LAJMI I FUNDIT:

Demonstratat e marsit 1981 dhe të burgosurit politikë

Demonstratat e marsit 1981 dhe të burgosurit politikë

Më poshtë, në pjesën e parë, mund ta lexoni një përshkrim timin të ditës së demonstratave të 26 marsit 1981 në të cilat unë, edhepse isha student, nuk mora pjesë për arsye që do t’i shihni në këtë postim. Por, në vend të demonstrimit, debatova me një serb. Pjesa e dytë e postimit ka të bëje me organizatorët apo nxitësit e demonstratave të cilët ndryshe i njohim edhe si të burgosur politikë.

1.


Atë ditë, para Fakultetit, por edhe brenda kishte më pak studentë se zakonisht. Studentët endeshin korridoreve, bisedonin në grupe të vogla dhe nuk hynin në salla të ligjëratave. Gjendjen edhe më të pazakontë e bënin profesorët të cilët mundoheshin t’i bindnin studentët që të mos i bojkotonin ligjëratat. Askush nuk iu përgjigjej thirrjeve të profesorëve. Unë nuk pashë asnjë nga studentët me të cilët shoqërohesha dhe vendosa të shkoja në bufenë e Fakultetit që ishte në bodrumin e ndërtesës dhe ku shpresoja se do të gjeja ndonjë nga kolegët e mi.

Në bufe, e cila i përngjante më shumë një sallë të vogël të mensës së ndonjë OBPSH-je (Organizata Bazë e Punës së Bashkuar), siç ishin emërtuar sipas të drejtës kushtetuese ndërmarrjet apo fabrikat, kishte vetëm katër apo pesë veta të ulur në dy tavolina që bisedonin kokë më kokë. Pas një kohe dola sërish në hollin kryesor të Fakultetit dhe pastaj në oborr ku grupe të studentëve tentonin të organizoheshin për të demonstruar, por kjo gjë nuk ndodhi. Rruga që qonte te mensa e studentëve ishte bllokuar nga milicë të shumtë. Pas pak çastesh, disa prej tyre u pozicionuan edhe te Biblioteka Kombëtare (atëherë krahinore) për ta bllokuar shkurtesën që çonte te Mensa dhe Konviktet e studentëve ku po përgatiteshin demonstratat e asaj dite.

Afër Grandit, një grup demonstruesish, i përbërë nga 20 deri 30 veta, erdhi nga drejtimi i hotel Bozhurit (ku tash është Swiss Diamond) me nxitim, gati si në vrap, duke brohoritur dhe kënduar në mënyrë të paorganizuar. Njerëzit nga trotuaret e vëzhguan grupin me simpati, ndoshta edhe për shkak se kishte shumë femra, por askush nuk iu bashkua. Grupi përngjante më shumë në një njësi të paarmatosur e cila ose po ikte nga fronti, ose po shkonte në të me frikë. Sidoqoftë, grupi u vetëshpartallua para Rektoratit, pasi që më tutje nuk mund të depërtonte nga kordoni i milicisë që ua kishte zënë pritën te udhëkryqi që gjendet para fakultetit filozofik.

Kah mesdita filluan të dëgjoheshin jehona të krismave të pushkëve që vinin nga pjesë të ndryshme të qytetit. Rrugët kryesore filluan të zbrazen. Nëpër oborrin e Rilindjes (Pallatit të Shtypit) dola në vendin ku atëherë ishte Stacioni i Autobusëve, me qëllim që të kthehesha në Gjilan nga ku kisha ardhur atë mëngjes. Stacioni i përngjante një fushëbeteje, ku shenjat e përleshjeve ende ishin të freskëta. Xhamat e biletarive dhe të disa autobusëve ishin thyer. Në një vend shiheshin pika të gjakut. Një punëtor i Stacionit u afrua dhe na tha se nuk kishte qarkullim të autobusëve dhe na këshilloi që të largoheshim nga aty sa më parë pasi që disa milicë, të gjithë serbë, sapo e kishin rrahur një grup të udhëtarëve dhe po i ndiqnin të tjerët në drejtim të Dragodanit (sot Arbëria).

Qëllimi im tashti ishte që t’i bashkohesha ndonjë grupi të demonstruesve, duke iu shmangur me çdo kusht ‘pendrekëve’ të milicisë. Dëshira për të qenë pjesë e ndonjë grupi shtohej gjithnjë e më shumë. Kjo ishte me siguri se në grup do ta shihja veten më të fuqishëm dhe dobidhënës.

Së shpejti e mora vesh se qëllimi im ishte i parealizueshëm. Duke i ikur kontaktit me milicinë, dola në rrugën që shkon për Fushë Kosovë. ‘Marica’ dhe ‘picgauerë’ të shumtë vinin nga të dy anët dhe zbrazeshin me milicët e ngarkuar të cilët po mundoheshin që të pozicionoheshin me nguti. Të gjithë vinin në drejtim timin. Për t’i dhënë gjendjes atmosferë lufte, mbi qiell u lajmëruan tre aeroplanë ushtarakë që fluturonin aq ulët sa që mund të shihej figura e pilotit. Zhurma e tyre ishte nën nivelin e durueshmërisë. Me siguri ky ishte qëllimi i fluturimit të tyre. Ndoshta me aeroplanë regjimi dëshironte të bënte me dije se Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ende ishte gjallë dhe e fuqishme, së bashku me Krahinën e saj Autonome dhe po ashtu Socialiste.

Milicët gjuanin gaz lotsjellës kudo që shihnin ndonjë grup me më shumë se tre veta – edhe pse ata nuk ishin demonstrues – dhe kundër tyre shpesh e përdornin edhe ‘pendrekun’ nëse mund t’i zinin. Gjasat që edhe unë të ‘trajtohesha’ nga ‘pendrekët’ bëheshin gjithnjë e më reale. Por, gjërat ndryshuan në momentin kur një kerr doli nga tymi i lotsjellësit dhe vinte në drejtim timin. Ishte një ‘Lada’ me ngjyrë të kaltër dhe me regjistrim GL. Prandaj, i dola në rrugë dhe shoferi e ndali vrullin dhe më dha shenjë se do të më merrte. Shoferi doli të ishte një serb nga Gjilani të cilin e njihja (si figurë), prandaj e pyeta serbisht nëse po shkonte në këtë qytet. ‘Po’ tha dhe më tregoi se do t’i binte rrugëve periferike pasi që dalja kryesore ishte bllokuar.

Serbi mendoi se isha pjesëtar i komunitetit të tij dhe kjo ishte arsyeja që ai filloi t’i shante dhe mallkonte demonstruesit dhe tërë shqiptarët. Kur iu drejtova me shikim të pakëndshëm, ai e kuptoi se po më shante edhe mua. Tashti muhabeti ndryshoi. Ai u mundua ta vinte bisedën në nivel të kulturuar, por përsëri duke shprehur mllef dhe urrejtje për atë që po ndodhte. Ende pa dal nga Prishtina, filluam të përlaheshim për ngjarjet. Ndodhia e asaj dite e kishte frikësuar aq shumë serbin sa që ai tregohej tejet agresiv në bisedë. Aty e mora vesh se disa njerëz trimërohen kur i kaplon frika.

Kur ai mori vesh se isha student i Drejtësisë, më tha: ‘Mirë, ti si një jurist i ardhshëm (‘budući pravnik’- siç e tha në gjuhën e tij dhe me plot nënçmim), si i sheh këto gjëra’? Unë argumentoja i bazuar mbi teorinë se të gjithë njerëzit dhe popujt në Federatën jugosllave duhej të ishin të barabartë dhe se demonstruesit e kishin mu këtë kërkesë të cilën e parashihte edhe Kushtetuta. Ai insistonte se të gjithë ishim të barabartë dhe në fakt se ishin serbët ata që ua kishin mundësuar barazinë shqiptarëve. Pra, ai e mbronte pozitën e një nacionalisti serb nga e cila dilte se patroni (serbi) i jep të drejta shërbëtorit të tij (shqiptarit) sipas nevojës. Sipas tij, serbët e kishin tepruar duke iu dhënë të drejta shqiptarëve dhe kjo shihej tashti kur ata (shqiptarët) po i keqpërdornin këto të drejta (të dhuruara) pasi që kishin rënë pre e shërbimit sekret të Shqipërisë dhe atij amerikan – CIA.

Në mënyrë të nxehtë prekëm shumë tema të cilat publikisht nuk debatoheshin pasi që, deri atëherë, nuk i lejonte censura shtetërore. Ai u frikësua edhe më shumë kur i tregova se e dija që ishte nga Serbia dhe se kishte ardhur në Kosovë pasi që ishte martuar me një serbe të qytetit tonë dhe se mbante një pozitë mjaft të lartë në administratën e atëhershme krahinore në Prishtinë. Këtë ia thashë për shkak se ai mendonte se shqiptarët kanë ardhur rishtas në Kosovë dhe vetëm për qëllim që të krijonin shumicë. Debati u përshkallëzua kur ai më tha se demonstratat, që për kërkesë kishin republikën, paraqitnin momentin kur Kosovës duhej suprimuar autonominë. Kjo ishte diçka e pakuptueshme dhe e papranueshme për mua dhe nuk besoja që mund të ndodhte një regresion i tillë.

‘Do ta shohësh pas pak kohësh. Mbaje në mend këtë porosi timen’, më tha.

Heqja e autonomisë nuk ishte ‘invencion’ i këtij serbi, por thjeshtë ai po e manifestonte një realitet i cili ishte zhvilluar fshehtas në qarqet shoviniste serbe. Për një student si unë ky fakt ishte i panjohur, prandaj më dukej i pamundshëm.

Dhe, kështu, pas një orë rrugëtimi me debat tejet interesant, mbërrimë në Gjilan. Në qendër të qytetit dola nga kerri i tij duke e pyetur nëse duhej të paguaja për transportin.

‘Jo, nuk duhet. Krejt t’pagume i keni ju shqiptarët edhe për ndonjë ditë. Dhe, mbaje mend porosinë time për autonominë’, më tha me nervozë. ‘Mirë, mbaje mend edhe ti porosinë time’, ia ktheva unë kur ai po e mbyllte derën.

Në të vërtetë unë nuk e dija se cila ishte porosia ime, por këtë e thashë sa për t’ia kthyer inatin dhe për të shënuar rezultat së paku të barabartë.

Pas tri apo katër viteve serbi u shpërngul për në vendin nga kishte ardhur. Situata politike në Kosovë vazhdoi të keqësohej. Autonomia, më në fund, u suprimua dhe porosia e serbit u përmbush.

2.

Nuk është i vogël numri i atyre që edhe sot mendojnë se demonstratat e vitit 1981 janë organizuar nga UBD-ja – Shërbimi Sekret Jugosllav. Kjo ‘teori’ i nxjerrë organizatorët e demonstratave si bashkëpunëtorë të UDB-së ose të manipuluar dhe të cilët e kanë patur për qëllim krijimin e një situate permanente të destabilizuar në mënyrë që të suprimohet autonomia, siç e parashihte edhe ky serbi në debatin me mua. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe ka për qëllim deskreditimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave të cilët më vonë u njohën edhe si të burgosurit politikë për shkak të dënimeve të rënda që morën.

Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që UDB-ja të ketë patur sukses në infiltrimin e elementeve të saja në këto grupe, pasi që këtë punë e bëjnë shërbimet sekrete. Megjithatë, diskreditimi i të burgosurve politikë është iniciuar nga vetë regjimi i atëhershëm jugosllav, së bashku me shqiptarët në këtë pushtet, por më vonë edhe nga partitë shqiptare të Kosovës që dëshironin t’i paralizonin politikisht të burgosurit të cilët ndryshe i quanin edhe marksistë-leninistë duke tentuar që në këtë mënyrë të cilësohen si pengesë e zhvillimit demokratik.

Në realitet, disa ish-të burgosur politikë kanë kontribuar mjaft në dobi të përforcimit të kësaj teorie që shkon në dobi të të qënurit nën organizim të UDB-së. Fjala është për ata që sot gjenden në pushtet. Me veprimet e tyre korruptuese, këtë ish-të burgosur (sot pushtetarë) janë duke e penguar seriozisht ndërtimin dhe funksionimin e strukturave shtetërore. Veprimet e tyre nuk janë aspak në dobi të shtetit të Kosovës dhe mund t’i gëzojnë vetëm shovinistët serbë.

Megjithatë, një pjesë e madhe e të burgosurve politikë sot qëndrojnë jashtë politikës, shumë prej tyre edhe jashtë Kosovës, me kokën ulur dhe të dëshpëruar për shkak të nëpërkëmbjes së idealeve të tyre të cilat nuk janë duke u realizuar.

Një nga aktivistët ose nxitësit apo organizatorët e demonstratave të 25 marsit, të cilën ditë e përshkrova më lartë sipas përjetimeve të mija, ka qenë Mehmet Hajrizi me grupin e tij. Ne atëherë nuk i kemi ditur këto gjëra por i dimë sot. Nuk duhet të harrojmë edhe një gjë: tashti jemi të lirë dhe mund të flasim çfarëdo që dëshirojmë (siç ja kemi zanat), por nuk mund të mohojmë kurrsesi se demonstratat e vitit 1981 krijuan një zinxhir i cili për hallkë të fundit e ka intervenimin e NATO-s – për të cilin flasim këto ditë pa e llogaritur mirë të kaluarën, sidomos marsin dhe prillin e vitit 1981.

Pa asnjë dyshim, Mehmet Hajrizi është shembulli më i mirë i këtij procesi. Ai është ekzemplari i patriotit, intelektualit, punëtorit pa zhurmë, njeriut të urtë (të mençur) që ka sot Kosova dhe me siguri ky nuk është i vetëm. Nga përvoja ime në Kryeministri, ku ai ishte sekretar i përhershëm, jam mahnitur me profesionalizmin, saktësinë, mirësjelljen dhe vullnetin e tij për punë. Në fakt, unë derisa nuk jam njohur me Mehmet Hajrizin, nuk kam besuar se në Kosovë ka njerëz të tillë. Dhe, mu këto ishin arsyet që për Qeverinë e atëhershme paraqitnin pengesa serioze. Ajo Qeveri, sikur edhe ato para dhe pas saj, nuk ishin aty për të drejtuar punët e shtetit të cilën gjë e mëtonte Mehmet Hajrizi. Një halabak i quajtur Adem Salihaj, i cili ishte zëvendëskryeministër (po ashtu ish i burgosur politik) bëri çmos dhe e hoqi Mehmet Hajrizin nga puna. Në Kosovë ka patur plot raste të tjera të ngjashme të eliminimit të njerëzve të vyeshëm nga puna.

Prandaj, nuk duhet të gjithë të burgosurit politikë të futen në një thes, kurse roli i tyre në procesin historik kërkon më shumë vëmendje dhe respekt.

Dosja 1981: Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e historisë (Foto)
Lexo po ashtu Dosja 1981: Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e historisë (Foto)