LAJMI I FUNDIT:

Delegacioni i lartë i Ushtrisë së Turqisë për vizitë në Kosovë

Delegacioni i lartë i Ushtrisë së Turqisë për vizitë në Kosovë

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati - i shoqëruar nga zëvendësministri i FSK-së Bejtush Gashi, gjeneral brigade Zymer Halimi, kolonel Ilir Qeriqi dhe major Fadil Hoxha - priti sot në vizitë pune një delegacion të ushtarakëve të lartë nga Turqia, të kryesuar nga anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë - gjenerallejtënant Metin Iyidil - i shoqëruar nga Komandanti i Xhandarmërisë Ibrahim Aydin, kolonel Aygun Eker - komandant i kontingjentit turk të KFOR-it - dhe ushtarakë të tjerë të lartë.

Gashi në fillim falënderoi Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë dhe shtetin e Turqisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen që po jep në ngritjen, trajnimin dhe donacionet e çmuara për FSK-në, në kuadër të bashkëpunimit të gjerë mes dy ministrive dhe dy shteteve mike.

Kadri Kastrati i njoftoi gjeneralët nga Turqia me zhvillimit aktuale në FSK, me objektivat e arritura për vitin 2012 dhe me sfidat që e presin FSK-në në vitin 2013. Theks i veçantë u vu në rishikimin e sektorit strategjik të sigurisë dhe diskutimet që po bëhen nga qeveria e Kosovës për strukturën e ardhme të FSK-së në bashkëpunim me NATO-n dhe me partnerët tjerë strategjik.


Gjenerali nga Turqia, Metin Iyidil, duke shprehur falënderimet për mikpritjen dhe duke përgëzuar FSK-në për shkallën e arritjeve të deritashme, shprehu gatishmërinë e Ushtrisë së Turqisë që edhe në të ardhmen të përkrah FSK-në në fushat që ajo i vlerëson me interes dhe prioritet, bashkëpunim ky i bazuar në marrëveshjen e nënshkruar për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe Ministrisë së FSK-së, si dhe marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë në mes të Turqisë dhe Kosovës. /Telegrafi/