LAJMI I FUNDIT:

Dëshmi rrëqethëse për vrasjen e shqiptarëve nga Dikoviqi (Dokumente)

Dëshmi rrëqethëse për vrasjen e shqiptarëve nga Dikoviqi (Dokumente)
-->

Janë qindra faqe dokumente të fshehura nga autoritetet serbe, që dëshmojnë përfshirjen e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, në vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Gazeta Fjala posedon shumicën e këtyre dokumenteve që përfshijnë vendime dhe komunikata të nënshkruara nga vetë Dikoviqi dhe e inkriminojnë atë, duke e dëshmuar të vërtetën e krimeve të tij.

Këto dokumente, që dëshmojnë të kundërtën e asaj që Dikoviqi ka thënë për mediat serbe, do të bëhen publike në ditët e ardhshme.

Gjenerali Dikoviq, kriminel apo “humanist”: "Kemi mbrojtur jetën e 15 mijë shqiptarëve në Drenicë"
Lexo po ashtu Gjenerali Dikoviq, kriminel apo “humanist”: "Kemi mbrojtur jetën e 15 mijë shqiptarëve në Drenicë"

Vetëm gjatë muajve prill dhe maj 1999, dokumentet dëshmojnë se me urdhër të Dikoviqit, që në atë kohë si udhëheqës i Brigadës së Motorizuar 37, ishin ndaluar dhe me pas edhe gjetur të vrarë afro 180 civilë shqiptarë.

Në një dokument të vulosur dhe nënshkruar nga vetë Dikoviqi, i cili mban datën 1 maj 1999, gjatë operacionit të koduar “Kamenica” ishin zënë rob 172 persona në rajonin e Skenderajt dhe Gllogocit.

Në dokumentarin e shfaqur ditë më parë nga Qendra për të Drejtën Humanitare, këta civilë shqiptarë figurojnë të vdekur në mesin e 1,400 civilëve të tjerë që u vranë në vitin 1999, në zonën e kontrolluar nga Dikoviq.

Përveç kësaj, në bazë të dokumentacioneve, Dikoviqi është përgjegjës edhe për dhunimet në fshatin Qirez të komunës së Skenderajt.

Siç është prezantuar edhe në dokumentarin e Qendrës për të Drejtën Humanitare, edhe në dokumentet që posedon Gazeta Fjala dëshmohet se në gjysmën e dytë të muajit prill, në fshatin Qirez, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, janë kryer dhunime të një grupi të vajzave, përfshirë edhe gra shtatzëna. Gjithashtu, aty janë vrarë edhe tetë vajza, të cilat më pas janë hedhur në bunarë.

Dikoviq ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në krimet e luftës në Kosovë për gazetën “Alo”, duke thënë se “i vjen keq për të gjitha viktimat e rëna gjatë luftimeve të vitit 1999”.

Ai ka mohuar të jetë përgjegjës për krime apo për urdhërimin e kryerjes së krimeve, por dokumentet zyrtare të vetë autoriteteve serbe të cilat do të publikohen ditëve të ardhshme e dëshmojnë të kundërtën. /Gazeta Fjala/