LAJMI I FUNDIT:

Çfarë është iman-besim, në Islam?

Çfarë është iman-besim, në Islam?

Rreshtat në vijim janë shkruar në frymën e përpjekjeve për të shpjeguar nevojën për reformën në islam. “Imani” është fjala e parë prej shumë të tjerave që tani e tutje do ta shpjegojmë. Këto që po i lexoni, në fakt janë shkoqitje nga ligjëratat që dikur i kam mbajtur ditëve të shtune, para xhematit të Xhamisë së Madhe në Gjilan. Vazhdoj të them se keqinterpretimi i Kuranit është faktori kryesor i prapambeturisë së myslimanëve. Për më shumë se kaq, është keqprezantimi i Muhamedi a.s., sidomos i qasjeve të tij ndaj problemeve dhe dinamikave të kohës kur jetoi dhe i mënyrës se si do të vepronte sot po të ishte gjallë.

***


Çdo entitet në natyrë ka brendinë dhe formën e jashtme. Brendia është substanca, ndërsa forma është hija e jashtme që i vishet substancës. Substanca dhe hija janë të pandashme mes vete, përndryshe, të ndara nuk kanë kurrfarë kuptimi. Substanca është nocion i përgjithshëm që imagjinohet, që nuk preket, ndërsa forma e jashtme është ajo që entitetet i bënë të prekshme, të kuptueshme, të kapshme dhe të përkufizuara.

Nga ky këndvështrim, përderisa forma e jashtme e imanit është besimi në Zotin i shprehur me fjalë, substanca e imanit është energjia e brendshme që buron nga besimi jonë në Zot. Ka ndodhur shumë herë kur dijetarët islamë u lëshuan në përkufizime të panevojshme, të stërzgjatura të fjalës “iman”, që lanë pas dore brendësisë e besimit dhe, kështu, dëmtuan përmbajtjen e imanit, përmbajtje kjo që është themeli i të qenit besimtar. U shkruan libra të tërë mbi atë se çka është iman: besim vetëm me zemër, me zemër e me gojë, apo të dyja së bashku dhe me vepër? Sido që të jetë, numri kaq i madh i këtyre definicione rreth fjalës “iman”, gabueshëm kanë reflektuar në kuptimin e drejtë dhe të thellë të kësaj fjale.

Sipas konceptit si e kuptojmë Kuranin, imani është më shumë se vetëm besimi ynë në Zotin, në engjëjt, në librat e shpallur, në profetët, në ditën e gjykimit, në kadanë dhe kaderin. T’i jepet kaq shumë rëndësi formës së jashtme të imanit dhe të lihet pas dore kaq shumë domethënia e tij, për Islamin është i papranueshëm. Islami i lufton skajshmëritë. As vetëm forma e as vetëm brendia nuk janë të mjaftueshme. Parim i Islamit është mesi i artë. Sikur që është shpirti si i vetëm pa domethënie, edhe materia si e vetme nuk i nevojitet Islamit. Islami është fe që i lidhë ngushtë të dyja këto. Andaj, për të kuptuar më drejt se çka është imani, në vijën e baraspeshës mes formës dhe përmbajtjes, e shohim të udhës që në fillim të nënvizojmë se çka në fakt nuk është iman!

Nga Kurani mësojmë se fjala “iman” nuk është shprehje e thjeshtë me të cilën deklarojmë besimin tonë në Zotin. Aq më pak është kategori filozofike. Imani nuk është besim sa për të besuar, sepse Zoti nuk ndjen nevojë për besimin tonë që ta zbulojmë. Zoti është i Vet-mjaftueshëm. Imani nuk është teori e thatë që mund të “zbulohet” nëpërmes përkufizimeve të deformuara me të cilat janë të stërmbushura vepra të panumërta të dijetarëve islamë.

Fjalët e thata të cilat imanit ia humbin përmbajtjen, bien ndesh me mësimet, jetën dhe veprimtarinë e profetit të njerëzimit, Muhamedit a.s. Sukseset e profetit ishin rezultat i punës së tij të palodhshme, i përpjekjeve gjigante për t’i kontribuar shoqërisë. Pozita e tij e lartë nuk ishte pse ai qe i dërguar i Zotit. Edhe titullin “I dashuri i Allahut” e fitoi nëpërmes punës kreative të tij. Ai thoshte se imani nuk është privilegj, por detyrim për punë. Edhe pasi u ngrit në Qiellin e lartë, atje ku mund të jetonte pa probleme, ai kishte kërkuar nga Zoti i tij ta kthente në tokë, aty ku do të ballafaqohej me problemet dhe sfidat e jetës. E dinte fare mirë se misioni i tij ishte puna në Tokë, jo në Qiell.

Imani, pra, nuk është premtim i rrejshëm për lumturi veç pse jemi besimtarë, e as besim në ëndrra se jeta e njeriut begatohet vetëm pse deklarohemi për besimtarë. Pranimi i ekzistencës së Zotit është diçka, e diçka tjetër puna jonë sipas porosive të Tij. Nga këtu, besimtari nuk shpreson verbërisht në atë që është metafizike, në mrekulli, por i beson vetvetes dhe bënë përpjekje për t’ia dalë mbanë. Imani është e kundërta e besimit në “shpëtimtarët” që mund të vijnë nga jashtë për t’i kryer detyrimet tona të cilat ne duhet t’i kryejmë. Sipas Islamit, besimi në ardhjen e “Mehdiut Shpëtimtar” është besëtytni, ndërsa besëtytnitë janë të urryera tek Zoti i Madhërishëm. Besëtytnitë janë kotësi që nuk përkojnë me realitetin, aq më pak me ligjet e natyrës që i promovon Kurani. Në Islam, besimi në ardhjen e shpëtimtarëve nga matanë nesh është besim i gabueshëm, si i tillë, rreptësisht i ndaluar.

Sipas parimeve të Islamit, imani është fuqia e brendshme e shpirtit që nxit njeriun në luftën për një jetë më të mirë. Imani është praktikë, jo fjalë e thatë, është kategori morale që na mëson se morale është të vihen sendet në vendin e tyre dhe të kryhen obligimet në kohën e duhur. Nga kjo perspektivë, imani është njohja e ligjeve të natyrës dhe depërtimi në to. Nëse themi se i besojmë Kuranin i cili thotë se Zoti manifestohet në natyrë nëpërmes ligjeve që i ka, atëherë studimi dhe respektimi i këtyre ligjeve është obligim për myslimanin. Ligjet e natyrës, sipas Islamit, janë vet emrat e Zotit dhe atributet e Tij.

Besimtari i vërtetë nuk mashtrohet me energjitë e mbinatyrshme se kinse ato ndërhyjnë dhe prishin rendin e jetës. Çdo gjë në këtë botë lëvizë sipas rregullit strikt që e ka krijuar Zoti. Qysh në ditët e para të shpalljes, Muhamedit a.s. i ishte tërhequr vërejtja që në vend të shpresave t’i rrekej punës për t’i shtyrë proceset e jetës përpara. Nga ky këndvështrim, imani i vërtetë është njohja e realitetit të jetës dhe çuarja e amanetit në vend.

Amaneti të cilin e përmend Kurani, me të cilin u ngarkua njeriu, nuk është gjë tjetër pos punës së pakompromis për një jetë të qëndrueshme, të dinjitetshme dhe në përputhshmëri me vullnetin e Zotit dhe ligjin e Tij në natyrë. Përndryshe, si dhe përse do të caktohej dikush për Zëvendës i Zotit në tokë, nëse nuk i njeh ligjet e Zotit në te? Së këndejmi, iman donë të thotë përpjekja për të zbuluar rendin e Zotit, aty ku fshihen thesaret e Tij. Besimtari i vërtetë, jo ai që me deklarata sterile thotë se është besimtar, i hulumton ato pasuri, i gjen, i përvetëson dhe i shfrytëzon për të mirën e vet, të familjes dhe të mbarë shoqërisë. Fitorja dhe shpëtimi i besimtarit për të cilin flet Kurani është “realizimi i fatbardhësinë në tokë (dynja), para fatbardhësisë në qiell (ahiret), sepse, mbretëria qiellore nuk mund të fitohet pa fituar mbretërinë në tokë”.

Andaj themi se ka ajete të Kuranit që edhe më tutje gabimisht interpretohen, themi gjithashtu se ka nevojë për reforma në interpretimin e ri të Islamit. Sidomos shqiptarët kanë nevojë për qasje të reja ndaj fesë së tyre, për kuptimin e ri që shkon në interes të qenies së tyre, të historisë dhe të gjeografisë së tyre. Shikojeni si është keqinterpretuar ajeti i parë i kaptinës “El- mu’minun”. Aty thuhet se besimtarët janë të shpëtuar dhe se janë fitimtarë. Si është e mundur kjo?

Më thuani: ku janë ata besimtarë që sot po triumfojnë dhe ku janë të shpëtuarit? Nëse gjendja e tanishme e shoqërive myslimane është kjo që është, atëherë, a nuk qenka lexuar gabueshëm Kurani, a nuk qenka interpretuar gabueshëm, apo, fare nuk qenka kuptuar?

Ka kohë që besimtarët nuk janë as triumfues as të shpëtuar. Triumfi i përmendur në këtë ajet nuk është dhuratë, as sevap që u jepet njerëzve vetëm pse thonë se janë besimtarë! Edhe pse ky ajet tregon qartë se shpëtimi i besimtarëve është i kushtëzuar me kuptimin e drejtë të fjalës iman, këta besimtarë edhe më tutje anashkalojnë njohjen dhe zbulimin e jetën dhe çdo gjë tjetër që na rrethon. Njohja e këtyre ligjeve është kusht i patjetërsueshëm për të qenë besimtar triumfues dhe i shpëtuar. Zëvendës i Zotit në tokë nuk mund të bëhet ai që nuk i njeh ligjet e Zotit në natyrë, as i nënshtruari.

Nga këtu, planet që i bëjmë, nëse nuk janë në koordinim me ligjet e Zotit, punët tona dështojnë. Ekziston një dallim i madh mes asaj që dëshirojmë ta bëjmë dhe asaj që është e mundshme të bëhet. Ky dallim mund të reduktohet për aq sa planet tona janë në përputhshmëri më mundësitë që ne i disponojmë. Sipas Islamit, vepra, sistemi, mësimi apo dija që nuk përkojnë me realitetin e natyrës, ato as janë të dobishme as mund të realizohen. Kurani kategorikisht nënvizon faktin se natyra vepron sipas një rregulli tepër të sistemuar. Edhe njeriu i nënshtrohet këtyre ligjeve të jetës në natyrë. Këtë ndërlidhje kaq të ngushtë dhe kaq precize, Kurani e quan sunnetullah.

Ndonjëherë, imani në Zotin si kushti themeltar për triumf të besimtarit, tek disa njerëz reflektohet pa u hetuar, dhe, shumë herë pa u shqiptuar fare. Kjo pavetëdije dhe ky zhvillim i brendshëm në njeriun, imanit aspak nuk ia humb vlerën, sepse, sipas kuptimit të këtij ajeti, imani nuk është fjala, por është vepra. Njohja e jetës dhe ushtrimi i ndikimit tonë mbi te është kushti i kushteve për të qenë fitues mbi jetën. Andaj, lidhja reciproke mes fjalës “iman” dhe deklarimit të individit sa është besimtar, varet prej fuqisë dhe mënyrës si e kupton besimtari fjalën iman. Besimtari më i mirë është ai që ka kuptuar peshën e dijes mbi vetveten, si i tillë, ai është i shpëtuar. Sipas ajetit në fjalë, suksesi dhe triumfi janë ato që e veçojnë besimtarin e vërtetë, jo dështimi. Cili do interpretim tjetër që i bëhet fjalës “iman-besim” në ajetin e parë të sures “El-mu’minun”, është interpretim i mangët dhe thatë.