LAJMI I FUNDIT:

Dëshpërohen serbët: Trump nuk ndryshon asgjë, Kosova mbetet projekt i SHBA

Dëshpërohen serbët: Trump nuk ndryshon asgjë, Kosova mbetet projekt i SHBA
-->

Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA kishte hasur në një jehonë të rrallë pozitive në opinionin publik në Serbi, kjo më shumë për shkak të Kosovës.

Atëherë thuhej se Trump dhe kinse afria e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, do të thoshte edhe “lëshuarje pe” e shtetit më të fuqishëm në botë ndaj pavarësisë së shtetit (Kosovës), të cilën shumëkush e cilëson si “projekt amerikan”.

Madje disa media në Serbi shkuan aq larg duke shpresuar se “Trump do t’ia kthejë Kosovën Serbisë”.

Mirëpo, kishte edhe zëra të matur të cilët nga fillimi kanë tërhequr vërejtjen se administrata e re amerikane nuk do të bëjë kurrfarë ndryshimesh në pjesën më të madhe të politikës së jashtme, veçmas jo në këtë moment në vendet jo shumë të rëndësishme dhe jo atraktive, siç është Ballkani, shkruan B92, transmeton Telegrafi.

Shpresat se Trump, në mënyrë metaforike, do të rrënojë në Prishtinë përmendoren e bashkëshortit të rivales së tij Hillary Clinton, relativisht shpejt u shuan, kurse ditëve të fundit nga Washingtoni vijnë dëshmi të theksuara se SHBA vazhdon të qëndrojë prapa projektit të pavarësisë së Kosovës, shkruan agjencia serbe e lajmeve.

Ky mesazh nga Shtëpia e Bardhë dje arriti edhe nga Matthew Palmer, i cili pas vizitës në Beograd dhe Prishtinë, deklaroi se “raporti i SHBA ndaj Kosovës dhe Ballkanit mbetet i pandryshuar”

Palmer, një ish-zyrtar i Ambasadës Amerikane në Beograd, ku ishte përgjegjës për inteligjencën, tani është drejtor i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit. Edhe pse mund të lexohet se ai është pjesë e “ekipit Trump”, atë në këtë pozitë në Departamentin e Shtetit e ka vendosur administrata Obama, transmeton Telegrafi.

Menjëherë pas “njeriut të Obamas”, u paraqit vet Donald Trump, i cili në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë i ka dërguar një letër urimi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Trump në mesazhin e tij të urimit kishte thënë se SHBA “bashkë me qytetarët e Kosovës kanë festuar medaljen e artë në lojarët Olimpike dhe anëtarësimin e Kosovës në FIFA”, dhe se “e ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike është në rajonin e qëndrueshëm dhe të begatë të Ballkanit, i cili është plotësisht i integruar në bashkësinë ndërkombëtare”.

Për dallim nga urimi pak a shumë protokollar, gruaja të cilën në funksion e vendosi vetë Donald Trump, ambasadorja e re e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, ka thënë diçka shumë më specifike – se Kosova meriton të jetë anëtare e plotë e OKB-së.

Sikurse Trump, ajo ka thënë se duhet të bëhet më shumë në vendosjen e ligjit, por se SHBA beson se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë përparimin e madh të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, transemton Telegrafi.

“Kosova e meriton vendin e saj në skenën ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe anëtarësimin me të drejta të plota në OKB”, ka thënë Haley.

Për mbështetje ndaj Kosovës, Trump ka marrë së fundmi mirënjohje personalisht nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka publikuar një foto të tyre të përbashkët në Teitter. /Telegrafi/