LAJMI I FUNDIT:

Dështon shkuarja në Buzet

Dështon shkuarja në Buzet

Në FASK tash e një kohë të gjatë ankohen se Departamenti i Sportit nuk i është përmbajtur marrëveshjes së nënshkruar. Në anën tjetër, në Departamentin e Sportit deklarojnë se vonesa nuk është bërë për fajin e tyre, duke theksuar se në momentin që Ministria e Financave i alokon mjetet, ato do t’u ndahen federatave përkatëse

Sipas kalendarit të garave në Federatën e Auto Sportit të Kosovës, disa nga automobilistët tanë, në këtë fundjavë do të duhej të ishin në Buzet të Kroacisë, ku do të zhvillohet gara e fundit e vlefshme për Kampionatin Evropian të këtij viti.


Mirëpo, diçka e tillë nuk është realizuar, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Në FASK tash e një kohë të gjatë ankohen se Departamenti i Sportit nuk i është përmbajtur marrëveshjes së nënshkruar dhe se në konton e Federatës nuk janë derdhur as të hollat e këstit të dytë, ndërkohë që tani do të duhej të ishin ndarë edhe ato të këstit të tretë.

Në anën tjetër, në Departamentin e Sportit deklarojnë se vonesa nuk është bërë për fajin e tyre, duke theksuar se në momentin që Ministria e Financave i alokon mjetet, ato do t’u ndahen federatave përkatëse.

I zhgënjyer me mos pjesëmarrjen në garën e Buzetit është shprehur Shkëlzen Lajqi, garuesi nga i cili pritej që pas suksesit në Ilirska Bistricë, ku u rendit në pozitën e tretë, edhe nga Buzeti të kthehet me rezultat të mirë.

“Është mëkat të humbet pjesëmarrja në një garë të tillë. Me gjithë punën e madhe që e ka bërë kryetari dhe Federata në përgjithësi, ne nuk jemi në Buzet dhe kjo është humbje e madhe. Gjëra të tilla nuk guxojnë të na ndodhin, sepse kemi pritur gjatë për këtë ditë dhe tani kur e kemi mundësinë të marrim pjesë në gara të këtij niveli, për shkak të papërgjegjësisë së dikujt, ne duhet të qëndrojmë në shtëpi”, është shprehur Lajqi i zhgënjyer.