LAJMI I FUNDIT:

Demirkol refuzon të dëshmojë për “Medicusin”

Demirkol refuzon të dëshmojë për “Medicusin”

Në gjykimin e njohur për transplantim ilegal organesh në Kosovë ishte përgatitur marrja e dëshmisë së mjekut turk, Kenan Demirkol, përmes video-lidhjes nga Stambolli. Por, pasi iu kthye kamera nga të pandehurit, mjeku refuzoi të përgjigjej. “Dëshmitari tërhiqet nga deklarimi i tij, pasi që sipas ligjit turk ai ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë... Unë nuk kam të drejtë që ta detyrojë që të japë përgjigje, pasi që ai është doktor”, tha prokurori nga Stambolli. Përpjekjet e gjykatësit Sadek nuk bënë punë. “Më duket se po e luani rolin e avokatit mbrojtës të dëshmitarit”, tha Sadek, duke bërë që prokurori turk ta mbyllë video-lidhjen.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të hënën vazhdoi seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Medicus”, ku gjykohen Lutfi Dervishi, Arban Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, Ilir Rrecaj, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla.

Gjykata, me ndihmën e prokurorisë, sot kishte përgatitur mbajtjen e seancës me ndihmën e video-lidhjes me Turqinë. Nga Turqia, gjykata kishte kërkuar që përmes ndihmës ndërkombëtare ligjore të dëgjonte si dëshmitar, mjekun turk Kenan Demirkol.


Turqia i ishte përgjigjur kërkesës së gjykatës, por duket se kishte pasur një keqkuptim mes prokurorëve. Një prokuror në Stamboll e kishte marrë përsipër sigurimin e dëshmitarit dhe mundësimin e pyetjes së tij.

Sipas prokurorit të Stambollit, Turqia ka menduar se dëshmitari do të dëgjohet vetëm nga prokuroi, e jo edhe nga gjykata. Prandaj, ai tha se dëshmitari nuk do të përgjigjej dhe se kërkesën duhet drejtuar gjykatës dhe atje duhet të mbahet seanca.

Arcadius Sadek, kryetari i kolegjit në rastin “Medicus”, u mundua t’ia shpjegonte se si ai i kishte dërguar përmes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës asaj të Turqisë kërkesën për ndihmën ndërkombëtare ligjore për marrje në pyetje të dëshmitarit. Kjo kërkesë ishte pranuar nga Turqia.

Pasi që morën sqarimet e duhura, pala turke pranoi të fillonte seanca.

Dr. Kenan Demirkol ishte së bashku me avokaten e tij, Nurben Ilmaz. Atij iu morën të dhënat si dëshmitar. Kur u pyet nëse ai i njihte të pandehurit, fillimisht u kërkua që të kthehet kamera nga të pandehurit, por dëshmitari refuzoi të përgjigjet.

Prokurori i Stambollit tha se “dëshmitari tërhiqet nga deklarimi i tij, pasi që sipas ligjit turk ai ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë… Unë nuk kam të drejtë që ta detyrojë që të japë përgjigje, pasi që ai është doktor”.

Derisa po zhvillohej diskutimi nëse duhet apo nuk duhet të dëshmoi dëshmitari, përkthyesja nga turqishtja në anglisht dhe anasjelltas ishte shumë e dobët. Ajo shpesh kthehej dhe kërkonte ndihmë nga avokati Ismet Shufta, i cili e ndihmonte herë pas here, e shpesh linte pa përkthyer fjalë të tëra.

E më e mirë nuk ishte as përkthyesja shqip anglisht dhe anasjelltas, e cila arrinte të përkthente shumë pak në shqip nga ajo që thuhej në anglisht.

Duke e parë këtë situatë, ndërhyri avokati Ismet Shufta, mbrojtësi i Driton Jiltas. Ai në gjuhën turke e sqaroi prokurorin turk se dëshmitari duhet të përgjigjej vetëm në pyetjen se a është në lidhje gjaku, ose lidhje tjetër, me të pandehurit e kësaj çështjeje.

Por, prokurori tha se dëshmitari nuk do të përgjigjet as në këto pyetje, kjo pasi që nëse përgjigjet në këto pyetje atëherë konsiderohet se mund të pranojë edhe pyetje të tjera.

Kryetari i kolegjit, gjykatësi Sadek, u mundua t’ia shpjegonte se Kosova dhe Turqia kanë një marrëveshje dypalëshe për ndihmën në luftimin e krimit dhe se i sqaroi se dëshmitari kur pyetet, ai pyetet sipas ligjit të Kosovës.

Por, as këto sqarime nuk i bënë punë prokurorit turk, ai insistoi në të drejtën e dëshmitarit Demirkol që të mos dëshmojë, si një e drejtë nga ligji turk.

“Kam përshtypjen se ju nuk dëshironi të na ndihmoni dhe më duket se po e luani rolin e avokatit mbrojtës të dëshmitarit”, tha gjykatësi Sadek. E prokurori turk, pas këtyre fjalëve reagoi duke i përshëndetur dhe me nervozizëm e mbylli video-lidhjen.

Më tutje, prokuroi special Jonathan Ratel, tha se prokuroria do të mundohet që përmes Ambasadës së Turqisë në Kosovë të vendosë kontakte me gjykatën në Stamboll dhe atje të kërkojë që të dëgjohet dëshmitari Demirkol.

Prokurori Ratel, po ashtu shtoi se Kenan Demirkol dhe Yosuf Somnez shumë herë kanë udhëtuar së bashku për në Kosovë për transplantim organesh. Sipas prokurorit, datat e fluturimeve përputheshin me datat kur janë kryer operimet, sipas librit të anesteziologjisë.

“Ka një aktakuzë për Demirkolin dhe Somnezin që nga data 2 maj 2011, e cila është ngritur në gjykatën e shkallës së parë në Stamboll. Somnez dhe Demirkol, akuzohen për trafikim me njerëz lidhur me çështjen ‘Medicus’. Lënda në këtë çështje ka përfunduar ndërsa pritet të shpallet aktgjykimi”. tha prokurori Ratel.

Po sipas tij, aktakuza është ngritur dhe procedura është zhvilluar pasi që Prokuroria Speciale, autoriteteve turke i ka dorëzuar të gjitha dokumentet në lëndën “Medicus”.

Në fund, prokuroi Ratel tha se edhe Somnez edhe Demirkol kanë dhënë deklarata para autoriteteve turke lidhur me rastin. Sipas deklaratave del se Demirkol nuk është i lidhur vetëm me Driton Jiltan, por edhe me dëshmitarin Shaban Syla, me të cilin tha se janë shumë të afërt.

Mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Alexander Borg de Olivier tha se e kupton se është dërguar një kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, por sipas tij ajo që po shihet është se dëshmitari ka të drejtë të mos përgjigjet dhe të njëjtin nuk mund ta ekstradojmë pasi që këtë e ndalon kushtetuta turke.

“Edhe nëse ai betohet para gjykatës, nuk mund të presim që do ta thotë të vërtetën, e nëse nuk e thotë të vërtetën duhet ta ndjekim penalisht, por që tani nuk mund ta bëjmë pasi që këtë e ndalon kushtetuta turke”.

Avokati Shufta tha “më mirë të harrojmë këtë dëshmitar, pasi që nuk do të përgjigjet”. Ai pas pyetjes së gjykatës tha se heq dorë nga dëgjimi i tij, por u bë pishman sapo u ul, duke u ngritur prapë për të tërhequr fjalën, meqë i mbrojturi i tij ia kishte kërkuar.

Kryetari Sadek njoftoi palët ka bërë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare edhe në Zvicër, për të shikuar nëse të pandehurit kanë llogari atje, po të njëjtën do ta kërkojë së shpejti edhe nga Izraeli. Ndërsa kryetari ishte autorizuar nga ministri i Drejtësisë për të komunikuar me autoritetet e Federatës Ruse për dëshmitarët.

Gjykata kishte pranuar edhe një aktakuzë nga Ukraina, e cila përmbante 600 faqe material.

Në fund, kryetari Sadek tha se të martën do të dëgjohet një dëshmitar nga Ukraina me video-lidhje, por se nuk e dinte se kush ishte ai. As prokurori nuk kishte njohuri se kush ishte ai që do të dëgjohet. /Telegrafi/