaqësuesit e rrallë të denjë të këtij zhanri ndër shqiptarë! A ju duket jeta karikaturë?
Jeta edhe ashtu është karikaturë, sepse brenda saj ka ironi, hipokrizi, egoizëm e shumë dukuri tjera negative. Por, unë ndjehem komod, sepse kështu e kërkon profesioni i artistit.

Ju ‘flisni’ përmes penelit. A do të thotë se një karikaturë e mirë ka më shumë peshë sesa njëmijë fjalë?
Kjo është më se e vërtet dhe unë pak a shumë mundohem ta arrij këtë nivel të karikaturës, që të përçohet një mesazh të fuqishëm tek adhuruesi i karikaturës, apo tek shikuesi.

Si kuptohet karikatura në Kosovë, cila është pozita e saj dhe sa kemi krijues të këtij arti?
Në Kosovë karikatura nuk kuptohet sa duhet, madje ka shumë paragjykime për të. Tek ne, më herët ka pasur karikaturistë aktivë, por ata disi janë shuar. Arsyeja mund të jetë mosnjohja e karikaturës nga ana disa kryeredaktorëve të gazetave.

A keqkuptohet karikaturimi, sidomos nga personalitetet politike?
Me keqardhje e them që, politikanët tanë, nuk marrin erë në karikaturë. Ndoshta atyre mund t’ua interpretojë atë ndonjë këshilltar i “aftë”. Por, edhe në këtë dyshoj.

A keni patur pasoja kur keni karikuar (karikaturizuar) dikënd?
Në vitin 2013, në Turqi, është mbyllur një ekspozitë për shkak të karikaturës time. Fjala ka qenë për presidentin e tashëm turk, atëherë kryeministrin Recep Tayyp Erdogan. Arsyen e saktë ende nuk e di, por e di që punimi im është shpërblyer. Në atë ekspozitë ka pasur karikatura edhe më “fyese”, por ja që e imja shkaktoi “ekses”!

Në karikaturat tuaja ka sarkazmë, ironi dhe përbuzje, e edhe bukuri? Ku është sekreti i një karikaturisti të mirë. Tek imagjinata apo tek zanati?
Te karikaturisti në rend të parë është imagjinata. Ai duhet të jetë sa më spirituoz dhe kreativ. Krahas idesë, duhet të bëhet edhe zgjedhja e dukur grafike. Dhe, përkushtimi, që të mos jesh karikaturist për vetëm një ditë.

Karikaturistët janë specie të veçanta. A po zhvillohet ky zhanër apo po degradohet?
Ne botë karikatura është shumë e popullarizuar dhe ka shumë karikaturistë të mëdhenj, ndërsa me disa prej tyre, kam kontakte. Ata çmojnë punën time dhe shpesh më komplimentojnë. E njëjta gjë nuk ndodh tek ne.

Keni marrë pjesë në shumë ekspozita, ku keni fituar edhe çmime. A keni më kureshtje për këto “gara”?
Po, kam marrë pjesë në shumë ekspozita ku edhe jam shpërblyer. Ende ftohem për pjesëmarrje, por në tri vitet e fundit nuk jam aktiv këtë drejtim, ndoshta për shkak të angazhimeve tjera.

Cili është roli i karikaturistit: të përqesh, të thumbojë, të ironizojë, të pasqyrojë gjendjen aktuale, apo të korrigjojë mjedisin dhe njerëzit?
Në këto kohë, nuk mund të jem indiferent ndaj të këqijave që na rrethojnë. Ndaj, reagoj. Krahas këtij reagimi mundohem të përçojë mesazh të arsyeshëm, duke thumbuar realitetin ku jetojmë si shqiptarë, po edhe si qytetarë të botës.

A ka karikatura gjithmonë qëllim të kritikojë apo edhe të madhërojë?
Në karikaturë ka më shumë filozofi sociale, ndaj ajo zbërthen problemin përmes kritikave, thumbimit të burimit dhe të pasojave të një problemi.

Pse në Kosovë njerëzit karikaturën e kuptojnë si diçka negative, madje fyese. P.sh. “je bërë si karikaturë”?
Këtë fjalë për çudi veç ndër shqiptarë e kam dëgjuar. Veç këtu bën vaki që arti të shndërrohet në pezhorativ të karakterit apo personalitetit të dikujt.

Çka jeni duke punuar aktualisht?
Jam duke punuar në disa ilustrime, po ashtu piktura, por vazhdoj me karikaturën, sepse është gjëja ku e gjej prehjen më të madhe shpirtërore.

/Telegrafi/