LAJMI I FUNDIT:

Dikur në Sarajevë u ndez Lufta e Parë Botërore, sot shkëndija mund të jetë në Shkup

Dikur në Sarajevë u ndez Lufta e Parë Botërore, sot shkëndija mund të jetë në Shkup

Carl Bildt

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, janë zgjuar krejt papritur, përballë realiteteve të reja në Ballkan. Në një samit të kohëve të fundit, ata vunë theksin mbi nevojën për një rritje të angazhimit të BE-së, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në rajon – dhe për të sprapsur influencën e Rusisë.

Por situata gjeopolitike e vendeve të Ballkanit nuk duhet të na vijë si një befasi. Në fund të fundit, ndarjet post-otomane – që shtrihen nga Bihaq në qoshen veriperëndimore të Bosnjës, deri në brigjet e Basras së Irakut në Gjirin e Persik – kanë qenë vazhdimisht burim paqëndrueshmërie rajonale dhe globale, qysh prej shembjes së perandorive të vjetra, një shekull më parë.

Kur Perandoria e Habsburgëve dhe ajo Otomane u shembën në fundin e Luftës së Parë, u bënë përpjekje për krijimin e shteteve moderne në Ballkan, pavarësisht diversitetit kombëtar dhe kulturor të rajonit. Që atëherë, nacionalizmi është përplasur vazhdimisht me mozaikun e jetës civile në rajon, duke ndezur konflikte njëri pas tjetrit.

Jugosllavia, ashtu si shtetet që u krijuan në Levant dhe Mesopotami, u krijua për të kontrolluar këto kontradikta politike; por mizoritë – në Smirna, Srebrenicë, Sinjar dhe gjetkë – mbetën një tipar konstant i jetës post-perandorake.

Jugosllavia u shpërbë në fillim të viteve 1990, duke lënë pas një dekadë me luftëra brutale, nga Kroacia në Kosovë. Lindja e shtatë shteteve të rinj – dhe antagonistë mes tyre – bëri të qartë se stabiliteti rajonal do të varej nga një kuadër i ri: Bashkimi Evropian. Për shkak të suksesit në zgjidhjen e konflikteve të tjerë, BE-së iu ngarkua detyra e zbutjes së ndarjeve të vjetra nacionaliste dhe shuarjes së konflikteve etnike.

Gjatë samitit të BE në Selanik në vitin 2003, delegatët u betuan solemnisht që të gjithë vendet e Ballkanit të anëtarësoheshin në bllokun evropian. Ai premtim do të ishte po aq i vështirë të realizohej, sa ishte dhe i vështirë të bëhej. Kur problemet emergjente të Ballkanit ishin zbutur, udhëheqësit e BE-së supozuan se kishin sjellë paqe në rajon. Nga ai moment e tutje, qasja “business-as-usual” kundrejt Ballkanit, nënkuptonte ruajtjen e status quo-së.

Pasi Jean-Claude Junckeri u emërua President i Komisionit Evropian në vitin 2014, ai konfirmoi status quo-në, duke shpallur se BE nuk do të zgjerohej më tej, gjatë mandatit të tij 5-vjeçar. Deklarata e Junckerit ishte teknikisht korrekte, por politikisht shkatërrimtare. Me dritën që kish udhëhequr reformat dhe integrimin tashmë të shuar, nacionalizmi në rajon nisi të forcohet sërish. Dhe ndërkohë, BE u fiksua pas problemeve të veta financiare, si për shembull borxhet sovrane të shteteve anëtare.

Unë kam kaluar shumë kohë në Ballkan në periudhën pas Luftës së Bosnjës. Kam qenë i dërguar special i BE-së në ish Jugosllavi, bashkëkryetar i Konferencës së Paqes të Dejtonit, Përfaqësues i Lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën, i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin.

Vitin e kaluar, kur u riktheva në Bosnje në një vizitë jozyrtare, dikush më pyeti nëse lufta po rikthehet në rajon. Në fillim, iu përgjigja: “Në asnjë mënyrë!” Por më pas, të tjerë më përsërisnin të njëjtën pyetje; kur ma bënë për herë të pestë, nisa të shqetësohem.

Sigurisht që kisha të drejtë, kur thoja se luftërat e viteve 1990 nuk do të rikthehen: kushtet sot janë shumë ndryshe nga sa ishin atëherë. Por, siç e kemi parë shumë herë në të kaluarën, disa individë kokënxehtë mund të ndezin zjarre, që pastaj është e vështirë të kontrollohen. Një herë e një kohë në Sarajevë, një njeri i vetëm që quhej Gavrilo Princip, shkaktoi një luftë botërore, kur vrau Dukën Franz Ferdinand të Austrisë. Sot, rajoni po bëhet gradualisht më i tensionuar, dhe një tjetër shkëndijë mund të ndizet, ndoshta këtë herë në Shkup.

Atëherë, çfarë duhet bërë? Për Evropën, e vetmja rrugë për të ecur përpara, është që të vërë theksin në forcën e saj të kontrollit, ndërkohë që përshpejton integrimin evropian. Për të adresuar risqet në Ballkan, BE duhet të tregojë se ka vullnetin dhe mjetet për të vepruar, duke dërguar Grupe Beteje të BE-së, që të kryejnë stërvitje ushtarake në rajon. Kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm, se forcat e saj ushtarake nuk janë tigra prej letre, dhe se është në gjendje të ofrojë më shumë se sa thjesht fjalë.

Zgjerimi i mëtejshëm i BE është gjithashtu i detyrueshëm. Ndërkohë që vetëm Sllovenia dhe Kroacia janë futur në BE deri sot, sigurimi i anëtarësimit për vendet e mbetur të Ballkanit, është e qartë se do të kërkojë kohë. Por reformat që nevojiten për t’i bërë këta vende të kualifikueshëm për anëtarësim mund dhe duhet të përshpejtohen.

Për shembull, duhet të përsërisim Partneritetin Lindor të BE, me krijimin e një Partneriteti të Ballkanit, ndërkohë që gjithmonë të lëmë anëtarësimin si opsion në tryezë. Në të njëjtën kohë, BE duhet të rrisë angazhimin e vet politik në rajon. Mund të fillojë duke ndërmjetësuar mosmarrëveshje të vogla kufitare, me qëllim që të mos i lërë të acarohen.

BE ka një problem: sfidat e saj janë shumëfishuar vitet e fundit, ashtu sikurse dhe samitet që mbledh për t’u marrë me këto sfida. Por në Ballkan, udhëheqësit evropianë kanë një zgjedhje të qartë: ose të merren me problemin, ose të presin që problemi të merret me ta. /Project Syndicate/bota.al/