LAJMI I FUNDIT:

Degët e LDK-së, mbështetje të plotë kryeministrit Mustafa për çështjen e demarkacionit

Degët e LDK-së, mbështetje të plotë kryeministrit Mustafa për çështjen e demarkacionit

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, të mbajtur javën e shkuar, sot u mbajt mbledhja e rregullt e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, me kryetarët e degëve të LDK-së, në të cilën u diskutua për punën e Qeverisë së Kosovës, si dhe për proceset themelore integruese të Kosovës.

Sipas një njoftimi, njëzëri u vlerësua se kryeministri Mustafa, Qeveria dhe kryetarët e komunave nga radhët e LDK-së po punojnë me përkushtim në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe se këtë e dëshmojnë rezultatet e shumta e tashmë të prekshme.


“Si rezultat i qeverisjes së mirë, Kosova ka shënuar progres të madh në fushën e zhvillimit ekonomik, në luftimin e korrupsionit dhe të krimit dhe këtë e dëshmojnë raportet e të gjitha institucioneve më kredibile ndërkombëtare. Kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë mbështetje të plotë kryeministrit dhe Qeverisë për të çuar përpara proceset qeverisëse dhe proceset integruese, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kryetarët u pajtuan që degët e LDK-së të punojnë me të gjitha strukturat që ky proces të finalizohet me sukses dhe që LDK-ja të japë kontribut themelor, me qëllim që qytetarët e Kosovës të jenë të barabartë me të gjithë të tjerët dhe të mund të lëvizin lirshëm”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/