LAJMI I FUNDIT:

Dermatiti atopik

Dermatiti atopik

Dermatiti atopik është dermatozë kronike alergjike që karakterizohet me kruarje. Në grupin e sëmundjeve atopike përpos dermatitit atopik, bën pjesë astma bronkiale alergjike dhe riniti alergjik.

Ass. Dr. Laura Pajaziti, Mr.sc.
dermatovenerologe
tel. 044 238 745
laurapajaziti@yahoo.com

Zakonisht fillon në fëmijërinë e hershme. Në 60% të rasteve, dermatiti atopik shfaqet gjatë vitit të parë të jetës, kurse 90% e rasteve shfaqet deri në moshën 5 vjeçare. Duke u bazuar në disa studime, 75–80% e pacientëve me dermatit atopik ka histori personale ose familjare për sëmundje alergjike. Mendohet se rreth 20–50% e fëmijëve me dermatit atopik, më vonë gjatë jetës fitojnë astmën, kurse rreth 50% fiton rinitin alergjik.


Cilët janë faktorët që ndikojnë në paraqitjen e dermatitit atopik?
Dermatiti atopik është sëmundje trashëguese multifaktoriale, por tipi i trashëgimit deri sot nuk është precizuar. Mendohet se konstitucioni atopik më shpesh trashëgohet nga nëna. Nëse janë të sëmurë të dy prindërit, atëherë rreziku për t’u sëmurë fëmija është 50-60%. Kjo përqindje do të arrijë deri 72,2%, nëse të dy prindërit vuajnë nga e njëjta atopi. Bazë e kësaj sëmundjeje janë çrregullimet imunologjike dhe fiziologjike – sidomos në metabolizmin e lipideve në epidermë. Në manifestimin klinik të sëmundjes ndikojnë faktorë të ndryshëm të ambientit të jashtëm, si: alergjenët e ndryshëm, irrituesit, kushtet klimatike, stresi psikik, infeksionet sekondare të lëkurës.

Ekspozimi intensiv ndaj alergjenëve të ushqimit në muajt e parë të jetës mund t’i kontribuojë sensibilizimit alergjik të fëmijëve. Mukoza e zorrëve është organ i rëndësishëm mbrojtës. Funksioni barrierë i zorrës sigurisht nuk është i zhvilluar mirë te fëmijët e vegjël (latentë), prandaj ekziston incidencë e lartë e tejndjeshmërisë në ushqim në këtë moshë.
Shumë të sëmurë me dermatit atopik kanë në serum titra të lartë të IgE dhe IgG kundër aeroalergjeneve, posaçërisht alergjenëve të pluhurit të shtëpisë. Të sëmurët me dermatit atopik të mëparshëm ose aktual kanë dyfish më shumë rrezik për zhvillimin e ekzemës kronike të duarve (shuplakave) pas kontaktit profesional me iritansë të zakonshëm. Nga praktika klinike, të sëmurët me dermatit atopik reagojnë me reaksion inflamator në lesh, shumë tretës dhe dezinficientë që dëmtojnë shtresën korneale të lëkurës .

Cilat janë simptomat e dermatitit atopik?
Simptomat dhe shenjat klinike të dermatitit atopik janë të shumta dhe paraqitja e tyre varet nga mosha e të sëmurit, kohëzgjatja e sëmundjes, mjekimi paraprak dhe aktual, si dhe nga shumë faktorë të tjerë. Kruarja me intensitet të ndryshëm dhe lëkura e thatë janë prezente te të gjithë të sëmurët me dermatit atopik.

Dermatiti atopik te motakët dhe fëmijët e vegjël ( 2muaj – 2 vjet) (Ekzema infantum) Ndryshimet mund të paraqiten vetëm në fytyrë si skuqje jo qartë e kufizuar (kursehen zonat rreth gojës, syve dhe hundës). Në faqe gjithmonë ka papula dhe vezikula (fshikëza) që pëlcasin dhe krijohen krustat (dregëzat). Është i pranishëm lëngëzimi dhe kruarja intensive. Ka tendencë të përhapjes së shpejtë. Shpesh përfshihen koka, qafa, trupi dhe sipërfaqet ekstenzore të ekstremiteteve, lakesat e gjunjëve. Renditja është simetrike. Pasi që te fëmijët nuk ka kontroll të vullnetshëm të kruarjes, paraqiten gërvishtjet dhe shpesh ka infeksione të superponuara. Ekziston tendenca e kalimit të sëmundjes në vitin e 2 ose të 3, por më vonë nuk janë të rralla recidivet ose sëmundjet tjera atopike.

Dermatiti atopik të fëmijët e moshës 4-10 vjet- (Prurigo Besnier)
Në këtë moshë dermatiti atopik mund të lajmërohet për herë të parë ose si recidiv i formës së parë. Nuk është aq eksudativ (nuk lëngëzon) dhe akut, më tepër është i lokalizuar dhe shpesh përfshin sipërfaqet specifike: sipërfaqet ekstenzore të ekstremiteteve dhe faqet fleksore. Shpesh janë të përfshirë: fytyra, qafa dhe shuplakat. Lëkura tregon tendencë të lihenifikimit, që është rezultat i kruarjes, kështu që në fund fokuset mbeten të hiperpigmentuara. Nganjëherë ndryshimet ndodhen vetëm në një vend.

Dermatiti atopik te të rriturit – Është shumë i shprehur lihenifikimi
Vezikulat zakonisht nuk shihen, kurse sëmundja manifestohet me zona me lezione kronike të padhembshme, pruritike, shpesh të hiperpigmentuara dhe të trashura, të lokalizuara në vendet fleksurale, qafë, kapakë të syrit. Mund të jetë e pranishme edema e fytyrës. Dermatiti atopik afatgjatë mund të shkaktojë trauma psikike për shkak të kronicitetit dhe pamjes së ndryshimeve.

Si mjekohet dermatiti atopik?
Fillimit të trajtimit i paraprin vërtetimi i diagnozës në bazë të kritereve ekzistuese dhe vlerësimi i aktivitetit të sëmundjes. Identifikimi i alergjenit dhe eliminimi i tij paraqet masën kryesore për mjekimin e dermatitit atopik.

Lëkura mund të irritohet nga përdorimi i losioneve, tretjeve dhe emulzioneve të tipit vaj në ujë (disa krema), për shkak të veprimit dehidrues të tyre dhe sepse përmbajnë iritansë si alkooli, propilen glykoli etj. Sapunet dhe detergjentet alkalike, leshi, akrili, nxehtësia e madhe, pluhuri, tretës të ndryshëm, mund të shkaktojnë ekzemën. Djersitja mund të shkaktojë kruarjen, prandaj i sëmuri duhet të modifikojë aktivitetin e vet për të minimizuar atë.

Të sëmurët me dermatit atopik kanë lëkurë të thatë, prandaj duhet të përdoren preparate emoliente që sigurojnë hidrimin e shtresës korneale (p.sh.preparatet që përmbajnë ure 2%, acid laktik 5%) me kusht që të mos irritojnë lëkurën. Në këtë drejtim emulzionet e tipit ujë/vaj janë më të preferuara.

Të sëmurët me dermatit atopik duhet të orientohen në përdorimin e sapuneve sintetike të yndyrshme joalkalike. Në lezionet shumë të inflamuara, aplikohen kremrat hidrofile ose kompresat e lagëta me qëllim të zvogëlimit të inflamacionit. Pas zvogëlimit të inflamacionit, përdoren preparatet lipofile.

Mjekimi bazë i dermatitit atopik janë kortikosteroidet për shkak të efektit antiinflamator. Antihistaminikët përdoren me qëllim të eliminimit të kruarjes, kurse për shkak të superinfeksioneve aplikimi i antibiotikëve shpesh sjell deri te përmirësimi. Kohëve të fundit janë paraqitur medikamente me veprim josteroid që prevenojnë zgjerimin e ndryshimeve në lëkurë dhe eliminojnë kruarjen: pimecrolimus dhe tacrolimus.

Rreth 90% e pacientëve ka përmirësime spontane në pubertet. Te disa të rritur, dermatiti atopik mund të vazhdojë si ekzemë e lehtë e lokalizuar në duar, rreth syrit, në regjionin retroaurikular ose si lichen simplex chronicus.
Kualiteti i jetës dhe përkrahja psikosociale janë shumë të rëndësishme në trajtimin e dermatitit atopik. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori