LAJMI I FUNDIT:

Comey veproi mbi informacione ruse që e dinte se ishin të rreme

Comey veproi mbi informacione ruse që e dinte se ishin të rreme

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, e dinte se një pjesë kritike e informacionit lidhur me hetimin për e-mailin e Hillary Clintonit ishte e rreme, e fabrikuar nga inteligjenca ruse, por ai druhej se nëse bëhej publik do të dëmtonte hetimin dhe vet Departamentin e Drejtësisë.

CNN raporton se kjo është konfirmuar nga disa zyrtarë që kanë lidhje me procesin. Si pasojë, Comey veproi njëanshmërisht verën e kaluar dhe e shpalli publikisht hetimin të mbyllur, pa u konsultuar me Prokuroren e Përgjithshme në atë kohë, Loretta Lynch.

Në të njëjtën kohë, Comey tha se Clinton ishte treguar shumë e pakujdesshme në menaxhimin e informacioneve sekrete. Veprimet e James Comey, mbi ato që e dinte se ishin dezinformim rus, janë një shembull i fortë sesi ndërhyrja ruse ndikoi te vendimet e zyrtarëve më të lartë amerikanë gjatë fushatës së vitit 2016.

Pak ditë më parë, Washington Post raportoi se informacionet ruse nuk kishin bazë dhe tashmë zyrtarë amerikanë konfirmuan për CNN se, Comey dhe FBI e dinin që në atë kohë se këto të dhëna ishin të rreme.

Në fakt, pikërisht për të treguar se FBI-ja e dinte këtë dhe nuk ishte mashtruar, drejtori në detyrë i Byrosë Federale të Hetimit, Andrew McCabe foli të enjten në Kongres me Komitetin e Senatit për Inteligjencën.

Të dhënat ruse në fjalë pretendonin se Prokuroja e Përgjithshme Lynch ishte kompromentuar dhe se kishte premtuar se do të zhdukte hetimin e FBI-së ndaj Clintonit. Comey e dinte se kjo ishte e rreme, por kjo s’kishte fare rëndësi për të, pasi nëse rusët publikonin këto informacione, SHBA duhej të digjte burime inteligjence dhe metoda zbulimi për të përgënjeshtruar.

Nuk është e qartë se, përse Comey nuk foli për këtë me ligjvënësit në seanca të mbyllura, por mediet raportojnë se të paktën në një takim me ta, ai tha se disa informacione – pa specifikuar cilat, – ishin arsyeja kryesore që mbylli publikisht hetimin për Clintonin. /Top Channel/