LAJMI I FUNDIT:

Çka mund të mësojë bota nga rënia e myslimanëve dhe përse reforma në interpretimin e Islamit është e domosdoshme?

Çka mund të mësojë bota nga rënia e myslimanëve dhe përse reforma në interpretimin e Islamit është e domosdoshme?

Dua të përsërisë atë që kisha thënë më parë: Çdo entitet në natyrë ka përmbajtjen e brendshme dhe formën e jashtme. Brendia është substanca, ndërsa forma është ajo që i vishet substancës. Substanca dhe forma janë të pandashme mes vete. Substanca është nocion i përgjithshëm që nuk përkufizohet ndërsa forma është e prekshme dhe e përkufizuar. Përderisa substanca është e pandryshueshme, forma është ajo që ndryshon. Substanca e Islamit është Kurani dhe Synneti, ndërsa forma e tij është mënyra si e interpretojmë dhe si e praktikojmë atë. Mënyra më e mirë e kuptimit të Islamit është leximi i tërësishëm edhe për nga forma edhe për nga përmbajtja.

***

Nisur nga këtu, edhe pse me reformën në interpretimit të Islamit nuk nënkuptojmë substancën e Islamit, ideja për nevojën e reformës në interpretimin e tij është kundërshtuar vazhdimisht. Janë dy kategori njerëzish që edhe sot e kësaj dite kundërshtojnë interpretimet e reja: ata që e duan të vjetrën që e tërheqin Islamin zvarrë kah e kaluara dhe ata që i duan modelet e huaja, që i përgatisin Islamit një të ardhme të huaj. Të parët janë një pjesë e konservatorëve që nuk kuptojnë dinamikën e Islamit, të dytët janë modernistët të cilëve nuk u pëlqen e kaluara e Islamit.

Me gjithë dallimet e mëdha që kanë mes vete këto dy kategori, ato bashkohen në një pikë: edhe nëse e para pavetëdijshëm, ajo, sikur edhe e dyta, gabimisht përkufizon Islamin në kuptimin filozofik perëndimorë të religjionit. Mendoj se shkaku kryesor i “përkthimit” të Islamit në “religjion” qëndron tek paaftësia e disave për të kuptuar finesat gjuhësore dhe logjike të Kuranit, tek niveli i ulët intelektual për të depërtuar në thellësitë e përmbajtjes së Kuranit e sidomos tek leximi i shtrembëruar i rolit historik të Islamit.

Thjeshtë, përkthimi i fjalës “Islam” në “religjion” është përkthim i gabueshëm. E ne radhazi kemi shkruar se terminologjia islame, aty ku është e mundur, nuk bënë dhe nuk duhet të përkthehet. Ajo duhet të mbetet origjinale dhe si origjinale duhet shpjeguar, jo përkthyer. Përse e themi këtë? Sepse Islami, për dallim nga fetë tjera, besimin nuk e ndanë prej shkencës, as moralin prej politikës; idealin e sheh bashkë me interesin e përgjithshëm, ndërsa punën për këtë botë e sheh të njëjtë me punën për botën tjetër. Islami është feja që promovon mesin e artë, mesin midis botës shpirtërore dhe asaj materiale. Përndryshe, nëse nisemi nga tendenca se Islami është religjion, atëherë duhet arsyetuar edhe ata që thonë se Islami nuk duhet shumë të merret me botën, edhe ata që thonë se Islami nuk mundet shumë të rregullojë botën. “Nuk duhet” dhe “nuk mundet” kanë të njëjtin përfundim praktik gjë që, si i pari si i dyti, janë të papranueshëm për Islamin.

Kështu, kategoria e parë që janë një pjesë e hoxhallarëve dhe një pjesë tjetër e njerëzve të fesë, janë promotorët dhe bartësit e konservatorizmit në Islam. Ata, edhe përkundër faktit që feja islame nuk pranon institucionin e shenjtërisë, vazhdimisht kanë monopolizuar shpjegimin e Islamit, sikur të ishin ndërmjetësues ligjorë mes njeriut dhe Kuranit. Si të tillë që janë, në mënyrë dogmatike besojnë se meqë feja islame është dhënë një herë e përgjithmonë, duke qenë se është interpretuar më parë, ajo më s’ka nevojë për interpretime të reja. Shpjegimet e bëra para një mijë e tepër vjetësh janë të mjaftueshme edhe sot, mendojnë ata.

Formati dogmatik gjithmonë ka qenë kundërshtar i qasjeve të reja. Ky format që edhe më tutje vazhdon të përhapë frymën denigruese për Islamin, thotë se çdo gjë e re është bidat, si i tillë, bidati është i ndaluar. Qasjet e reja që në fakt duhet të zhvillohen në dritën e nevojave dhe dinamikave të kohës, sipas tyre janë të dëmshme. Këta shkojnë deri atje sa thonë se interpretimet e reja janë sulme mbi integritetin e Islamit. Të jemi të sinqertë: edhe nëse këta njerëz e bëjnë këtë për shkak të dashurisë që kanë ndaj Islamit, sipas nesh, kjo dashuri është dashuri patologjike, e dashuria patologjike është zemërngushtësi që ngufatë mendimin e lirë.

Kështu, dhe për fat të keq, Islami shumë herë ra në duart e njerëzve që nuk ishin në gjendje ta kuptonin thellësinë e tij, që e shndërruan atë në libër të mbyllur dhe që, duke e mbajtur të mbyllur, në të u shkruan gjëra të gabueshme. Irracionalja aty zuri vendin e arsyes së shëndoshë ku edhe tevhidi (monoteizmi) të cilin e promovon Kurani, e që konsiderohet më strikti ndër të gjitha fetë tjera, gradualisht e komprometua. Në praktikë, bënë tregti të pështira me fjalët e Kuranit. Në vend se të ishin ruajtësit e vërtetë të fesë, fenë e bënë profesion, dhe, duke ja zbehur Islamit fuqinë, mbi të fituan fuqi për vete. Të tillë hoxhallarë kanë qenë, janë dhe do të mbesin njerëzit e gabueshëm në kohë të gabueshme.

***

Nga ana tjetër, edhe të ashtuquajturit përparimtarë apo modernistë kanë dëmtuar Islamin. Mbase, këta të fundit botës islame i sjellën pafatësi edhe më të madhe se të parët. Meqë në numër ishin shtuar dhe po ndikonin sidomos në politikë, duke e përzier fenë me politikën, edhe fenë edhe politikën e përdorën për forcimin e pozitave të veta. Modernistët vazhdimisht përhapnin fjalë se Islami është ky që e praktikojnë konservatorët e korruptuar. Ishte kjo tendencë dhe metodë e sofistikuar për t’i ndërsyer masat e paarsimuara kundër Islamit dhe gjithë hoxhallarëve. Me përvetësimin e modeleve të huaja dhe me insistimin për të gjetur mbështetje politike tek të huajt, punë kjo që kryhej sidomos nga një numër i madh i modernistëve, shtetet myslimane vullnetarisht u ri-robëruan.

Në këtë kohë filloi të promovohej më e dëmshmja e mundshme: të duhej e huaja, të jetohej sipas mënyrës së jetesës së huaj, të ndihmoheshin nga të huajt dhe të jetohej nga kapitali dhe mbështetja e huaj. Myslimanët harruan se pavarësia e vërtetë nuk është pavarësia formale e shkruar në letër, por është, fillimisht, pavarësia shpirtërore, pastaj ajo kulturore e pastaj segmentet tjera të pavarësisë.

Së këndejmi, në të shumtën e rasteve modernistët krenoheshin me atë që duhej të turpëroheshin e turpëroheshin prej asaj me të cilën duhej të krenoheshin. Dalja haptazi kundër të kaluarës si dhe promovimi i idesë se Perëndimi është ai që mund të shpëtojë Lindjen islame, shkaktoi nëpërkëmbjen e vetvetes dhe gabimin më të madh që mund ta bënin. Me vetëdije apo pa të, kjo kategori e njerëzve nuk e shpjegoi drejt Perëndimin e as që promovoi vlerat e mirëfillta perëndimore. Shkollimi i gabueshëm që nuk përkonte me nevojat e kohës, ishte njëri prej faktorëve kryesor të prapambeturisë së myslimanëve.

Si qe e mundur që këta modernistë të mos e kishin kuptuar se fuqia e Perëndimit nuk është në atë si jeton, por në atë si punon për të jetuar. Fuqia që kishte lëvizur Perëndimin kah prosperiteti nuk ishte ateizmi, as klubet e natës, as ç’thurja morale e të rinjve, por ishte puna e pandërprerë, rregulli, dija dhe insistenca për prosperitet dhe rimëkëmbje ekonomike. Problemi i modernistëve nuk ishte pse ata sjellën modele të huaja në tokat islame, por, sepse, ata nuk e kishin lexuar drejtë modelin perëndimorë për një jetë më të mirë. Duke mohuar vetveten, ata kishin humbur ndjenjën dhe dashurinë ndaj vendeve të veta, ndaj kulturës së vetë dhe ndaj thesarit islam që i kishte udhëhequr me shekuj. Mohimi i vetvetes, tjetërsimi dhe veshja e petkut të huaj mbi trupin burimorë është gabimi më i madh që mund ta bëjë një shoqëri.

Andaj, për ta kuptuar më mirë reformën si nevojë, para se të sjellim shembuj nga të cilët edhe ne shqiptarët mund të mësojmë, dua të shtjelloj edhe këtë:

Ekzistojnë tri lloje të reformave: E para është ajo kur tradhtohet e kaluara, kur vlerat autoktone nëpërkëmben, e kur mbi to, si gërmadha që bëhen, nisë ndërtimi i të rejës nga fillimi. Substrati i kësaj reforme është zeroja sot dhe denigrimi i së kaluarës. E dyta; kur reforma realizohet me urtësi, duke analizuar dhe sintetizuar elementet e dobishme dhe duke shoshitur të dëmshmet në jetën sociale të një shoqërie. Kur vlerësohet e kaluara me detajet më të vogla, dhe, domosdo, kur e reja si fuqi kreative rrezaton mbi të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë. E treta; kur mishërohen vlerat fetare tradicionale me ato kombëtare nacionale, kur bëhen vlerësime që mençura të historisë dhe kur vlerat kombëtare futen në punë për ndërtimin e së ardhmes. Thjeshtë, kur sintetizohen të tri kohët së bashku. Për formën e parë kemi shembullin e Turqisë, për të dytën shërben qasja japoneze, ndërsa për të tretën gjenialiteti izraelit.

Kemal Ataturku, që ishte një gjeneral i rryer e sulltanit e jo sa duhet ideolog, është ai që gabueshëm nisi rrugën për reforma. Duke besuar se mentalitetin e një populli të tërë mund ta ndryshonte duke u shkëputur nga e kaluara dhe duke imituar të tjerët symbyllazi, Ataturku fillimisht ndaloi fesin. Nuk kaloi shumë kohë dhe mësoi se me ndërrimin kapelës nuk ndryshohet ajo që është në kokë. Kokat turke të djeshme me fes, mbetën po ato me shapka dhe sheshire. Imitimi i verbër shoqërisë turke i kushtoi shumë. Turqit i vunë drynin bibliotekave, ndaluan leximin e thesarit shekullorë, vranë hoxhallarët, masakruan dhe burgosën dijetarët, ndërprenë lidhjen me të kaluarën dhe u detyruan të fillojnë nga zeroja. U dashtë të kalojnë më shumë se 80 vite për ta parë se imitimet qorrazi nuk sjellin prosperitetet. Për 80 vite të tëra Turqia ishte në gjendje thuajse të mjerueshme.

Kur Japonia filloi reformat ishte shumë e përafërt me Turqinë. Që të dyja ishin mbretëri dhe që të dyja kishin role të rëndësishme në ngjarjet historike. Edhe për nga zhvillimi ekonomik ishin të përafërta. Për dallim nga turqit, Japonia ruajti të veten, respektoi shkrimin e vetë, sintetizoi traditën me progresin, dhe kështu, shumë larg e la Turqinë prapa. Turqia për dekada mbeti shtet i botës së tretë, ndërsa Japonia i kaloi shumicën e vendeve të botës. U bë superfuqi. Kur Turqia anuloi shkrimin arab me vetëm 28 shkronja, Japonia refuzoi shkrimin latin dhe ruajti të vetin me mbi 880 ideograme kineze. Në Japoni, për më pak se 20 vjet nuk mbeti thuajse asnjë analfabet; në Turqi vetëm pas 24 orësh i krijua një shoqëri 80 për qind analfabetësh. Prandaj, them se filozofia e civilizimit konsiston në vazhdimësinë e traditës, jo në shkatërrimin apo mohimin e saj. Nëse të shkruarit si mënyra më e mirë e “të mbajturit mend” është historia që flet, me gjithë “reformat” që do t’i ndërmerrte Ataturku, gjenerata të tëra mbetën pa frymëzime. Turqia humbi hapin me të ardhmen dhe u shkëput nga e kaluara e saj. Gati një shekull mbeti as në tokë e as në qiell!

Nga ana tjetër, izraelitët, edhe pse një kohë të gjatë nuk kishin shtet e as vatan, edhe pse për shekuj të shkapërderdhur dhe nën presione të mëdha të jetës, ata jo vetëm që refuzuan tjetërsimin, por me burrëri i rezistuan ndryshimeve që ua impononte jeta. Izraelitët respektuan fenë e tyre, shkruan dhe kultivuan historinë vetë, dhe, duke mbledhur nektar nëpër shoqëri të ndryshme, e sidomos duke mësuar nga të tjerët teksa pësonin, arritën të mbijetojnë si shoqëri ku edhe një ditë krijuan shtetin e tyre. Po, izraelitët pranuan modernitetin, por ama, as këta nuk bënë siç bëri Ataturku.

Izraelitët kishin mësuar me kohë se ndryshimet radikale dhe shkëputja nga e kaluara ishte gjë e rrezikshme për shoqërinë e tyre dhe se lufta kundër të kaluarës mund t’iu kushtonte shumë. Thjeshtë, izraelitët nuk krijuan shoqëri plagjiatësh, nuk formuan shtet pa frymë, pa fizionomi politike, pa thesar burimorë e pa spiritualitetin e duhur. Ata e dinin, sepse e kishin mësuar nga historia e tyre e dhimbshme, se shoqëria e cila nuk di kush është dhe nga vjen, nuk do të dijë as çka do e as kah duhet të shkojë?

Prandaj, për të kuptuar më drejtë gjendjen e tanishme të myslimanëve, përveç tjerash duhet pranuar faktin se historia e Islamit nuk është histori vetëm e progresit, është edhe e dështimeve. Dobësimi i raporteve mes të kaluarës dhe të tanishmes, e sidomos shkëputja e lidhjeve mes elitës intelektuale dhe klasës politike nga njëra anë dhe masave të gjera popullore nga ana tjetër, ka rezultuar në çorientimin total të shoqërive myslimane. Ato ka kohë që janë duke ecur të dehura nga ndikimet e pamëshirshme të konservatorëve të korruptuar që se kuptojnë thellësinë e Islamit dhe të modernistëve të papërgjegjshëm që kanë dalë nga binarët e mendimit islam.

Myslimanët sot janë të përçarë mes vete, të robëruar, profanë e të varfër. Ata pamëshirshëm po vrasin njeri-tjetrin dhe po luftojnë të gjithë kundër të gjithëve! Myslimanët janë myslimanë po aq sa janë shkatërrimtarë të njëri-tjetrit. Ata janë bërë ujq ndaj njëri-tjetrit. Janë të prapambetur dhe korruptues. Kanë shumë xhami me plotë xhematë, por pak funksionalë e më pak të dobishëm për vendet e tyre. Myslimanët janë duke jetuar në kundërshtim me parimet e Kuranit e as që respektojnë porositë e profetit të tyre. Këtë gjendje Kurani e përshkruan si gjendje të mjerueshme. Është kjo gjendje që urgjentisht do qasje dhe interpretime të reja, në përputhshmëri me praktikën e Muhamedit a.s. dhe me dinamikat e jetës në të cilën jetojnë. Shoqëritë myslimane urgjentisht kanë nevojë për njerëz të rinj.

Së fundmi, ri-interpretimi i Islamit dhe qasja e re ndaj jetës është bërë nevojë kohe. Rimëkëmbja e një shoqërie varet nga puna kreative që del si fryt i harmonisë mes lidershipit të ndërgjegjshëm dhe qytetarëve të vetëdijshëm. Lidershipi është vullneti dhe truri, ndërsa masat janë zemra dhe trupi i lëvizjeve shoqërore. Pa pjesëmarrjen dhe pa mbështetjen qytetare, lidershipi nuk mund të bëjë, sikur që, pa ndihmën e lidershipit masat nuk mund të arrijnë. Energjia kreative buron në bashkëpunimin mes dy palëve. Intelektualët dhe klasa politike duhet të jenë të vullnetshëm për punë. Nuk ka shans të ecët përpara nëse masat dhe elitat nuk bashkëpunojnë. Dhe, nëse bazohemi tek parimi i jetës që thotë se popujt janë ata që mbesin ndërsa elitat ndërrojnë, atëherë, përpara nesh gjendet vetëm një alternativë; Të krijohet një elitë e re që ndjen dhe që mendon logjikshëm, para së gjithash, që e do dhe e respekton fjalën e Zotit të Madhërishëm.

Ky është kuptimi thelbësorë i asaj që vazhdimisht po e quajmë nevojë për ri-interpretimin e Islamit.