LAJMI I FUNDIT:

Cila ngjyrë e syve është më e shëndetshme?

Cila ngjyrë e syve është më e shëndetshme?

Shkenca ka treguar se sytë me ngjyrë të errët dhe ata me ngjyrë të çelët, kanë përparësi në fusha të ndryshme të shëndetit. Sytë e zinj janë më besnikë, por gjithashtu dehen më shpejt sesa sytë e kaltër.

-->

Përtej bukurisë së jashtme, nëse pyesni veten se cila ngjyrë e syve tregon për një trup më të shëndetshëm, nuk duhet të tërhiqeni gjithnjë nga e bukura. Si sytë ngjyrë kafe ose të zezë, ashtu edhe ato bojëqielli apo jeshilë kanë avantazhet dhe dizavantazhet e tyre.

Sytë e errët kanë më pak gjasa të preken nga degradimi makular i syrit, gjendje që krijon një pikë të zezë në mes të shikimit. Njerëzit me sy ngjyrë të çelët kanë dyfishin e rrezikut që lidhet me këtë problem, i cili vjen me moshën. Këto zbulime u bënë nga një studim me 171 pjesëmarrës.

“Një iris i errët e bllokon më shumë dritën ultravioletë”, thotë specialisti Christopher Quinn. Rrezet ultravioletë janë një faktor rreziku për degradimin makular. Drita shtesë që hyn në sytë e njerëzve me iris të ngjyrës së hapur, mund të shkaktojë më tepër degradim të retinës.

Sytë e errët kanë më pak rrezik nga melanoma

Irisët e syve të errët kanë një rrezik më të ulët të kancerit të lëkurës. Në një studim, kërkuesit morën mostra të ADN-së të 500 fëmijëve nga mosha 6 deri në 10 vjeç. Fëmijët me sy blu kishin më shumë gjasa të zhvillonin nishane krahasuar me fëmijët e tjerë. Numri i nishaneve që njerëzit kanë në fëmijëri, parashikon rrezikun e melanomës në moshë të rritur.

Një tjetër kërkim ka zbuluar se njerëzit me sy blu ose jeshilë kanë rrezik më të madh të melanomës në sy, me gjasa sepse kanë më pak pigment të absorbimit të dritës për të mbrojtur syrin nga dëmi që shkakton dielli. Por pavarësisht se çfarë pigmenti ka syri juaj, është gjithnjë ide e mirë të përdorni syze për t’u mbrojtur nga rrezet e dëmshme.

Sytë me ngjyrë të çelët janë më konkurrues

Kërkuesit australianë morën në analizë 336 pjesëmarrës evropianë për të krahasuar pyetësorët e ideuar të matnin faktorët e personalitetit.

Faktorët e të rënit dakord përcaktoheshin nga sa shumë e gjenin veten pjesëmarrësit në deklarata si “i bëj njerëzit të ndihen të lirshëm” ose “e shoh veten si dikush që është i kujdesshëm dhe i sjellshëm me pothuajse këdo”.

Personat me sy të ngjyrës së errët kishin më tepër gjasa të gjenin veten në fjalë si “bujari, miqësi dhe simpati” sesa njerëzit me sy të ngjyrës së hapur. Këta e gjenin veten te llojet e personalitetit që binin më pak dakord dhe ishin më konkurrues.

Ndonëse duhen më shumë kërkime, hulumtuesit sugjerojnë se përfundimet duhet të kenë të bëjnë me rrënjët evolucionare. Mijëra vjet më parë, evropiano-veriorët mund t’i kenë para sytë e kaltër ose të gjelbër si ekzotikë ose më tërheqës, apo idealë për t’u çiftëzuar, gjë e cila me shumë gjasa i ka bërë ata edhe më konkurrues.

Sytë e errët konsiderohen si më të besueshëm

Në një studim të publikuar në Plos One, kërkuesit pyetën 238 vullnetarë të shprehnin mendimin e tyre se cili ndillte më tepër besim. Në përgjithësi, pjesëmarrësit i cilësuan fytyrat me sy ngjyrë kafe, si më të besueshëm sesa ata me sy ngjyrë blu.

Edhe kur kërkuesit i ndryshuan dixhitalisht ngjyrat e syve, rezultati mbeti i njëjtë. Kjo i bëri ata të analizojnë lidhjen midis ngjyrës së syve dhe tipareve të fytyrës. Kërkuesit zbuluan se burrat me sy të errët prireshin të kishin tipare shtesë më të besueshme, sesa ata që kishin sy të çelët. Tipare të tilla përfshijnë gojën e madhe, nofullat e gjera, sy më të mëdhenj.

Kërkime të mëtejshme nevojiten, veçanërisht për të përcaktuar lidhjen mes grave, të cilat nuk shfaqin të njëjtin nivel besueshmërie kundrejt formës së fytyrës.

Sytë e çelët nuk rrezikohen nga humbja e pigmentit të lëkurës

Në një studim nga Universiteti Mjekësor i Kolorados, kërkuesit analizuan rreth 3000 persona me këtë lloj sëmundjeje. Ata identifikuan 13 gjene të lidhur me një predispozim më të madh ndaj gjendjes shëndetësore. Ata zbuluan se njerëzit me këtë sëmundje, kishin më pak gjasa të kishin sy ngjyrë blu ose jeshilë.

Njerëzit me sy të errët pinë më pak alkool

Nëse ju duket sikur shokët tuaj me sy blu pinë më tepër alkool se ju, kjo në fakt mund të jetë diçka e vërtetuar shkencërisht. Në një analizë të Universitetit Shtetëror të Xhorxhias, 12 mijë burra dhe gra u morën në pyetje, për të dalë në përfundimin se njerëzit me ngjyrë sysh më të çelët, pinin më tepër alkool.

Përse ndodh kjo? Shkencëtarët hamendësuan se ka lidhje me melaninën, pigmentin që i bën sytë më të errët. Melanina përfshihet në lidhje elektrike mes qelizave të trurit. Nëse sasia e melaninës në sy ka lidhje me sasinë e melaninës në tru, kjo i bën njerëzit me sy ngjyrë të errët që të jenë më të ndjeshëm ndaj stimujve si alkooli. Me pak fjalë, njerëzit me sy të zinj ose kafe, dehen më shpejt sesa ata me sy të çelët.

Shkenca po bën kërkime edhe më të thella për të zbuluar lidhjen midis ngjyrës së syve dhe shëndetit, apo pasojave mendore që ka melanina në sy. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori