LAJMI I FUNDIT:

Cilat syze duhet të përdorim?

Cilat syze duhet të përdorim?

Të orientohesh nuk është e lehtë, por kur zgjedh duhet të kesh gjithnjë parasysh që intensiteti i rrezeve Uv dyfishohet kur qëndrojmë të shtrirë në rërë, ndërkohë që rritet katër herë në një fushë të mbuluar nga bora dhe deri gjashtë herë në një mal me borë. Ja se çfarë duhet të kemi parasysh, kur zgjedhim syzet:

Shumështresa: Është një sistem i mbështetur në xhama të përbërë nga 12 shtresa. Janë shumë të lehta dhe bëjnë të mundur filtrimin e frekuencave të padëshiruara dhe të dëmshme.

Melanina: Melanina bën të mundur një perceptim më të mirë të ngjyrave, në saje të një filtri ngjyre gështenje me përbërje melanine sintetike, i cili pakëson dritën blu. Janë shumë të përshtatshme për t’u përdorur në mal, kur i japim makinës, si dhe për ata që mbajnë lente në sy.

Ekualizatorët: Këto syze rrisin kontrastin kromatik dhe lehtësojnë dallimin e ngjyrave në gjendje të vështira.

Të polarizuara: Xhamat polarizues eliminojnë efektin verbues të shkaktuar nga pasqyrimet e diellit në sipërfaqe. Janë mjaft të mira kur dëshirojmë të mbrohemi nga pasqyrimet e forta.Me pasqyrë: Janë shumë të vlerësuara nga alpinistët dhe nga mësuesit e skive, sepse pakësojnë dritësinë e fortë të rrezeve të diellit mbi borë dhe zbusin pasqyrimin verbues.

Me ngjyrime: Kanë një ngjyrim të errët në pjesën e sipërme, i cili sa vjen e qartësohet. Këshillohen gjatë drejtimit të automjetit, sepse filtrojnë rrezatimet e forta që vijnë nga qielli dhe nga rruga. Nuk këshillohen për t’u mbajtur në borë ose në det.

Antipasqyrimi: Trajtimi antipasqyrim në sipërfaqen e brendshme të xhamave të diellit është i nevojshëm në disa lloj syzesh, sepse kufizon në mënyrë të ndjeshme sasinë e rrezatimit të pasqyruar nga xhami tek syri. Tek xhamat e miopisë ka të bëjë me të dyja sipërfaqet, për të pakësuar në këtë mënyrë efektet optike, që vihen re më shumë në mjediset e mbyllura ose në darkë.

Fotokromatike: Xhamat ndryshojnë ngjyrë në varësi të dritës. Bëhen më të qartë kur ka pak dritë dhe errësohen në prani të diellit. Është një mundësi mjaft e mirë për t’u përdorur në xhamat optikë. /Telegrafi/